Nga Tirana në Berlin – udhëtimi teknologjik i Artiona Bogo-s - Business Magazine Albania

Nga Tirana në Berlin – udhëtimi teknologjik i Artiona Bogo-s


*Artikulli u publikua për herë të parë në news.sap.com

Artiona Bogo, e lindur dhe rritur në Fier, nisi karrierën e saj si inxhiniere software dhe kur u bë pjesë e qendrës së inovacionit në kompaninë gjermane SAP rreth dy vjet më parë, një teknologji e re po vendosej gjithnjë e më shumë nën shënjestren e korporatave: blockchain.

Si një menaxhere biznesi për blockchain, Artiona drejton angazhimet strategjike të klientëve dhe është zëdhënëse për teknologjitë e decentralizuara brenda ekosistemit SAP.

“Pritej të bëhesha mjeke si im atë,” thotë Artiona. “Në Shqipëri, nuk është e pazakontë që fëmijët të ndjekin gjurmët e prindërve të tyre. Megjithatë, ishte e qartë për mua si një gjimnaziste e sapo diplomuar se teknologjia është e ardhmja, prandaj zgjodha shkencat kompjuterike”.

Pas përfundimit të studimeve në Universitetin Politeknik të Tiranës, një bursë nga Komisioni Europian e çoi Artionën në Gjermani dhe Itali si pjesë e një programi Master të dyfishtë në inxhinieri software.

“E ardhur nga Shqipëria, e cila është përpjekur të shndërrohet në demokraci përgjatë 30 viteve të fundit, përvoja e studimeve master ishte rritëse në shumë dimensione. Zbulova se, në fakt, vendi im më kishte dhënë mundësi shumë të mira për të filluar me sukses,” thotë ajo. “Sistemi ynë arsimor i shkollës së mesme është i shkëlqyer. Studentët shqiptarë shkëlqejnë në universitetet jashtë vendit. Por nuk është aspak sekret se, mundësitë për kërkime shkencore dhe veçanërisht ato që instruktohen nga nevojat e industrisë, janë tepër të kufizuara”.

Pavarësisht se Artiona vendosi të emigrojë për shkak të një sërë mungesash në Shqipëri, ajo thekson se në Shqipëri gratë që marrin profesione teknologjike janë shumë më shumë në numër sesa në Gjermani apo vendet e tjera perëndimore. “Ato mendojnë se shkencat humane ofrojnë mundësi të limituara. Ka një numër të mirë vajzash që shkojnë drejt teknologjisë, deri në atë nivel që është mbresëlënës për të huajt. Në workshop-et e mia në Tiranë, raporti është zakonisht 50:50 dhe kjo më bën shumë krenare.”

Angazhimi i grave në sektorin e teknologjisë është një vokacion të cilin Artiona e inkurajon plotësisht. “Jam mbështetëse e aktiviteteve që projektohen në këtë drejtim. Humbasim të gjithë nëse nuk angazhojmë më shumë gra në teknologji dhe e bëjmë këtë status-quo-në e re për gjeneratat e ardhshme. Nëse jemi të ndërgjegjshëm sot për mënyrën se si edukojmë vajzat e vogla e se si i inkurajojmë ato të jenë kureshtarë për teknologjinë, përmirësim i pashmangshëm do të pasqyrohet në të ardhmen.”

“Dhe treguesi im personal që po arrijmë diku,” shton ajo duke buzëqeshur, “do të ishte kur të kemi një panel teknologjik vetëm me gra, pa qenë nevoja që dikush të theksojë se janë të gjitha gra”.

Krijimi i zgjidhjeve për një botë të decentralizuar

Gjatë kohës kur punonte tek Hewlett-Packard (HP), fillimisht si inxhiniere software dhe më vonë si menaxhere e programit mbi suksesin e klientëve, Artiona ndoqi studimet e biznesit në shkollën franceze ESCP Europe. “Mendoja se më mungonin njohuri teorike në menaxhim biznesi,” thotë ajo. “Pas përfundimit të studimeve, udhëtimet e mia të shpeshta drejt Berlinit më bënë të mendoja se ishte koha e duhur për një ndryshim në karrierë dhe rezultoi ashtu siç unë po shpresoja.” Pak javë pasi ajo iu bashkua ekipit të SAP Innovation Center Network, blockchain u bë temë strategjike për të gjithë kompaninë. “U vendos që një pjesë e ekipit duhet të pozicionohej në Potsdam ku unë isha duke punuar në atë kohë – dhe se unë duhet të bëhesha pjesë e tij.”

Artiona duke moderuar një diskutim në panelin e eventit të SAP “Outside the Block”, Nëntor 2018.

“Ka dy nuanca të teknologjisë blockchain,” thotë Artiona. “Çfarë fitoj unë si individ dhe çfarë fitojnë kompanitë në aspektin e proçeseve të biznesit. Në të dyja rastet, blockchain do të thotë një ndryshim filozofie për mënyrën si jemi mësuar t’i shohim proçeset të funksionojnë. Për individët, do të thotë që fuqia e cila na është marrë padrejtësisht, mund të kthehet në duart tona, ashtu siç duhet të ishte dizenjuar që në fillesat e internetit. Nëse unë jam duke u targetuar nga kompanitë e mëdha të internetit, jam një produkt për ta. Ata përdorin të dhënat e mia. Pse të mos shpërblehem për aktivitetet e mia në internet apo gjurmët që lë? Blockchain mund ta bëjë këtë realitet. Teknologjia që mundëson monedhat kriptografike si Bitcoin, por që ka aplikime shumë më të gjëra në industri ka disa karakteristika tepër interesante të cilat sjellin më shumë transparencë pa pasur fuqi të qendërzuara (si psh Facebook, Google etj).

Korporatat, nga ana tjetër, janë veçanërisht të interesuara në rritjen e efikasitetit dhe optimizim të përgjithshëm, si dhe në krijimin e modeleve të reja operative të biznesit. “Klientët presin që ne t’i frymëzojmë dhe t’i udhëheqim në këtë udhëtim të transformimit dixhital,” shpjegon Artiona. “Ata besojnë në ekspertizën e SAP për t’i ndihmuar të pozicionohen në tregje të reja dhe të zgjidhin problemet e tyre pa pasur nevojë të hedhin poshtë sistemet ekzistuese. Aplikacionet me bazë blockchain, si një shtresë mbivendosese mbi sistemin IT pëmes së cilit funksionojnë bizneset, lejojnë që palë të ndryshme të ndërveprojnë në një mënyrë më të decentralizuar. E bukura është se në këtë arkitekturë të re, askush nuk i zotëron ose kontrollon të dhënat në veçanti – ato qëndrojnë përherë me palën që i krijon apo i zotëron ato të dhëna”.

Ajo që Artiona shijon më së shumti për punën e saj si zhvilluese biznesi për blockchain është ndërveprimi i shpeshtë me klientët, qoftë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos ose në takimet në Berlin. ” Sot mund të jem duke folur me Deutsche Bank, nesër me  BMW dhe një ditë tjetër me Charité ndoshta.”

Megjithëse ajo ka qenë një zhvilluese për disa vite, Artiona u thellua në një karrierë biznesi pasi ndjen se i ofron mundësi më konkrete për të ndërmarrë vendime strategjike. “Respektoj edhe prototipin më të vogël software apo produktet e mirëfillta që krijohen nga programues. Por në fund të ditës, sado “cool” të jetë produkti, nëse nuk ka vlerë tregu, asnjë kompani nuk e thellon investimin më tej. Si zhvilluese biznesi, ke avantazhin e të provuarit vlerën e tregut për shumë inovacione të cilat motivohen nga teknologji të reja.”

U bë shumë bujë rreth blockchain përgjatë 2017 dhe 2018, kështu që shumë ekspertëve të teknologjisë në SAP iu desh të menaxhonin pritshmëritë e klientëve. “Tani blockchain ka rënë nga maja e ciklit “hype” të Gartner dhe shumë klientë arrijnë të kuptojnë kur duhet përdorur kjo teknologji apo jo,” thotë Artiona, magjepsja e së cilës me teknologjinë mbetet solide, veçanërisht tani që buja është shndërruar në produkte e përdorim konkret nga klientë të mëdhenj të SAP.

Mentorimi i Ekosistemit të Blockchain

Nëpërmjet SAP.iO Foundry Berlin, mundësuar nga akseleratori Techstars, Artiona u bë mentore e disa startup-ve të cilave u jepet mundësia për të ramifikuar modelet e tyre të biznesit me ndihmën e ekspertëve të SAP. “Mentorimi mund të hapë një botë të re. Jam duke punuar me themelues totalisht të fokusuar në atë që bëjnë. Momentet e mentorimit që ata ndajnë, përbëjnë një eksperiencë shumë të përqendruar që shpesh nuk e kemi në përditshmëri. Mendoj se është shumë e shëndetshme që truri të ballafaqohet me këto perspektiva të reja. Vlen fakti që mësojmë shumë nga njëri-tjetri, është një situatë win-win për të dyja palët. ”

Të jetuarit në Berlin gjithashtu i ofron Artionës mundësi të tjera për t’u angazhuar me ekosistemin. “Më pëlqen shpirti që karakterizon Berlinin,” thotë ajo. “Mënyra se si njerëzit angazhohen me njëri-tjetrin. Është ndryshe nga qytetet e tjera ku kam jetuar – ka një frymë bashkëpunimi të sinqertë. Jam veçanërisht e gëzuar që organizoj në mënyrë të rregullt serinë e takimeve të Hyperledger këtu në Berlin”.

Duke qenë një prej shumë emigrantëve të kualifikuar shqiptarë që u larguan për shkak të mungesës së mundësive, Artiona e kupton mirë efektin e këtij largimi masiv që po ndodh me Shqipërinë: “Kam bërë një marrëveshje me veten time – kur jam në Shqipëri për pushime, dua t’i jap diçka komunitetit e vendit tim. Shpeshherë kam organizuar workshop-e apo takime për të përhapur njohuritë rreth impaktit të teknologjisë. Mund të bëhet shumë për inovacionin social në vende si Shqipëria duke përdorur teknologjitë e reja (Inteligjenca Artificiale, Interneti i Gjërave – IoT) dhe blockchain është një nga këto teknologji.”

Dëshironi të mësoni më shumë rreth teknologjisë blockchain? Ndiqni Artionën në Twitter tek @art_iona.

Lexoni: Shqiptarja Artiona Bogo na tregon eksperiencën e saj në Davos gjatë javës së Forumit Ekonomik Botëror

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0