Eksploruesit e natyrës dhe fotografët që enden në kërkim të drerëve mes thuprave dhe plepave në Kincaid Park, rreth 15 kilometra nga qendra historike e Anchorage, rrallë i kushtojnë vëmendje strukturave prej beton; disa të mbuluara nga gjelbërimi i dendur, të tjera të ekspozuara pranë ndonjë parkingu.
Sot, këto ndërtesa shërbejnë si depo ose qendra rekreative për fëmijë. Por dikur, ato bunkerë të heshtur strehonin raketat Nike Hercules dhe kokat e tyre bërthamore. Gjatë tërmetit të “Së Premtes së Madhe” në vitin 1963, rreziku i një katastrofe bërthamore ishte real dhe i frikshëm. Një pllakë përkujtimore, e vendosur vite më vonë, nderon guximin e Baterisë A që shmangu fatkeqësinë, një histori që u bë publike vetëm tetë vjet më parë.
Kompleksi, i njohur si “Site Point”, ishte pjesë e një rrjeti të gjerë mbrojtës kundërajror, vija e parë e mbrojtjes që për dekada priste të ndalte bombarduesit sovjetikë. Një kërcënim i imagjinuar nga BRSS, në një pikë kufitare të largët amerikane, e cila, për ironi të historisë, vetëm 160 vjet më parë i përkiste Perandorisë Ruse dhe iu shit Shteteve të Bashkuara nga Cari Aleksandër II përmes sekretarit të shtetit William Seward për vetëm disa dollarë për hektar.
Sot, armiku i dikurshëm rus mbërrin, por këtë herë i shoqëruar nga ceremoni madhështore. Vladimir Putin është ftuar pa asnjë kusht, pavarësisht urdhrit ndërkombëtar për arrestimin e tij dhe pushtimit të Ukrainës. Ai bëhet lideri i parë rus që viziton Alaskën dhe takohet me presidentin amerikan Donald Trump në bazën e siguruar Elmendorf-Richardson, një pikë strategjike që ende shërben për të ndaluar avionët rusë. Për një ditë të vetme, Alaska rikthehet në skenën ku dy superfuqi përballen sy më sy.
Ndërsa analistët spekulojnë për një paqe të mundshme në Ukrainë, apo për një marrëveshje të re të stilit të Jaltës, banorët e Anchorage duken më shumë të bezdisur sesa të tërhequr nga gjithë kjo vëmendje. Në një oborr ku janë zhvilluar protesta, një billboard gjigant me portretet e Trump-it dhe Putin-it bie në sy, një shenjë ironike e një takimi që ndan opinionin publik.
Anchorage është një qytet i qetë, me ndërtesa modeste që shtrihen mbi fushat me baltë të gjirit Cook, në këmbët e maleve të mbuluara me dëborë të vargmalit Chugach. Zakonisht, ky është një stacion i përkohshëm për aventurierët e tërhequr nga miti i “Kufirit të Fundit”, ethet e arit, jeta e egër, gara legjendare e slitave me qenë, netët polare të ndriçuara nga aurorat boreale në dimër dhe ditët pa fund të verës arktike. Ëndrra të cilat u përjetësuan në librin e Jon Krakauer dhe filmin e Sean Penn “Into the Wild”.
Lexo edhe: NASA dhe Google po krijojnë mjekun virtual për astronautët
Bashkia u ka bërë apel qytetarëve dhe vizitorëve të jenë të përgatitur dhe të tregojnë durim për çdo shqetësim eventual. Por, përveç disa ekipeve televizive dhe fluturimeve sporadike të avionëve ushtarakë, në ajër nuk ndihet asnjë aromë tensioni. Për të ironizuar pretendimet e herëpashershme të nacionalistëve rusë që kërkojnë rikthimin e Alaskës, banorët e kanë gati batutën: “Kemi vetëm një lutje: mos na shisni sërish!”.
Jeta vazhdon normalisht: viti shkollor nis sot siç ishte planifikuar, ndërsa turistët e fundit të verës mbushin hotelet, shfletojnë dyqanet me lëkurë kafshësh, punime artizanale vendase dhe pajisje për peshkimin e salmonit, i cili është në kulmin e sezonit. Ata gëzohen që ndodhen në Anchorage pikërisht në momentin kur dy superfuqi do të takohen për të përcaktuar, ndoshta sërish, rrjedhën e historisë.
“Testet bërthamore, radarët dhe përballjet mes dy blloqeve duken si gjëra të së kaluarës. Por nuk janë. Këtë e tregon edhe samiti i radhës”, thotë Sierra, teksa udhëheq një grup nga Çikago në ekspozitën “Nga Lufta e Ftohtë në Hapësirë”, e hapur në Muzeun e Anchorage.
Ekspozita përfshin sistemin e vjetër të radarëve “Distant Early Warning Line”, Operacionin Washtub, që kishte për qëllim krijimin e një rrjeti agjentësh të fshehtë në rast pushtimi dhe balonat moderne spiune.
Të gjitha këto e kanë bërë Alaskën të njihet si “Roja e Veriut” dhe kanë sjellë përqendrimin më të lartë të veteranëve në SHBA, një në çdo dhjetë banorë, si dhe një kulturë të fortë përgatitjeje për mbijetesë në rast katastrofash. Në fund të vizitës, Sierra i lë të pranishmit me një pyetje: “A ka përfunduar ndonjëherë vërtet Lufta e Ftohtë?”
“Në fakt, sot gjërat janë pothuajse më keq se kurrë”, thotë David Ramseur, ish-asistent i guvernatorëve të Alaskës.
Ai kishte tentuar të afronte dy botët gjatë Luftës së Ftohtë, duke ndihmuar në organizimin e “Fluturimit të Miqësisë” në vitin 1988, për të ribashkuar indigjenët e Alaskës dhe Siberisë, një përpjekje nga poshtë për të ngrohur marrëdhëniet.
Ai e përshkruan këtë në librin e tij “Melting the Ice Curtain” (Duke shkrirë perden e akullt). “Perde e akullt” quhej ajo që ndante dy botët.
“Vetëm 88 kilometra e ndajnë Alaskën nga Siberia dhe për mijëra vjet popujt vendas e kalonin ngushticën e Beringut me barkat e tyre. Nën udhëheqjen e Gorbaçovit, shkëmbimet që kishin ndaluar që prej 1848, rifilluan. Por me ardhjen e Putin-it, marrëdhëniet u përkeqësuan sërish.
Pas pushtimit të Ukrainës, derisa Rusia të tërhiqet, askush këtu nuk dëshiron më të ketë lidhje me të. Për shumëkënd, ftesa për Putin-in është e nxituar, i jep atij njohje që e kërkonte me dëshpërim pa bërë asnjë lëshim”.
Lexo edhe: Epoka e re e AI, nga garë superfuqish, në luftë për besim
Edhe mjeku në pension Ted Mala, bir i një ruseje dhe i aktorit të parë indigjen në Hollivud, dikur aktiv në bashkëpunimet mes Alaskës dhe Siberisë, tani është distancuar. “Ky samit është një tjetër ide e çuditshme e Trump-it. Alaska dhe Siberia kanë qenë për vite me radhë një mikrokozmos më vete. Por me luftën në Ukrainë, çdo lidhje mes tyre është ndërprerë.”
Anchorage ka pezulluar marrëveshjen e binjakëzimit me qytetin siberian Magadan. Ndërkohë, Rusia ka shtuar fluturimet dhe patrullimet detare afër Alaskës. Sot, banorët e qytetit më të madh të Alaskës nuk duan as Trump-in, që sipas një veterani të Vietnamit, Danny, është “gënjeshtar”, e as Putin-in që grupi “Stand Up Alaska” (Ccohu Alaska) e quan “kriminel lufte” dhe ka organizuar dy protesta. Në adresën 430 të rrugës C Street, ku mblidhen shpesh protestues, është vendosur një pankartë: “Trump dhe Putin, bëni dashuri, jo luftë”.
Një shekull e gjysmë pas “pazarllëkut të keq” të Carit, kanë mbetur vetëm disa gjurmë të “Amerikës Ruse”: komunitete të vogla të Besimtarëve të Vjetër, një dialekt që rrjedh nga sllavishtja e vjetër kishtare, disa emra vendesh dhe mbiemra me origjinë ruse, dhe një restorant që shet pelmeni (ravioli rusë) me mbishkrim në cirilik.
Trashëgimia më e dukshme është Kisha Ortodokse Ruse në Alaskë, që i përket administrativisht Washingtonit, por ruan marrëdhënie të mira me Moskën.
Sot, në Katedralen Ortodokse Ruse të Shën Inocentit, me kupolat blu në formë qepe, zhvillohet e fundit nga tri mbrëmje lutjesh për paqe, thirrur nga kryepeshkopi Aleksej.
“Si ortodoksë, nuk besojmë në rastësi. Sa më e amdhe të jetë ngjarja, aq më shumë e shohim dorën e Zotit”, thotë i emocionuar diakoni Thomas Rivas.
“Alaska ishte kufiri i fundit i Perandorisë Ruse dhe sot është kufiri i fundit i Amerikës. Është një zonë neutrale, larg nga Moska dhe nga Uashingtoni. Dhe nëse, siç shpresojmë, këtu do të arrihet një marrëveshje për paqe, Alaska mund të bëhet sërish urë lidhëse mes dy botëve.”
Burimi: La Repubblica / Përshtati: Businessmag
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.