Linja ajrore kombëtare e Zvicrës, SWISS, ka njoftuar se do të anulojë rreth 1,400 fluturime deri në tetor, për shkak të mungesës së vazhdueshme të pilotëve. Të bëhesh pilot është ëndrra e shumë njerëzve, por rruga drejt kabinës së një avioni kërkon një barrë të madhe financiare: sipas SWISS, kostoja e trajnimit mund të arrijë deri në 150 mijë euro. Kjo ngre pyetjen: sa fitojnë pilotët në Europë? Dhe a justifikohet kostoja e lartë e trajnimit me pagat që marrin më pas?
Paga të larta, por me diferenca të mëdha
Pagat e pilotëve ndryshojnë ndjeshëm, kryesisht në varësi të përvojës. Në Britaninë e Madhe, sipas shërbimit kombëtar të karrierës, paga bruto vjetore varion nga 54,283 euro për pilotët e rinj, deri në 173,243 euro për ata me eksperiencë të gjatë.
Sipas Institutit Ekonomik të Kërkimeve (ERI), pilotët me mbi tetë vite përvojë fitojnë 60–80% më shumë se ata që kanë vetëm 1–3 vite punë. Diferencat janë aq të mëdha, sa një pilot i vjetër mund të marrë më shumë se trefishin e pagës së një të sapo punësuari.
Mesatarja në Europë, sipas ERI, varion nga 32,299 euro në Rumani, deri në 113,672 euro në Zvicër. Në Britani, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave (ONS), paga mediane bruto për pilotët dhe kontrollorët e trafikut ajror ishte 95,240 euro në prill 2024. Në Londrën e Madhe, paga mesatare për pilotët ngjitet në 115,562 euro.
Gjermania
Në Gjermani, paga mesatare mujore për pilotët arrin në 12,566 euro, ose 150,792 euro në vit. Për rolet më të ndërlikuara, shifrat mund të shkojnë deri në 342,072 euro.

Franca
Instituti francez i statistikave (INSEE) raporton një mesatare prej 9,300 euro në muaj, ose 111,600 euro në vit. ERI llogarit pagën mesatare të pilotëve në 87,903 euro, duke u rritur mbi 109,000 euro me përvojë të gjatë.
Suedia
Pagat mesatare vjetore arrijnë në rreth 80,822 euro, duke filluar nga 56,125 euro për pilotët e rinj e deri në 100,499 euro për ata me mbi tetë vite në profesion.
Europa Perëndimore e Veriore
Në këtë rajon, pagat janë më të lartat. Pas Zvicrës, Belgjika renditet e dyta me një mesatare prej 110,424 euro, e ndjekur nga Irlanda me 108,007 euro. Ryanair raporton se kapitenët e saj mund të fitojnë deri në 180,000 euro në vit.
Në Austri dhe Holandë, pagat mesatare kapërcejnë 100,000 euro, ndërsa Finlanda ndjek me rreth 96,000 euro.
Italia dhe Spanja
Të dhënat zyrtare mungojnë, por sipas ERI, pagat mesatare janë 80,427 euro në Itali dhe 77,269 euro në Spanjë.
Europa Lindore e Jugore
Në këtë rajon, pagat janë dukshëm më të ulëta. Në Portugali, pilotët fitojnë rreth 60,054 euro, ndërsa në Greqi 56,523 euro. Në Poloni pagat llogariten rreth 50,000 euro, ndërsa në Çeki 47,974 euro. Rumania mbetet më poshtë me vetëm 32,299 euro, edhe pse me mbi tetë vite përvojë paga mund të arrijë deri në 40,000 euro.
Pagat në rritje, nevoja pë staf
Sipas BAA Training Aviation Academy, pagat e pilotëve janë në rritje, të nxitura nga mungesa globale e tyre. Konsulentët e Oliver Wyman paralajmërojnë se deri në vitin 2032, industria mund të përballet me një deficit prej 80,000 pilotësh, nga të cilët rreth 19,000 vetëm në Europë.
Pilotët, ndër profesionet më të paguara
Në Francë, pilotët renditen në vendin e pestë për pagë mesatare mujore. Në Gjermani, pilotët me role të ndërlikuara kryesojnë si profesioni më i paguar, ndërsa në Britaninë e Madhe, pilotët dhe kontrollorët e trafikut ajror po ashtu renditen në pesëshen e parë. Në Danimarkë, me një pagë mesatare prej 13,523 euro në muaj, pilotët renditen në vendin e shtatë më të paguar.
Në një treg ku kërkesa për pilotë po rritet me shpejtësi, ky profesion mbetet një nga më të paguarit dhe më të kërkuarit në Europë – megjithëse jo i arritshëm për të gjithë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.