Network marketing, forma e shitjes që po i mbijeton kohës - Business Magazine Albania

Network marketing, forma e shitjes që po i mbijeton kohës

Network marketing

Ajo formë shitjesh që nisi e mbijetoi edhe në kohë luftërash, duket se ka një bazë të fortë në themelet e saj. Shitja direkte, derë më derë, bashkë me evolucionin e saj po i mbijeton, madje po fuqizohet në kohën e teknologjisë, përmes shitjeve online. Në një bisedë me ne përfaqësuesit e disa prej kompanive që punojnë në vendin tonë në këtë formë, tregojnë avantazhet dhe disavantazhet e kësaj formë shitje.

Disa karakteristika?! Zhvillohet kryesisht nga gra. Ju ndihmon në zhvillimin e komunikimint dhe krijimit të një rrjeti social. Nëse doni ta keni si punë të parë duhet t’i dedikoheni plotësisht, përndryshe gëzojuni të ardhurave shtesë nga shitjet si një punë e dytë. Kompania Avon ka arritur të shesë edhe gjatë luftës dhe ishte një mundësi takimi mes njerësish, ndërsa shitja direkte është vlerësuar edhe nga president amerikanë si një mundësi e mirë punësimi.

Artikulli u publikua më parë në faqen 38 të numrit 23 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 23 të saj.

Ja cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e Network marketing, MLM

Marçela Kapo, Farmasi

Network Marketing, i njohur edhe si Multi level marketing (MLM), është një model biznesi ku individë të pavarur bëhen pjesë e një kompanie për të përfituar komisione mbi produktet që shesin nga ajo kompani si dhe për të rekrutuar individë të tjerë t’i bashkohen kompanisë. Personat e shitjeve përfitojnë komisione për të gjithë personat që ata rekrutojnë nën grupin e tyre si dhe për shitjet që grupi i tyre realizon. Personat që regjistrohen nën personin e parë quhen downline (gjeneratat) dhe personat mbi quhen upline (Lideri). Çdo person i regjistruar ka të drejtën të krijojë grupin e tij personal nën vete, ndaj dhe mundësitë e përfitimit janë të pafundme. Upline përfitojnë nga çdo person që i shtohet grupit të tyre. Një individ që ka aftësi shitjesh shumë të mira dhe energji pozitive, e konsideron si biznes personal me gati zero kosto fillestare.

Avantazhet janë:

  1. Network Marketing është një mënyrë shumë e thjeshtë për të filluar biznes.
  2. Zero rrezikshmëri për ta nisur biznesin, pasi nuk humbet asgjë. Nëse nuk të përshtatet si model biznesi mund të heqësh dorë dhe kostot e investimit fillestar janë zero.
  3. Network Marketing i lejon individët të kenë më shumë kohë të lirë, pasi nuk merr gjithë ditën
  4. Je shefi i vetes tënde. I vendos vetes orarin që dëshiron (duke u bazuar në orët që ti dëshiron t’i kushtosh këtij biznesi), si dhe fitimet që dëshiron të marrësh nga ky biznes.
  5. Të ndihmon për të përmirësuar aftësitë komunikuese
  6. Krijon rrjet, numër të madh personash, të cilëve u prezanton mundësitë/produktet
  7. Ke lirshmëri në mënyrën e të punuarit, orarin, zgjedhjen e personave me të cilët dëshiron të punosh ose të kesh partnerë në biznes.

Disavantazhet :

  1. Network Marketing kërkon kohë për t’u rritur. Ndaj durimi dhe pasioni për t’ia dalë kanë rëndësi të madhe.

Është e vërtetë që bashkimi me shumë prej kompanive është falas, por duhet pak kohë për të patur një grup stabël si dhe për ta konsideruar biznes fitimprurës. Nëse për 3 muaj, i përkushtoheni së paku 2 -3 orë në ditë, atëherë do të mund të kishit çdo muaj të ardhurat e një page mesatare.

  1. Është e panjohur si industri dhe kjo sjell mosbesim ndaj kompanive. Në vendin tonë gati asnjë nga shkollat nuk e trajton si lëndë Network marketing-un. Ndaj njohuria jonë për industrinë është e limituar dhe jemi mosbesues ndaj saj. Për fat të keq, akoma e krahasojmë me skemat piramidale, ku shumë njerëz humbën gjithçka kishin duke marrë pjesë në to.
  2. Në tregjet e huaja, për fat akoma jo në Shqipëri, ka shumë kompani që kanë skema mashtruese. Ndaj e kanë të vështirë identifikimin e tyre për një skemë të rregullt kompensimi.
  3. Jo gjithmonë personat që i bashkohen kompanisë janë profesionistë ose persona që i marrin seriozisht trajnimet. Ato nuk kanë gjithmonë njohuritë e duhura për produktet dhe mund të krijojnë një përshtypje jo të mirë kur prezantojnë produktet.
  4. Mospërdorimi i reklamave në TV, ose mos pasja e dyqaneve, por vetëm shitja online dhe me katalog, i bën njerëzit skeptikë për të blerë një produkt vetëm duke e parë.

Shumë individë e shikojnë MLM ose network marketing si një formë parësore të ardhurash. Në këto raste, angazhimi ndaj biznesit duhet të jetë full-time. Nuk është e mundur të merresh vetëm 2 orë me biznesin dhe të marrësh të ardhura 2 ose 3 herë më të mëdha se rroga mesatare. Për personat që e shikojnë si të ardhura ekstra/shtesë të atyre parësore, angazhimi është shumë i vogël dhe kënaqësia e tyre ndaj të ardhurave është e lartë.

Ndërsa konsumatorët do të kenë më shumë interes pasi rekomandimi i produktit po i vjen nga dikush i njohur. Numrat tregojnë se është shumë më efikase kur rekomandimi vjen nga personat që na rrethojnë sesa vajtja në një dyqan për të zgjedhur vetëm duke parë llojet e produkteve që na ofrohet.

Në përditshmërinë tonë rekomandojmë pafund, pa e kuptuar dhe bëjmë gjithashtu marketing falas për shumë restorante, dyqane, furrë buke, pastiçeri, e çdo gjë që na duhet. Pa na e kërkuar askush, ne rekomandojmë tek shoqëria jonë (që nuk është pak), restorantin ku na pëlqeu dreka fantastike dhe pas disa ditësh shikojmë shoqen që ka bërë postimin në media sociale nga i njëjti vend. Nga kjo nuk përfitojmë asgjë në këmbim. Restoranti nuk do t’ju japë falas drekën dhe pse mund t’i keni dërguar minimumi 10 njerëz të rinj nga fjalët e mira që thatë. Ndërkohë në kompanitë MLM vetëm pse rekomandoni, sugjeroni produktet ose mundësitë që kjo kompani ofron, merrni në këmbim një komision të kënaqshëm të ardhurash shtesë.

Kompania Farmasi është në Shqipëri prej më shumë se 2 vitesh. Kompania turke u themelua nga Dr. Cevdet Tuna, i cili mbaroi studimet në Gjermani për Mjekësi dhe më pas u kthye në atdhe për të vazhduar punën. Është mjeku i parë që shpiku shurupin e kollës në Turqi si dhe themeloi një nga fabrikat e para farmaceutike në Turqi. Tashmë Farmasi ka 70 vite në tregun e Turqisë dhe po përhapet me hapa të shpejtë ne shtetet përreth dhe në Nëntor 2019 kompania hapi zyrën e saj të parë në USA, Kaliforni. Farmasi, prodhon në fabrikën e saj në Turqi krahas produkteve edhe vetë paketimin. Farmasi prodhon 2000 produkte, ku përfshihet edhe Linja farmaceutike Dr. C. Tuna.

Në Shqipëri, produkti u prit shumë mirë nga konsumatori si dhe MLM, duke qënë se në vend ka disa njohuri për Network Marketing, pasi kompani të tjera kanë hyrë më herët në treg. Aktualisht numërojmë 2973 anëtarë (persona të regjistruar në komani që marrin ulje për porositë personale që dërgojnë) dhe 110 Lidera që kanë strukturën e tyre të MLM. Komisionet variojnë nga minimum që është për të hequr shpenzimet mujore të një studenti, deri në komisione për familjarë që e kanë punë parësore dhe mbajnë familjen. Komisionet, pas 6 muajve punë intensive kanë arritur dhe shifrat që konkurrojnë në shpërblime rrogat më të mira në treg. Për mos të përmendur udhëtimet e shpeshta për të vizituar fabrikën në Stamboll ose pushime në një nga resortet më të mira në Turqi.

Pjesë e kompanisë janë mosha të ndryshme duke filluar nga studentët deri tek zonjat që janë në prag pensioni. Mund të them që rreth 5% janë meshkuj dhe pjesa tjetër janë femra. Më vjen mirë që shikoj rritje në pjesëmarrjen e meshkujve në MLM. E them me plot bindje që përkushtimi që kanë zonjat për të nxjerrë të ardhura shtesë për familjet e tyre është vërtetë frymëzues.

Gjeni një kompani dhe një produkt që ju frymëzon

Marinel Miti, LR

Është një aktivitet i fokusuar dhe i bazuar në bashkëpunimin dhe energjinë e njerëzve. Një sinergji e bazuar në rregulla shumë transparante ndërmjet rrjetit dhe kompanisë, që bashkëpunon. Çdo pjesëtarë i rrjetit është i pavarur.

Ai është një biznes me shumë avantazhe po edhe disa disavantazhet. Punon kur të duash, me kë të duash, si të duash dhe fiton sa të duash. Nuk ke shef dhe nuk je shef i dikujt. Të jep mundësinë të krijosh pavarësi financiare dhe liri. Avantazh janë edhe trajnimet dhe udhëtimet, zhvillimi personal dhe profesional, të gjitha këto me investim kapitali zero.

Mungesa e orarit të përcaktuar dhe mungesa e shefit mbi kokë, është edhe disavantazh sepse mund të mos shfrytëzohen mirë koha dhe liria. Kur investimi është zero, njerëzit nuk e marrin shumë seriozisht dhe këtë e marrin për të mirëqenë.

Në këtë sistem shitje mund të marrë pjesë çdo person mbi 18 vjeç dhe nuk kërkohet kualifikim. Kjo në vetvete është një super mundësi për të filluar, por nuk mjafton me kaq. Këtu mund të nisë edhe disavantazhi. Pra, njerëzit edhe pse s’janë të kualifikuar përpiqen të fitojnë para se të mësojnë mënyrën e komunikimit dhe atë çka përfaqësojnë.

Në atë që quhet Networker duhet të na përfaqësojnë disa vlera. Ato janë: Sinqeriteti – Besueshmëria – Pasioni – Buzëqeshja, pasi shitja në këtë lloj sistemi është një kënaqësi, është një buzëqeshje.

Shitja direkte ka efekte pozitive tek vetë rrjeti, pasi njerëzit në këtë sistem fillojnë trajnohen dhe krijojnë një mendësi bashkëpunimi. Suksesi yt është suksesi im.

Ky lloj sistemi rrit vetëbesimin dhe vetëvlerësimin tek të gjithë ata që bëhen pjesë dinamike dhe aktive e rrjetit dhe ne kemi shumë nevojë që të kemi sa më shumë njerëz pozitivë në shoqërinë tonë. Ata që janë trajnuar brenda dhe jashtë vendit fillojnë dhe mendojnë ndryshe. Rrjedhimisht veprojnë ndryshe. Duke vepruar ndryshe, sjellin rezultate të shkelqyera për veten e tyre, për familjen dhe për shoqërinë. Pra, japin një vlerë të shtuar në shoqëri, që po e them me një fjali: Puno, Shpërblehu dhe ji Modeli i suksesit sesi nga zero, mund të ndërtosh një aktivitet me investime zero. E vetmja gjë që kërkohet është të përmirësosh veten dhe të ndjekësh hapat e njerëzve të suksesshëm.

Kur e kam njohur si sistem e kam refuzuar për 2 arsye. Isha mësuar të fitoja lekë me formën klasike. Isha i punësuar në bankë. Arsyeja e dytë ishte se më trembte një biznes. Nuk kisha bërë asnjëherë biznes dhe mendova se duhet të investoj shumë dhe të kem një ide që nuk e ka askush. E kam filluar vetëm për 317.8 euro për të paguar një këst kredie.  Por, u dashurova me punën, me trajnimet dhe me mënyrën sesi operohej. Kam që në shkurt të vitit 2009. Për 3 vjet kam punuar part-time nga 1 -2 orë në ditë. Prej 1 majit 2012 dhe deri më sot gëzoj lirinë time kohore dhe pavarësinë financiare, duke punuar rreth 4 orë në ditë.

Takoj shumë njerëz, udhëtoj pothuajse çdo muaj. Bëj biznes edhe në vende të tjera të Europës me zero investim. Sigurisht, të gjitha këto kanë një kosto. Dhe kostoja më e madhe është: Sa i gatshëm je të ndryshosh veten tënde për të marrë ato që meriton nga jeta. Ky sistem ta jep mundësinë të punosh fort me veten.

Ndaj ftoj ata që më lexojnë të kthejnë vështrimin rreth aktiviteteve të tilla. Krijojini vetes tuaj dhe familjes një plan B për jetën dhe sigurinë tuaj. Gjeni një kompani që ka super produkt dhe super sistem motivimi dhe mos e mendoni 2 herë. Nëse nuk gjeni, mund të më kërkoni mua. Kam diçka shumë special që mund t’jua prezantoj.

Në kompaninë, që unë bashkëpunoj në Shqipëri janë përfshirë rreth 50, 000 njerëz. Shumica janë femra dhe një pjesë e vogël, meshkuj. Një miku im më thotë: Je me fat se gjithë kohes je në mes të femrave. Kujdes, e them që të fillojnë të punojnë edhe meshkujt. Shoqëria jonë ka nevojë dhe duhet të fillojë të ndryshojë si koncept mendësinë e të bashkëpunuarit midis femrave dhe meshkujve në nivele më të larta sesa jemi aktualisht.

Suksesi i një personi, është suksesi i personavë që ti fuqizon

Marco Fattorelli, përfaqësues i Byas

Network marketing funksionon dhe është një aktivitet normal, por për shumë përsona shihet si aktivitet i dorës së dytë. Pak njerëz e shohin si aktivitet parësor dhe kjo është arsyeja pse shumë dështojnë në botën e network marketing. Sistemi bazohet në rregullën e thjeshtë: produkti ose shërbimi që do të shitet shkon direkt tek nga ndërmarrja tek klienti përfundimtar, përmes një personi që është Partneri. Kjo ka një avantazh të madh: kosto shumë të ulëta për të hapur një aktivitet të ri. Një nga kushtet parësore është që partneri të jetë së pari edhe konsumator.

Avantazhi i dytë i Network marketing, janë taksat e ulëta. Janë vetëm taksat që paguan kompania.

Një prej avantazheve, njëkohësisht edhe disavantazh, është koha që vë në dispozicion, liria e përdorimit të saj. Nuk ke një orar fiks, ndaj duhet një sistem. Produkti është shumë i mirë, është koha që duhet të menaxhosh. Kur bëhet siç e bëj unë si profesionist që punoj 7 ditë të javës, me skuadrën time, rrjetet sociale, online, offline etj, sigurisht shpërblimi vjen.

Network marketing, është një projket jete, që duhet ta çosh përpara 3-4 vjet për të pasur një liri financeare. Në muajt e parë duhet të mësosh, të njohësh produktin, të formosh njerëzit, veten, të ndash njohuritë e t’i çosh drejt suksesit. E bukura e Network marketing është pikërisht kjo. Suksesi i një personi është suksesi i personave që ai ka mësuar, formuar. Sa më mirë janë bashkëpunëtorët e ty, aq më mirë ecën ti me sigurimin e të ardhurave. Ndaj qëllimi duhet të jetë jo të jesh i pasur dhe egoist, por i pasur falë të mirave që u ke bërë të tjerëve.

Për zhvillimin e këtij rrjeti shitjeje ka dy mënyra kryesore: 1-me profesionizëm dhe shumë besim dhe 2) të jesh ekspert, njohës i mirë i produktit, tregut, konkurrencës. Në rastin tim, të teknologjisë kozmetike, duhet të jesh i zoti të administrosh njerëz dhe të kesh besim të lartë. Nevojitet të bëhesh pikë referimi për produktin në zonën ku operon. Pjesa më e komplikuar e këtij aktiviteti është besimi dhe qëndrueshmëria. Duhet të jeni këmbëngulës në punë. Byas tashmë është në të gjithë Europën dhe në shumë vende të Botës. Duke qenë teknologji e kozmetikës unë jam i bindur që shitja direkte është forma më e mirë e shitjes. Me disa trajtime pajisja largon rudhat dhe celulitin, ndaj vlen prova konkrete para blerjes së pajisjes. Në Shqipëri jemi prej shtatorit dhe shohim një interes të lartë për kujdesin personal dhe estetik.

Kur lindën dhe si u zhvilluan kompanitë e shitjes direkte

Origjina e hershme e kësaj forme shitje vjen nga USA në 1855 Rev. James Robinson Graves themeloi Southwestern Publishing, e cila shiste libra të vegjël fetarë dhe materiale të tjera të printuara me anë të postës. Pas luftës civile ata ndryshuan modelin e shitjes direkte dhe filluan të shisnin derë më derë. Personat që bënin shitjet derë më derë merrnin të ardhura dhe paguanin shpenzimet e universitetit me to.

Krahas Southwestern, 2 kompani të tjera, të parat në përdorimin e modelit të shitjeve direkte ishin Avon 1866 dhe Nutrilite 1920, që më vonë u ble dhe është pjesë e Amway.

Personalitete të famshme, madje 2 presidentë të Amerikës,  Bill Klinton dhe Donald Trump, e kanë përgëzuar si sistem, pasi u jep mundësinë mijëra njerëzve që të ndërtojnë dhe fitojnë.

Në fillimet e saj të hershme ishte vetëm shitje direkte, çka tregon se individët merrnin komisione vetëm në bazë të shitjeve. Më pas në 1945 Nutrilite ishte e para kompani që zhvilloi modelin e MLM nga modeli i shitjeve direkte. Në 1945 kompania jepte komisione për shitjet dhe gjithashtu për rekrutimin e individëve të rinj që iu bashkuan kompanisë. Në vitet në vazhdim shumë kompani të tjera filluan të adaptonin planin e MLM pasi panë një rritje shumë të shpejtë në modelin e biznesit.

Network marketing ka një efekt social të fortë. Studimet tregojnë se mbi 85% e popullsisë ka provuar të bëjë network. Kjo jep shpresë pasi njerëzit jetojnë në këtë rrjet me shpresën për të ndryshuar. Njerëzit ndryshojnë jetë. Në nivelin e lartë të shpresës ka edhe zhgënjim, pasi edhe në këtë treg mund te ketë sharlatanë, që premtojnë sigurimin e miliardave shumë shpejt. Statistikat tregojnë se 2% e rrjetit bëhen të pasur, 5% janë me të ardhura mesatare, të tjerë mund të heqin dorë, ose ndryshojmë. Kush ia arrin, është ai që e merr si aktivitet të mirëfilltë.

Ndër vendet më të forta të Network marketing është Amerika. Kjo për shkak se shumë vetë atje e shohin si aktivitet parësor. Në Europë, si Francë, Gjermanië, së fundi edhe Poloni, shihet si një sistem rritje.

Foletto lindi në Gjermani para luftës së Dytë Botërore. Herbalife po ashtu është një ndërmarrje që ka bërë histori në Network marketing. Nuk kishte një ligj për të rregulluar tregun, pra vetë kompanitë punuan, ndërtuan dhe ngritën sistemin.

Si zhvillohet një rrjet i tillë shitjesh? Na shpjegon Marçela Kapo

Pas bashkimit (regjistrimit = 0 kosto) me kompaninë, individët duhet:

  • T’i vendosin vetes një qëllim specifik. Më duhen X lekë ekstra në muaj. Më duhet të bëj lekët për pushimet verore, të nxjerr shpenzimet e kafes gjatë ditës etj. Të gjitha qëllimet variojnë nga personi në person. Secili nga ne ka nevoja të ndryshme. Një person tjetër dëshiron thjesht të nxjerrë shpenzimet mujore në detergjentë falas për familjen.
  • Bëni një plan specifik 3 mujor për ta ndjekur hap pas hapi. Është shumë i rëndësishëm planifikimi 3 mujor sapo keni filluar biznesin. Me personin që do të marrë përsipër trajnimin tuaj, duhet bërë një plan specifik sipas nevojave tuaja për të patur të ardhura ekstra. Nëse vlera është e vogël ju mund t’ju duhen vetëm 3 orë në javë për t’u marrë, në të kundërt mund të variojnë nga 1 orë në ditë deri në maksimumi 3 orë në ditë. Gjithashtu merrni të gjitha trajnimet e duhura mbi produktet dhe mundësitë që kompania ofron falas për çdo person që bashkohet.
  • Çdo ditë takoni minimumi 2 persona për t’i folur për mundësinë e biznesit që sapo filluat. Nëse do të bënim një llogari të thjeshtë për planin 3 mujor, 180 njerëz do të kenë dëgjuar mundësinë që po ofroni në këtë muaj. Le të marrim një përqindje minimale suksesi prej 20%, domethënë që 36 njerëz do t’i jenë shtuar grupit tuaj vetëm në 3 muaj. Patjetër që jo domosdoshmërisht çdo ditë duhet të jeni takuar njerëz. Ka ditë që mund të jetë zero dhe ka ditë që mund të jenë më shumë se 2 (çdo gjë varet si e keni planifikuar ditën).

Nëse ndiqen me përpikmëri 3 pikat e mësipërme do të shikoni që brenda 3 muajve do të keni ndërtuar një biznes që ju sjell të ardhura të kënaqshme. E thamë dhe më sipër, 2 pikat kyçe nga të cilat merrni komisione janë rekrutimi i njerëzve dhe shitja nga grupi që keni rekrutuar. Patjetër që gjatë gjithë kësaj periudhe e në vazhdim, ju do të keni mbështetjen e kompanisë me trajnime gjatë gjithë kohës si dhe informacionin e duhur në kohë.

  • Rekomandoni produktet në të cilat ju vetë besoni. Nëse rekomandimi vjen nga përdorimi juaj personal ose i personave që keni afër, atëherë biznesi juaj do të jetë një sukses më vete.

Artikulli u publikua më parë në faqen 38 të numrit 23 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 23 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0