Në 20-vjetorin e tij, Reddit mbron të dhënat dhe përballet me AI-në përmes AI-së - Business Magazine Albania

Në 20-vjetorin e tij, Reddit mbron të dhënat dhe përballet me AI-në përmes AI-së

Në 20-vjetorin e tij, Reddit mbron të dhënat dhe përballet me AI-në përmes AI-së

Prej dy dekadash, Reddit ka qenë e njohur si “faqja e parë e internetit”(the front page of the internet). Por sot, me përhapjen masive të inteligjencës artificiale, ky pozicion historik vihet seriozisht në pikëpyetje.

Ndërsa rrjetet sociale të dikurshme si MySpace, Digg apo Flickr kanë dalë jashtë loje, Reddit ka mbijetuar dhe është forcuar, duke mbledhur mbi 108 milionë përdorues aktivë çdo ditë, të cilët ndërveprojnë në më shumë se 100 mijë komunitete tematike. Ajo që e bën unike është fakti që komunikimi në Reddit mbetet kryesisht tekstual, i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe i fokusuar në pasione të përbashkëta. Por në epokën e AI-së, këto biseda të pasura të gjeneruara nga vetë përdoruesit janë bërë një “thesar i lakmuar” nga platformat e inteligjencës artificiale. Shfaqja e chatbot-ëve si ChatGPT i OpenAI, Claude i Anthropic dhe Gemini i Google ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit kërkojnë informacion në internet. Në vend që të vizitojnë faqe si Reddit, gjithnjë e më shumë përdorues i drejtohen chatbot-ëve për përgjigje të menjëhershme – dhe kjo e vë Reddit përballë një sfide të madhe për të ruajtur trafikun dhe për të tërhequr përdorues të rinj. CEO i Reddit, Steve Huffman, e pranon rrezikun, por edhe e sheh si një mundësi. Ai beson se forca e platformës qëndron pikërisht tek autenticiteti i përmbajtjes së krijuar nga përdoruesit. “Do të ketë gjithmonë nevojë që njerëzit të flasin me njerëz,” tha ai në një podcast të fundit. “Dhe aty do të përqendrohemi.” Megjithatë, ekspertët thonë se shumë përdorues sot kërkojnë rrugën më të lehtë – dhe ajo është pikërisht një chatbot që jep një përgjigje të shkurtër dhe të menjëhershme. “Njerëzit nuk duan të klikojnë. Ata duan vetëm përgjigjen,” shprehet konsulentja e marketingut, Ann Smarty.

Lexo edhe:Kur sulmi nuk vjen me armë, por me klikime: A është Shqipëria gati për “luftën” kibernetike të së ardhmes?

Reddit në gjyq për mbrojtjen e të dhënave

Për të mbrojtur këtë aset të vyer, Reddit ndërmori një hap të paprecedentë: paditi kompaninë Anthropic, duke e akuzuar për përdorim të paautorizuar të të dhënave të saj për trajnimin e AI-së. Në vend që të bazohej në shkeljen e të drejtave të autorit – siç kanë bërë autorë librash ndaj kompanive si Meta,  Reddit po argumenton se këto janë praktika të padrejta tregtare, pasi përfitimi nga të dhënat e komunitetit bëhet pa miratim dhe pa kompensim. “Përdorimi komercial kërkon marrëveshje komerciale,” tha Huffman. “Nëse përdor diçka për biznes, duhet të paguash për të.” Reddit ka marrëveshje të ligjshme me kompani si Google dhe OpenAI për licencimin e të dhënave, por akuzon Anthropic për “përdorim të fshehtë dhe pa leje”, që sipas padisë, cenon edhe kontratat me vetë përdoruesit. Ekspertët e pronësisë intelektuale theksojnë se rasti mund të jetë i fortë, pasi të dhënat e platformave sociale kanë vlera të mëdha tregtare – përfshirë mundësinë për t’u licencuar, duke ruajtur njëkohësisht privatësinë e përdoruesve.

Kundërpërgjigjja: AI i ndërtuar nga Reddit

Por Reddit nuk mjaftohet vetëm me padinë. Në dhjetor të vitit të kaluar, kompania lançoi Reddit Answers, një chatbot i ndërtuar me teknologji nga OpenAI dhe Google, që jep përgjigje bazuar vetëm në përmbajtjen e vet Reddit-it. Dallimi? Ky chatbot nuk përmbledh faqet e të tjerëve, por i çon përdoruesit direkt te komentet origjinale në subreddit, duke rritur transparencën dhe vlerën e komunitetit. Aktualisht, mbi 1 milion përdorues e përdorin këtë mjet çdo javë. Huffman e përshkruan këtë shërbim si “më të mirën nga të dy botët” – fuqinë e AI-së të kombinuar me pasurinë e përvojës njerëzore që vetëm Reddit ofron.

Një platformë me potencial të lartë tregtar

Pavarësisht sfidave, analistët mbeten optimistë për rolin e Reddit në tregun e reklamave. “Përdoruesit në Reddit nuk janë thjesht duke lundruar rastësisht. Ata kërkojnë informacion për produkte apo shërbime konkrete, si raketa tenisi apo resortet e skive,” tha analisti Aaron Kessler. “Kjo tregon një qëllim të qartë blerjeje, një sinjal i fortë për reklamuesit.” Në një kohë kur platformat sociale po përballen me tranzicione të mëdha, Reddit po pozicionon veten si një burim autentik, i besueshëm dhe gjithnjë e më i rëndësishëm në ekosistemin e të dhënave, madje edhe në epokën e dominimit të AI-së.

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0