Ndryshon procedura e apelimit për bizneset që nga 1 Janari 2017 - Business Magazine Albania

Ndryshon procedura e apelimit për bizneset që nga 1 Janari 2017


Për shkak të ndryshimeve në ligjin e procedurës tatimore që nga 1 Janari i vitit 2017, bizneset do të ndjekin një rrugë të re për të apeluar vendimet e Administratës Tatimore ndaj tyre. Tani ankimimi bëhet tek Ministria e Financave, pranë Drejtorisë së Apelimit Tatimor, e cila më parë ishte në varësi në Drejtorisë së Përgjitshme të Tatimeve.

Dokumentat për t’u ankimuar:
-Duhet të kesh një dokument (të dërguar nga administrata tatimore) i cili prek interesat e tatimpaguesit (lexo më poshtë se çfarë mund të jetë ky dokument).
-Të ankohesh brenda 1 muaji nga marrja në dijeni për aktin administrativ që të ka dërguar administrata tatimore.
-Brenda këtij muaji duhet të paguash ose të vendosësh garanci bankare për detyrimet që përmban njoftimi i vlerësimit së bashku me kamatëvonesat deri në datën e pagesës. Gjobat, as nuk parapaguhen e as vihet garanci.
-Kujdes: Pa këto dokumenta, Drejtoria e Apelimit e refuzon ankimin.

Përse mund të ankoheni:
-Për çdo “Njoftim-vlerësimi për detyrimet tatimore” që ju ka dërguar administrata tatimore dhe ju e gjykoni të padrejtë.
-Çdo akt tjetër administrativ që ndikon detyrimin tatimor të tatimpaguesit, përfshirë edhe kërkesën për kompensim.
-Çdo akt që ndikon në kërkesën për rimbursim të tatimpaguesit.
-Çdo akt që ndikon në kërkesën e tatimpaguesit për lehtësim tatimor.
-Mund të ankimohen gabimet e bëra nga administrata në llogaritjen e përqindjes së kamatëvonesës.
-Vendosjen ose gabimet në llogaritjen e shumave dhe llojeve të ndryshme të gjobave.
-Ankimi mund të bëhet edhe kundër një mosveprimi, të administratës tatimore që ndikon në detyrimin tatimor të tatimpaguesit.
-Kujdes, nuk mund të ankimohen masat administrative që kanë të bëjnë me masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore si urdhër bllokimi i llogarive bankare; njoftim dhe kërkesë për të paguar; njoftimi për palë të treta dhe aktet administrative që lidhen me konfiskimin e mallrave.

Dokumentat që duhen dërguar në Drejtorinë e Apelimit për ankimin:
-Kërkesën me shkrim ku të përshkruajë pretendimet e tij. Në këtë kërkesë duhet të shënohen emri dhe adresa e tatimpaguesit; numri i regjistrimit të tatimpaguesit (NIPT-i) dhe në mbyllje të saj e nënshkruan.
-Aktin administrativ të nxjerrë nga administrata tatimore.
-Vërtetimin e pagesës së detyrimit dhe kamatëvonesave (urdhër-pagese i kaluar në bankë). Në mungesë të pagesës, garanci bankare ku të përfshihen detyrimet+ kamatëvonesat.
-Informacione në mbështetje të ankimit si raporte kontrolli, proces-verbale, akte-konstatimi etj.
-Çdo dokument tjetër që ankimuesi e çmon të rëndësishme se ndihmon zgjidhjen e drejtë të çështjes.

Si dërgohet ankimi në Drejtorinë e Apelimit?
Ankimi mund te dorëzohet dorazi ose dërgohet me postë rekomande. Datë e marrjes se ankimimit nga Drejtoria e Apelimit Tatimor konsiderohet data e protokollimit për ankimet e dorëzuara dorazi dhe data e dorëzimit në postë kur ankimi bëhet nëpërmjet postës.

Kujdes! Tatimpaguesi, në dokumentat që dorëzon për ankim, duhet të vërtetojë datën e marrjes së aktit administrativ, objekt ankimi. Si provë, mund të shërbejë kopja e zarfit nëpërmjet të cilit është dërguar ankimi pranë tatimpaguesit, kopja e regjistrimit të dorëzimit të objekteve postare nga zyra postare etj.

Disa çështje që duhen mbajtur parasysh gjatë apelimit:
Drejtoria e Apelimit gjatë shqyrtimit mund të kërkojë dokument shtesë dhe tatimpaguesi është i detyruar t’i përgjigjet kërkesës. Barra e provës për të vërtetuar të kundërtën e vlerësimit të administratës tatimore i takon tatimpaguesit. Në rast se tatimpaguesi e ka humbur afatin e ankimit, ai duhet të argumentojë dhe provojë me dokumentacionin e nevojshëm se humbja e afatit të ankimit nuk është për faj të tij.

Mbas rivendosjes në afat, ankimi duhet bërë mbas 15 ditësh e jo pas 1 muaji sikurse ishte pa e humbur këtë afat. Në rast se tatimpaguesi ka dëshirë të dëgjohet edhe me gojë, ai mund ta kërkojë këtë në ankimin e vet.

Më hollësisht mund të lexoni bazën ligjore të ankimit: Ligji 9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” nga neni 106 deri tek neni 110. Udhëzimi i Ministrit të Financave nr. 24 datë 02.09.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” nga paragrafi 106 deri tek paragrafi 110.

Burimi: acp.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0