Ndjesia që ndien pas përfundimit të një libri të jashtëzakonshëm nuk është thjesht imagjinatë, ajo ka një shpjegim shkencor. Lexuesit shpesh përjetojnë një trishtim të thellë dhe një mall për personazhe që nuk kanë ekzistuar kurrë, ndjesi e njohur si “hangover” i librave.
Ky fenomen emocional ngjan me një gjendje fizike të pakëndshme pas konsumimit të tepërt të alkoolit, ndjenjë humbjeje, mendime të trazuar dhe nevoja për reflektim. Personazhet dhe botët që kemi ndjekur lënë një boshllëk, që psikologët e shpjegojnë si humbje të diçkaje me vlerë.
Maja Djikic, profesoreshë në Universitetin e Torontos, shpjegon se lexuesi mbetet i përfshirë emocionalisht: “Çështjet qendrore që ngre libri mbeten aktive në psikikën e lexuesit, dhe ai dëshiron më shumë kohë për të reflektuar dhe për të zbërthyer kompleksitetet që vazhdojnë ta shqetësojnë.”
Si ta përballosh “hangover”-in e librave:
Nis një libër të ri: Zhytu në historinë e një personazhi tjetër për të rikthyer emocionet e leximit.
Fol me të tjerët: Diskuto librin me një mik, grup leximi ose komunitet online për të ndarë emocionet dhe për të gjetur ngushëllim.
Shkruaj mendimet dhe ndjenjat: Mbaje një ditar leximi ose platformë online për të reflektuar mbi përvojën dhe për të nderuar librat që ke dashur më shumë.
Pra, dhimbja pas përfundimit të një libri është normale dhe madje një tregues i lidhjes së fortë që kemi krijuar me historinë dhe personazhet. Një “hangover” letrar që tregon se ke dashur me të vërtetë atë botë.