Ndërron jetë një ndër CEO-t e Samsung Electronics, Han Jong-Hee - Business Magazine Albania

Ndërron jetë një ndër CEO-t e Samsung Electronics, Han Jong-Hee

Ndërron jetë një ndër CEO-t e Samsung Electronics, Han Jong-Hee

Han Jong-Hee,  një ndër CEO-t e Samsung Electronics, ka ndërruar jetë ditën e martë si pasojë e një arresti kardiak, bëri të ditur një zëdhënës i gjigantit teknologjik koreano-jugor. Han ishte 63 vjeç.

I lindur në vitin 1962, Han kishte qenë në krye të sektorit të elektronikës së konsumatorit dhe pajisjeve mobile të Samsung që nga viti 2022. Po atë vit, ai u emërua edhe zëvendëskryetar dhe CEO i kompanisë. Bashkë-CEO i tij, Jun Young-Hyun, u emërua javën e kaluar në këtë post dhe tashmë do të mbajë rolin e vetëm si drejtues i kompanisë pas vdekjes së Han. Në një mesazh të brendshëm që u sigurua nga CNN, Samsung i bëri homazhe Han Jong-Hee, duke theksuar se ai kishte kontribuar për më shumë se 37 vite në drejtimin e sektorit të televizorëve të kompanisë, duke e kthyer atë në një lider global. Si drejtues i degëve të elektronikës dhe pajisjeve shtëpiake, ai luajti një rol kyç edhe në rritjen e kompanisë në një kohë sfiduese për tregun.

“Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen dhe të afërmit e tij në këtë kohë të vështirë,” thuhej në mesazh.

Lexo edhe:“Pronar.al” – Startup-i shqiptar që po sfidon mënyrën tradicionale të shitjes së pronave

Samsung është përballur me sfida të mëdha gjatë viteve të fundit. Në sektorin e çipave logjikë, kompania ka mbetur pas në krahasim me liderin e industrisë, Taiwan Semiconductor Manufacturing Company (TSMC), si për sa i përket prodhimit të çipave më të avancuar, ashtu edhe në sigurimin e klientëve të mëdhenj. Në sektorin e çipave të memories – një fushë ku Samsung ka pasur gjithmonë avantazh – analistët thonë se kompania është lënë pas nga rivali korean, Hynix, sidomos në teknologjinë e memories me gjerësi të lartë bande (HBM), e cila është thelbësore për procesorët grafikë të kompanive si Nvidia.

Gjatë një takimi vjetor me investitorët javën e kaluar – që u drejtua nga Han – ai kërkoi ndjesë për performancën e aksioneve të Samsung dhe paralajmëroi për një vit 2025 të vështirë për shkak të pasigurive rreth politikave ekonomike të fuqive të mëdha. Ai shtoi se Samsung do të kërkojë marrëveshje “domethënëse” për bashkime dhe blerje këtë vit për të mbështetur rritjen e kompanisë.

“Ka vështirësi për të realizuar marrëveshje M&A në fushën e çipave për shkak të çështjeve rregullatore dhe interesave kombëtare, por ne jemi të vendosur të arrijmë rezultate konkrete këtë vit,” ishte shprehur ai.

Han iu bashkua kompanisë në vitin 1988, pasi përfundoi studimet bachelor në inxhinieri elektrike në Universitetin Inha. Përpara se të merrte drejtimin e sektorit të pajisjeve elektronike të Samsung, ai kishte qenë përgjegjës për operacionet në fushën e ekraneve.

Sipas një biografie të publikuar nga kompania javën e kaluar, Han ishte një figurë “qendrore” në lançimin e televizorëve LED të Samsung, një nga inovacionet që ndihmuan kompaninë të ruajë lidershipin teknologjik në treg.

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0