Kur Nasi Kajana u largua nga Tirana gati tridhjetë vjet më parë, ai besonte se po shkonte në Amerikë vetëm për shkollë. Ishte 18 vjeç, nga një vend i vogël i ish-bllokut lindor që sapo kishte hapur kufijtë pas dekadash izolimi, dhe plani i tij ishte i thjeshtë — të studionte në High Point University në Karolinën e Veriut dhe më pas të kthehej në vendlindje. Por historia kishte plane të tjera për të.
Në mesin e viteve ’90, kur Shqipëria u përfshi nga kaosi dhe mijëra njerëz u larguan nga vendi në çdo mënyrë të mundshme, Kajana vendosi të qëndronte në Shtetet e Bashkuara. Ajo që nisi si një udhëtim i përkohshëm u kthye në një histori të vërtetë qëllimi, sakrifice dhe transformimi. “Nuk e kisha menduar kurrë se do të merresha me biznes” tha ai për The Buckley Report në FOX8 News. “Kam studiuar për të qenë humanitar dhe këtë e kam bërë për disa nga vitet e para të jetës sime.” Në ato vite të hershme, Kajana iu përkushtua ndihmës për njerëzit në nevojë. Ai punoi me familje të zhvendosura nga fatkeqësi natyrore, përfshirë viktima të Uraganit Katrina, të cilëve u ndihmoi të gjenin shtëpi dhe të nisin jetën nga e para në Karolinën e Veriut. “Ka mënyra efektive për të ndihmuar njerëzit” tha ai. “Gjithmonë do të jetë kështu.” Por në vitin 2004, jeta e tij mori një kthesë tjetër. Së bashku me një partner tjetër emigrant, ai bleu një ndërtesë të vogël në rajonin Piedmont të Karolinës së Veriut. Nuk kishte pajisje për pjekje, as staf, as shumë mjete — vetëm një ide dhe një ëndërr. “E nisëm duke importuar kafe nga Italia. Ishte vetëm espresso” kujton Kajana.
Lexo edhe: Çfarë do të thotë inteligjenca artificiale për rritjen ekonomike dhe punësimin?
Kjo fillesë modeste u shndërrua në Fortuna Coffee, një kompani që sot renditet ndër furnitorët më të mëdhenj me shumicë të kafesë në juglindje të Shteteve të Bashkuara. Nga selia e tyre në Karolinën e Veriut, ata dërgojnë produkte deri në Kaliforni dhe Washington State — më shumë se 3,500 artikuj të destinuar për kafene në mbarë vendin. Vizion i Kajanës, megjithatë, shkon përtej kafesë. Ekipi i tij projekton kafene të plota — nga plani arkitektonik deri te rrjedha e punës — përmes konceptit që ata e quajnë “One Stop Coffee Shop.” Ajo që filloi si një biznes i vogël importi, sot është një ekosistem i plotë kafeje që punëson rreth 50 persona, me plane për t’u dyfishuar në të ardhmen e afërt. Edhe pse suksesi i tij është ndërtuar në Amerikë, historia e Kajanës mbetet e lidhur ngushtë me përvojën e tij si emigrant dhe me rrënjët shqiptare. “Ekziston një lloj stigme. Ka njerëz të mirë e të këqij kudo” thotë ai. “Por nëse e heqim emigrantin nga ekuacioni i Amerikës, është njësoj si të heqim vetë Amerikën nga Amerika.”
Për Kajanën, të bëhesh qytetar amerikan nuk është thjesht një dokument apo një flamur, është ndjenja e përkatësisë, e mirënjohjes dhe e përpjekjes që ndërtohet me vite. “Kur emigrantët bëhen amerikanë, shihni lotët, gëzimin dhe emocionin në atë sallë” tha ai. “Nuk është vetëm një copë letër. Është një mënyrë jetese që ka pritur gjatë në radhë.” Nga brigjet e Adriatikut deri në zemrën e Karolinës së Veriut, rrugëtimi i Nasi Kajanës është një histori e vërtetë për rindërtimin — për kthimin e vështirësive në mundësi dhe të ëndrrave në realitet, një filxhan kafe në çdo hap.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.