Çfarë do të thotë inteligjenca artificiale për rritjen ekonomike dhe punësimin? - Business Magazine Albania

Çfarë do të thotë inteligjenca artificiale për rritjen ekonomike dhe punësimin?

Nga Philippe Aghion, Simon Bunel dhe Xavier Jaravel*– Me gjithnjë e më shumë biznese që po eksperimentojnë me inteligjencën artificiale (IA) dhe po shqyrtojnë mënyrën se si ajo mund të rrisë fitimet, debatet mbi ndikimin e saj te punëtorët janë intensifikuar. Në Shtetet e Bashkuara, mospërputhja mes vlerësimeve rekord të tregjeve financiare dhe rënies së vendeve të punës (jo-bujqësore) ka nxitur narrativat mediatike për “shkatërrimin teknologjik” të vendeve të punës.

Gati çdo javë shfaqen lajme të reja për kompani që përdorin IA për detyra të punës administrative dhe profesionale, sidomos ato që zakonisht kryhen nga të sapodiplomuarit ose punonjësit e niveleve të ulëta. Sipas një raporti të Komitetit të Senatit Amerikan për Shëndetësinë, Arsimin, Punën dhe Pensionet, IA dhe automatizimi mund të zhdukin gati 100 milionë vende pune në SHBA gjatë dekadës së ardhshme.

Disa ekonomistë të njohur paralajmërojnë se revolucioni i inteligjencës artificiale mund të ketë efekte të moderuara në rritjen e produktivitetit, por ndikim të qartë negativ në punësim, për shkak të automatizimit të shumë detyrave dhe profesioneve.

Ne nuk biem dakord me këtë përfundim. Studimet tona tregojnë se situata është më komplekse dhe shumë më pak dramatike se sa sugjerojnë këto skenarë pesimistë. IA ndikon në rritjen e produktivitetit përmes dy kanalesh kryesore: automatizimit të prodhimit të mallrave dhe shërbimeve, si dhe automatizimit të krijimit të ideve të reja.

Në një studim mbi përdorimin e IA gjenerative nga agjentët e shërbimit ndaj klientit në një kompani amerikane software, Erik Brynjolfsson dhe bashkëautorët e tij zbuluan se produktiviteti i punonjësve me akses në asistent IA u rrit me 14% në muajin e parë dhe u stabilizua në një nivel 25% më të lartë pas tre muajsh. Një tjetër studim gjeti përmirësime të ngjashme te punonjësit e njohurive, me përfitime më të mëdha për ata me produktivitet më të ulët, duke reduktuar kështu pabarazitë brenda kompanive.

Lexo edhe: A po qeveris Donald Trump si një mbret?

Në nivel makroekonomik, ne (Aghion dhe Bunel) kemi analizuar dy mënyra për të vlerësuar ndikimin e IA në rritjen potenciale të dekadës së ardhshme. Në qasjen e parë, e krahasuam revolucionin e IA me revolucione teknologjike të mëparshme; në të dytën, u mbështetëm në modelin e ekonomistit Daron Acemoglu mbi “automatizimin e detyrave”.

Rezultatet tona tregojnë se IA mund të rrisë produktivitetin agregat me 0.8 deri në 1.3 pikë përqindje në vit gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Sipas përllogaritjeve të tjera, rritja mund të variojë nga 0.07 deri në 1.24 pikë përqindje, me një mesatare prej 0.68 – shumë më e lartë se vlerësimi i Acemoglu prej 0.07 pikësh.

Këto vlerësime, megjithatë, mund të jenë të ulëta, pasi nuk përfshijnë potencialin e IA për të automatizuar vetë procesin e inovacionit. Nga ana tjetër, ato nuk marrin parasysh pengesat që mund të frenojnë rritjen, si mungesa e konkurrencës në zinxhirin e vlerës së IA, i cili tashmë dominohet nga gjigantët digjitalë.

Sa i përket ndikimit në punësim, një studim mbi të dhënat e ndërmarrjeve franceze (2018–2020) tregon se adoptimi i IA lidhet pozitivisht me rritjen e punësimit dhe të shitjeve. Ky rezultat përputhet me gjetjet e shumicës së studimeve që tregojnë se automatizimi, në vend që të zëvendësojë punëtorët, shpesh ndihmon kompanitë të rriten e të kërkojnë më shumë fuqi punëtore.

Efekti pozitiv i produktivitetit, sipas të dhënave, është më i fortë se efektet zhvendosëse të IA, madje edhe për profesione që konsiderohen të rrezikuara nga automatizimi si kontabiliteti, telemarketingu apo sekretaria. Megjithatë, ndikimi ndryshon sipas përdorimit: IA e aplikuar në sigurinë digjitale shton vende pune, ndërsa ajo në proceset administrative ka efekte të lehta negative.

Në përgjithësi, rreziku më i madh për punëtorët nuk është që IA t’i zëvendësojë drejtpërdrejt, por që ata të humbasin vendin përballë konkurrentëve që përdorin IA në kompani të tjera. Ngadalësimi i adoptimit të IA do të ishte në fakt kundërproduktiv për punësimin vendas, pasi firmat do të përballeshin me konkurrencë ndërkombëtare nga përdoruesit e IA.

Për të siguruar që IA të sjellë rritje dhe punësim, politikat publike duhet të përshtaten. Së pari, rregullat e konkurrencës duhet të parandalojnë që kompanitë “superyje” të mbytin inovacionin. Së dyti, duhet inkurajuar përdorimi i IA nga ndërmarrjet e vogla përmes qasjes më të gjerë në të dhëna dhe kapacitete kompjuterike. Dhe së treti, arsimimi cilësor dhe programet e trajnimit do të jenë kyçe për t’i pajisur punëtorët me aftësitë e reja që kërkon ekonomia digjitale.

Revolucioni i ardhshëm teknologjik ka nisur tashmë. E ardhmja e ekonomive kombëtare do të varet nga gatishmëria dhe aftësia e tyre për t’u përshtatur me të.

*Philippe Aghion, fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi 2025, është profesor në Collège de France dhe London School of Economics, si dhe bashkëpunëtor në Centre for Economic Performance.
Simon Bunel është ekonomist në Banque de France.
Xavier Jaravel është profesor ekonomie në London School of Economics.

Të drejtat e autorit: Project Syndicate, 2025 / www.project-syndicate.org

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0