NASA dhe Elon Musk në garë, kush do e çojë i pari njeriun në... - Business Magazine Albania

NASA dhe Elon Musk në garë, kush do e çojë i pari njeriun në Mars?

A është Marsi stacioni i ardhshëm i njerëzimit? Kur vizionari Elon Musk dhe agjencia amerikane NASA flasin për të ardhmen, fjala “Marsi” nuk është më një koncept fantastiko-shkencor, por një objektiv i matshëm dhe mjaft sfidues.

Musk, themeluesi i SpaceX dhe njeriu më i pasur në botë, ka deklaruar se kompania e tij mund të dërgojë njerëz në Mars që në vitin 2029. NASA është më e matur në premtime, duke vlerësuar se një mision i tillë mund të realizohet jo më herët se 2040, një objektiv që e konsideron “i guximshëm”. Ndërkohë, edhe Kina nuk rri pas,  vendi synon të krijojë një stacion kërkimor të pavarur në Mars deri në vitin 2038.

Lexo gjithashtu: Eurostat/Shqipëria kryesoi Europën gjatë 2024-ës me gati gjysmën e popullsisë në varfëri

Por përse gjithë kjo garë për të arritur në planetin e kuq?

Sipas Musk, kolonizimi i Marsit është një formë sigurimi për mbijetesën e njerëzimit, përballë kërcënimeve gjithnjë në rritje që i kanosen Tokës, fatkeqësive natyrore, ndryshimeve klimatike, apo edhe konflikteve të mundshme globale. Për komunitetin shkencor, Marsi është gjithashtu një çelës për të kuptuar më mirë origjinën e jetës.

“Tokë dhe Mars dikur ishin planete motra,” shpjegon Robert Zubrin, president i organizatës The Mars Society. “Të dy ishin shkëmborë, me ujë të lëngshëm dhe atmosferë të pasur me CO₂. Nëse teoria që jeta lind natyrshëm nga kimia është e vërtetë, atëherë ajo duhet të ketë lindur edhe në Mars.”

Por realiteti është shumë më kompleks se sa një deklaratë e ndritshme vizionare.

Një rrugëtim i mbushur me rreziqe

Për të dërguar njerëz në Mars, teknologjia duhet të përballojë sfida që s’janë hasur kurrë më parë. Udhëtimi drejt planetit të kuq zgjat rreth 6 deri në 9 muaj, dhe astronautët do të përballen me një ambient ekstremisht të dëmshëm për trupin e njeriut.

“Problemi i uljes në Mars është shumë i ndërlikuar. Udhëtimi vetë është edhe më kompleks. Rrezatimi është një kërcënim serioz. Sistemet e mbijetesës duhet të jenë të jashtëzakonshme për nga besueshmëria. Duhet të përmirësohemi në çdo aspekt,” thotë Amit Kshatriya, një nga drejtuesit e programit të NASA-s “Nga Hëna në Mars”.

Lexo gjithashtu: Zyrtare/ Nga 1 qershori nis zbatimi i marrëveshjes për pensionet me Italinë

Ylli i misionit, Starship

Në qendër të vizionit të Elon Musk qëndron Starship, raketa më e fuqishme dhe më e madhe e ndërtuar ndonjëherë. Në muajin mars, SpaceX realizoi fluturimin e tetë testues të Starship. Ndërsa raketa arriti të rikthejë me sukses pjesën e parë të saj, pjesa kryesore shpërtheu, duke lënë pas një rrugë me mbetje dhe duke shkaktuar vonesa në fluturimet komerciale.

Megjithatë, testet vijojnë, dhe fluturimi tjetër i Starship pritet së shpejti. SpaceX është i vetmi subjekt privat që përpiqet seriozisht të shndërrojë udhëtimin drejt Marsit në një realitet.

Si do të jetë jeta në Mars?

Për të kuptuar më mirë se si mund të jetë jeta në Mars, CNBC vizitoi Mars Desert Research Station në Utah, një bazë kërkimore që simolon kushtet e jetesës në planetin e kuq. Ekspertët atje theksojnë se përveç teknologjisë, psikologjia dhe përgatitja e astronautëve do të jenë çelësa për të jetuar në një planet të huaj.

Nga teoria tek praktika, rruga për në Mars është ende e gjatë, por jo më e pamundur. Duket se sfida më e madhe nuk është vetëm distanca, por vendosmëria për të ndërtuar një kapitull të ri të historisë njerëzore.

A do jetë Marsi shtëpia jonë e dytë? Historia po shkruhet tani.

CNBC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0