Multivitaminat ndihmojnë kujtesën në mënyrë surprizuese! - Business Magazine Albania

Multivitaminat ndihmojnë kujtesën në mënyrë surprizuese!

Multivitaminat ndihmojnë kujtesën në mënyrë surprizuese!

Multivitaminat kanë qenë gjithmonë subjekt i debatit. Ndërsa disa studime kanë treguar përfitime të vogla në uljen e rrezikut nga kanceri apo sëmundje të tjera, të tjera nuk kanë gjetur ndonjë ndikim të madh në ruajtjen e shëndetit të zemrës apo trurit. Disa ekspertë madje i kanë quajtur “urina të shtrenjta”, duke vënë në dyshim vlerën e tyre të vërtetë.

Por një studim i fundit i publikuar në revistën shkencore American Journal of Clinical Nutrition, realizuar nga studiues në Harvard Medical School dhe Columbia University, sjell lajme më të mira: një multivitaminë e përdorur çdo ditë mund të ndihmojë në përmirësimin e kujtesës dhe të ngadalësojë rënien e funksioneve njohëse që vjen me moshën.

Studimi, i mbështetur nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA dhe financuar pjesërisht nga Mars Edge (që siguroi platformën për testet dixhitale) dhe Pfizer Consumer Healthcare (tani Haleon), përfshiu më shumë se 3,500 persona mbi 60 vjeç. Pjesëmarrësit u ndanë në mënyrë rastësore në dy grupe: njëri mori çdo ditë multivitaminën Centrum Silver, një produkt i zakonshëm që gjendet në çdo farmaci, ndërsa grupi tjetër mori placebo (pilula të padëmshme). Sipas studiuesve, kompanitë nuk morën pjesë në mbledhjen apo analizimin e të dhënave.

Pas një viti përdorimi të përditshëm të multivitaminave, grupi që i konsumoi tregoi përmirësim në aftësinë për të rikujtuar menjëherë informacione, krahasuar me fillimin e studimit  dhe performanca ishte dukshëm më e mirë sesa grupi placebo. Ky përmirësim vazhdoi edhe gjatë dy viteve të tjera, edhe pse nuk u shtua më tej. Megjithatë, efektet pozitive nuk u vërejtën në aspekte të tjera njohëse, si aftësia për arsyetim apo menaxhimi ekzekutiv.

LEXO EDHE: Studimi: Shokët e ngushtë mund të jenë të ngjashëm nga ana gjenetike me njëri tjetrin!

Një studim tjetër nga i njëjti ekip kërkimor, me rreth 2,200 pjesëmarrës mbi 60 vjeç, tregoi përfitime më të gjera në funksionet njohëse pas tre vitesh përdorimi të multivitaminave. “Duket se jemi duke parë përfitime që shkojnë përtej humbjes së zakonshme të kujtesës për shkak të moshës – dhe ndihmojnë në ngadalësimin e plakjes njohëse në përgjithësi,” thotë Dr. JoAnn Manson, profesoreshë në Brigham and Women’s Hospital dhe Harvard Medical School, një nga drejtueset e studimit.

Sipas saj, përdorimi i përditshëm i një multivitamine për tre vjet përkthehet në një “ngadalësim të plakjes njohëse me mbi tre vjet”. Krahasimi me një grup placebo shton besueshmërinë e rezultateve, thotë ajo, dhe ky është vetëm studimi i dytë që analizon ndikimin e multivitaminave në funksionet e trurit me kaq rigorozitet shkencor.

Studimi i mëparshëm – Physicians Health Study II  nuk gjeti dallime mes përdoruesve të multivitaminave dhe atyre që morën placebo. Por ai nuk përfshiu teste të funksioneve njohëse në fillim të studimit, çka mund të ketë ndikuar në mungesën e rezultateve të qarta. “Ndoshta i vlerësuam pjesëmarrësit shumë vonë  pasi efekti kishte ndodhur dhe thjesht kishte qëndruar,” shprehet bashkautori Howard Sesso.

Megjithëse gjetjet janë premtuese, studiuesit theksojnë se nuk duhet të mbështetemi vetëm tek multivitaminat për të ruajtur shëndetin mendor. “Suplementet ushqimore nuk mund të zëvendësojnë një stil jetese të shëndetshëm,” thotë Dr. Manson. “Por mund të jenë një mbështetje e vlefshme, sidomos për personat mbi moshën 60-vjeçare, të cilët shpesh kanë vështirësi në përthithjen e lëndëve ushqyese dhe ndonjëherë nuk ndjekin një dietë optimale.”

Studiuesit shpresojnë që të kryhen edhe studime të tjera për të konfirmuar përfundimet dhe për të zbuluar saktësisht se si multivitaminat ndihmojnë kujtesën. Ata gjithashtu planifikojnë të ndjekin më tej pjesëmarrësit për të parë nëse përfitimet vazhdojnë pas tre vitesh, si dhe të studiojnë persona më të rinj duke filluar që nga mosha 50 vjeç  për të kuptuar nëse efektet janë edhe më të forta kur përdorimi fillon më herët.

“Duhet ende më shumë prova para se të ndryshojmë rekomandimet publike për përdorimin e përditshëm të multivitaminave,” përfundon Sesso. “Duhet të kuptojmë më mirë pse dhe si funksionojnë këto vitamina.”

time

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0