Mrekullia ekonomike polake, transformimi nga oligarkia në shtetin e qytetarëve! - Business Magazine Albania

Mrekullia ekonomike polake, transformimi nga oligarkia në shtetin e qytetarëve!

Si Polonia, përmes reformave, arsimit dhe inovacionit, u bë kampione e rritjes ekonomike në Europë dhe shembull frymëzues për vendet në zhvillim.

Kur shikon sot rrugët e Varshavës, investitorët dhe sipërmarrësit shohin një qytet modern, plot energji dhe mundësi. Por në janarin e ftohtë të vitit 1989, historia ishte ndryshe: raftet e dyqaneve ishin bosh, inflacioni po fluturonte mbi 80%, dhe qytetarët prisnin orë të tëra për të blerë produkte bazë si: mish, çokollatë, karburant dhe alkool. Polonia, e cila sapo kishte filluar rrugën drejt demokracisë, ishte e lodhur, e varfër dhe rebele.

Mes kësaj krizë, ekonomistët ndërkombëtarë e konsideronin Poloninë një nga vendet më të varfra në Europë, me fuqinë blerëse të qytetarëve që arrinte vetëm një të tretën e mesatares gjermane. Sot, tre dekada më vonë, Polonia është jo vetëm pjesë e Bashkimit Evropian, por kampione e rritjes ekonomike, duke tejkaluar jo vetëm fqinjët e saj rajonalë, por edhe disa nga ekonomitë më dinamike globale.

Nga oligarkia tek shkëlqimi

Si e shpjegon Polonia këtë transformim? Ekonomiologu Marcin Piątkowski, autor i librit Europe’s Growth Champion, e quan zhvillimin polak “një mrekulli ekonomike të paprecedentë”. Sipas tij, rrënjët e sfidave të Polonisë shkojnë larg në kohë, deri te Bashkimi Polako-Lituanez i vitit 1569, kur vendi ishte një “shoqëri ekstraktive”, e dominuar nga aristokratët që përfitojnë për vete nga institucionet politike dhe ekonomike.

Lexo edhe: Ngushtica e Hormuzit, pika kritike e energjisë dhe ushqimit për Europën

Në shekullin XVI, Polonia ishte dukshëm demokratike: rreth 10% e popullsisë, aristokracia (szlachta), kishte të drejtën të votojë, të merrte pjesë në asamble dhe të zgjidhte monarkun. Por kjo “demokraci e përzier” krijoi një kurth: taksa minimale, ushtri të dobët, pushtet qendror të pakët dhe pothuajse asnjë administratë publike. Fshatarët, shumica e popullsisë, ishin të lidhur me tokën dhe pa të drejta. Qytetarët e mesëm, të cilët mund të ishin motor i modernizimit, mbetën të margjinalizuar ekonomikisht dhe politikisht.

Trashëgimia e komunizmit

Komunizmi solli katastrofë ekonomike, por edhe një pastrim të dhunshëm të strukturave oligarkike. Nga viti 1950 deri në 1989, ekonomia e Polonisë u rrit me vetëm 2.2% në vit, më ngadalë se pothuajse çdo vend tjetër europian. Por ndikimi i tij social ishte i jashtëzakonshëm: toka u rishpërnda, elitat humbën kontrollin, dhe miliona polakë të fshatit u zhvendosën në qytete, duke rritur produktivitetin dhe mobilitetin shoqëror. Arsimi u universalizua: deri në vitet 1980, 70% e adoleshentëve ndoqën shkollë të mesme dhe regjistrimi në universitete arriti 10-15%.

Paradoksalisht, ky nivel i ri arsimimi, lëvizshmëria dhe përfshirja shoqërore krijuan bazën për transformimin kapitalist pas vitit 1989. Shoqëria polake, më e barabartë, e arsimuar dhe e mobilizuar, ishte gati për të përfituar nga mundësitë e tregut dhe demokracisë.

1989, viti i kthesës

Kalimi në kapitalizëm nisi në kaos: hiperinflacion, industri në kolaps dhe arka shtetërore bosh. Nën drejtimin e reformatorit Leszek Balcerowicz, Polonia nisi “terapinë e goditjes”, një paketë reformash ambicioze që përfshinte deregulimin e shpejtë, liberalizimin e çmimeve dhe stabilizimin makroekonomik. Brenda katër muajsh, masat hynë në fuqi njëkohësisht, duke goditur fuqishëm, por duke krijuar terrenin për një rimëkëmbje më të shpejtë se vendet fqinjë.

Një diferencë kyçe ishte mënyra e menaxhimit të privatizimit: ndryshe nga Rusia dhe Çekia, Polonia mori hapa të kujdesshëm për të ndërtuar sisteme ligjore dhe institucionale solide, media të pavarura, gjykata të besueshme dhe tregje kapitale funksionale, para se të nisë privatizimi masiv në vitin 1996.

Një mrekulli e qëndrueshme

Që nga 1992, Polonia ka shënuar periudhën më të gjatë të zgjerimit ekonomik në Europë. GDP për frymë dhe fuqia blerëse u rrit me 240% deri në vitin 2023, duke tejkaluar “Tigrat Aziatikë” si Singapori. Gjatë krizës globale të 2008-2009, ishte vendi i vetëm i BE-së që shmangu recesionin.

Shkalla e mirëqenies shoqërore ka qenë po aq e jashtëzakonshme: mbi 75% e popullsisë deklarojnë kënaqësi me jetën e tyre, nga vetëm 50% në fillim të tranzicionit. Arsimimi i lartë dhe kapitali human i zhvilluar kanë qenë faktorët kyç për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme.

Mësime për biznesin

Suksesi polak tregon se transformimi i vërtetë vjen nga kombinimi i arsimit të lartë, institucioneve të forta dhe një shoqërie gjithëpërfshirëse. Ndërsa Polonia afrohet me nivelin e të ardhurave të vendeve si Spanja, Italia dhe Japonia, sfidat mbeten: një popullsi që plaket dhe nevoja për inovacion kërkojnë politika aktive për R&D dhe teknologji të reja.

Siç thekson Piątkowski, “Polonia është shembulli që ndryshimi transformues shpesh vjen nga shoket e jashtme dhe reforma gjithëpërfshirëse.” Për investitorët dhe sipërmarrësit, kjo do të thotë se një vend me histori të trazuar mund të bëhet një terren i sigurt dhe fitimprurës, kur institucione solide dhe politika afatgjata mbështesin biznesin.

Polonia sot, një model global

Nga rrënjët e oligarkisë në mrekullinë ekonomike, Polonia është një shembull frymëzues për vendet në zhvillim dhe tregjet emergjente. Ky vend tregon se politika e guximshme, popullësia e arsimuar dhe një shoqëri gjithëpërfshirëse mund të transformojnë një komb nga margjinali në lider të rritjes ekonomike.

Polonia sot nuk është vetëm një histori suksesi, por edhe një udhërrëfyes për botën: mënyra se si një vend mund të kapërcejë sfidat historike dhe të krijojë një model të qëndrueshëm zhvillimi ekonomik.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0