MrBeast: AI po sjell “kohë të frikshme” për krijuesit në YouTube - Business Magazine Albania

MrBeast: AI po sjell “kohë të frikshme” për krijuesit në YouTube

Ylli më i madh i YouTube-it në botë, MrBeast (emri i vërtetë Jimmy Donaldson), ka shprehur shqetësimin e tij për përparimin e shpejtë të inteligjencës artificiale gjenerative, duke e quajtur situatën “të frikshme” për miliona krijues që jetojnë nga krijimi i përmbajtjes.

Mjetet e AI-së që mund të krijojnë video të plota nga thjesht disa fjalë përshkruese janë zhvilluar me ritme të shpejta vitet e fundit. Një nga më të fundit është Sora, e zhvilluar nga OpenAI dhe e prezantuar javën e kaluar. Ajo ka ngjallur shqetësime pasi përdoruesit kanë treguar se sa lehtësisht mund të rikrijojnë personazhe të mbrojtur me të drejta autori dhe materiale të ndjeshme. Në rrjetin social X (ish-Twitter), MrBeast ngriti pyetjen:
“Çfarë do të ndodhë me njerëz si unë, kur videot e krijuara nga AI të jenë po aq të mira sa videot normale?”

Frika për të ardhmen e punës në industrinë krijuese

Shqetësimet për ndikimin e AI në tregun e punës janë të përhapura,  por janë veçanërisht të theksuara në industrinë krijuese, përfshirë kinemanë dhe lojërat kompjuterike, ku janë zhvilluar edhe greva dhe protesta të shumta lidhur me përdorimin e teknologjisë AI. Këto shqetësime janë rindezur së fundmi edhe pas shfaqjes së një “aktori të krijuar nga AI” që u bë lajm ndërkombëtar. Megjithatë, AI po përdoret gjithashtu gjerësisht në këto industri. Për shembull, YouTube tashmë ofron mjete të inteligjencës artificiale për krijuesit, përfshirë gjenerimin e videove përmes Veo, një mjet i zhvilluar nga Google.

AI përdoret gjithashtu për:

  • gjenerimin automatik të titrave
  • ndihmën në ideimin dhe përpunimin e skenarëve

Lexo edhe: Taylor Swift akuzohet për dy standarde mbi përdorimin e AI-së në promovimin e albumit të saj

Sipas profesor Lars Erik Holmquist, nga Nottingham Trent University, tashmë ka video tërësisht të krijuara nga AI në YouTube,  si p.sh. video relaksuese që përdoruesit i vendosin për të fjetur. Sipas tij: “Tendenca është që AI po e bën krijimin e përmbajtjes shumë më të lirë. Fituesit në afat të shkurtër do të jenë ata që e përdorin këtë teknologji për të krijuar përmbajtje më cilësore.”

Sipas Prof. Holmquist, për momentin është e pamundur që MrBeast të zëvendësohet nga AI: “E gjithë ideja e tij është që njerëzit të bëjnë gjëra të pakëndshme ose të rrezikshme për para,  dhe nëse këto nuk janë të vërteta, askush nuk do t’i shikonte.” Megjithatë, fakti që një figurë e tillë publike ndërpreu komunikimin e tij të zakonshëm promovues për të folur për këtë çështje tregon seriozitetin e temës. AI mund të jetë e dobishme për krijues si MrBeast në prapaskenë, për shembull në përpunimin grafik ose në fazën e post-produksionit.

Në fakt, ai e ka provuar këtë më herët këtë vit,  por u përball me kritika nga krijues të tjerë, pasi lançoi një mjet të AI që krijonte thumbnail-e (imazhe hyrëse të videove).

Kritikët theksuan se shumë mjete të AI-së trajnohen duke përdorur materiale të mbrojtura nga e drejta e autorit, pa leje apo kompensim për krijuesit origjinalë.Si rezultat, MrBeast vendosi ta tërheqë mjetin nga platforma e tij e analitikave dhe në vend të kësaj ofroi lidhje me dizajnerë të vërtetë, duke mbështetur punën e tyre.

Ndërkohë, Veo, mjeti i AI i Google, është trajnuar mbi një pjesë të videove në YouTube, megjithatë nuk është bërë e qartë nëse videot e MrBeast janë përdorur në këtë trajnim.

Për figura si MrBeast, AI mund të mos jetë një kërcënim i drejtpërdrejtë për momentin,  por revolucioni i përmbajtjes së automatizuar sapo ka nisur.

 

BBC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0