A njihni dikë që bën rolin e viktimës? A e gjeni edhe veten ndonjëherë në këtë rol?
Çdo të thotë të kesh një mendësi të tillë, pra të qenit në rolin e viktimës?
Një mendësi e tillë është tipike për një person të papërgjegjëshëm, për një person i cili fajëson këdo dhe çfarëdo. Personi, i cili ka një mendësi të tillë e sheh veten gjithmonë si viktimë të kushteve. Gjen arsye të ndryshme, gjithmonë kërkon fajtorin për dështimet e tij, qofshin këto edhe gjëra fare banale.
Individët me një mendësi të tillë presin, shohin dhe kërkojnë gjithmonë të keqen dhe zakonisht rezultatet që marrin janë negative. Këto lloj “viktimash” gjithmonë kërkojnë miratimin e njerëzve të tjerë dhe shumë rrallë janë gati të marrin përgjegjësinë për qasjet negative që kanë ndaj kujtdo apo ndaj çdo gjëje apo për mendimet dhe opinionet negative të tyre.
Kur dikush luan rolin e viktimës do të thotë që nuk ka në dorë timonin e jetës së tij/së saj, nuk ka kontroll mbi kushtet, situtat, mbi gjendjen emocionale të brendshme. Këta njerëz kanë disa modele destruktive të krijuara brenda kokës së tyre, modele të cilat i drejtojnë ata gjatë rrugës së jetës.
Individët me një mendësi të tillë presupozojnë që lumturia e tyre dhe gjithë jeta e tyre varet nga të tjerët, qofshin këta prindër, mësues, partneri/-rja, anëtarë të familjes, shefa, miq, drejtues të shtetit apo edhe vetë Zoti.
Shprehjet më të shpeshta që përdorin individët me mendësi të tillë janë: “Ai/ajo e pati fajin që unë (nuk) vendosa për këtë”, “Nuk marr dot një përgjegjësi të tillë”, dhe këtu bëhet fjalë për vendimet për jetën e tyre, “Ai e ka fajin që unë ndihem kështu”, “Mu desh të firmosja se më tha shefi”, “Po të ishte shteti i fortë, do bëja këtë apo atë”, “Zoti më ka harruar”.
Viktor Frankl ka thënë: “Të zgjedhësh si do të veprosh, të zgjedhësh çfarë qëndrimi do të mbash në çfarëdo lloj situate e cila të ofrohet, do të thotë të zgjedhësh mënyrën e jetesës, të zgjedhësh rrugën e jetës”. Pikërisht kjo zgjedhje e tij, bëri që ai t’u mbijentonte kushteve më të pa imagjinueshme në kampet e përqëndrimit. Ai më tej sygjeron: “Mes stimuluesit dhe kundërpërgjigjes ka një hapësirë”. Pikërisht në këtë hapësirë gjendet forca jonë për të zgjedhur sesi do të reagojmë, si do të veprojmë, çfarë vendimi do të marrim. Në këtë kundërpërgjigjen tonë gjendet zhvillimi dhe liria jonë, liria për të zgjedhur, liria për të marrë vendime apo përgjegjësira.
Në ditët e sotme, frika nga dështimi, frika e refuzimit, frika se ndoshta nuk jemi mjaft, janë shqetësimet kryesore në jetën e njerëzve. Nëse këto frikëra nuk analizohen, shumë shpejt kthehen në besime të patundshme, të cilat me kalimin e kohës krijojnë tek këta njerëz mendësinë e viktimës, viktima të kushteve.
Por si mundet dikush të zhvillojë një mendësi më frytdhënëse, mendësi e cila e bën të jetë më mendjehapur për të analizuar veten dhe për të kërkuar ndryshimin brenda vetes, si mundet t’i shohë situatat negative nga një perspektivë tjetër?
Të qenit më mendjehapur
Arsyeja kryesore se pse njerëzit dorëzohen, apo nuk ndjekin ëndërrat e tyre është sepse besojnë që ky X objektiv është jashtë mundësive të tyre fizike apo mendore. Nëse keni një ëndërr për të arritur diçka por nuk jeni të sigurt se si ta arrini, atëhere zhvilloni veten, zgjeroni njohuritë, mësoni një gjë të re, përmirësoni ato njohuri që keni, pra rrisni vlerat tuaja si person. Në jetë çdo gjë lëviz, asnjë gjë nuk është statike, e vetmja pengesë e juaja është një apo disa strategji, të cilat ende nuk i keni mësuar. Uluni dhe mësoni, kërkoni ndihmën e ekspertëve, të atyre të cilët kanë kalur nëpër atë rrugë.
Zhvilloni muskujt brenda trurit
E kundërta e frikës është besimi, jo besimi fetar se zakonisht ajo është gjëja e parë që mendojmë sa herë dëgjojmë fjalën besim, por besimi tek ëndërra që keni, besimi tek vetja, tek aftësitë. Besimi dhe veprimi ecin dorë për dore dhe nëse nuk veproni atëhere vetëm besimi nuk mjafton. Ashtu si shkoni në palestër për të forcuar muskujt e krahëve, të barkut po aq punë duhet edhe me muskujt e trurit. Frika na shfuqizon, veprimi na fuqizon.
Groposini justifikimet
Është shumë e thjeshtë të kërkojmë justifikime dhe arsye se pse nuk mundemi të bëjmë diçka, pse nuk e ndjekim dot ëndrrën apo objektivin. Disa nga këto justifikime janë: “Nuk kam kohë”, “Nuk kam lekë”, “Nuk kam familje”, “Nuk më përkrahin prindërit”, “Jam shumë i/e zënë”, “Jetoj në këtë vend, po të isha diku tjetër po”, “Do të mërzitet mami”, “Asnjë se ka bërë deri tani”, “Po kush jam unë?!”, e të tjera, e të tjera. Shumë njerëz fshihen pas këtyre justifikimeve dhe i përdorin sa herë ju duhet një justifikim dhe ky justifikim i bën të ndihen mirë. Herën tjetër kur të filloni të justifikoni veten me zë apo pa zë, mos harroni që në jetë është edhe mundësia të mos bëni asnjë gjë, pasi çdo gjë është zgjedhje. Gjithashtu mos harroni që asnjë nuk do të punojë të realizojë objektivin apo të plotësojë dëshirat tua, pasi në këtë botë secili është i zënë me punët e veta. Prandaj, nuk do ishte keq të ndiqnit edhe ju ëndërrën tuaj, të shihnit punët tuaja.
Dështimi është mësuesi më i mirë
Gjithashtu mos harroni, në jetë do të dështoni. Dështimi është pjesë e lojës. Dështimi na jep mësime, mësimi më i rëndësishëm është të kuptuarit se ndoshta ju duhet të përmirësoni disa gjëra, të mësoni diçka të re.
Gjithashtu mos harroni se nëse në të ardhmen nuk ndiqni një ëndërr tuaj, një pasion tuajin, do të ngeleni gjithmonë tek e kaluara, do të jetoni për të kaluarën.
Personalisht them shpesh, që individi i cili pavarësiht se e ka të qartë se cili është objektivi i tij, gjatë rrugës herë pas here edhe ndalet të marrë frymë, sheh rrotull, analizon pa frikë, pyet për atë gjë që nuk di dhe në këtë mënyrë mëson.
Nëse këtë formulë e bëjmë pjesë të jetës, mendoj se ky do të ishte çelësi për të luftuar mendësinë negative dhe mendësinë e viktimës, pasi një mendësi e tillë është vetëvrasje shpirtërore.
Duhet të keni parasysh se historia e jetës tuaj mund të jetë ende duke u zhvilluar dhe pas çdo kapitulli vjen një tjetër. Në çdo moment keni rastin të shkruani atë faqen bosh të kapitullit të radhës, por përmbajtjen e dorëshkrimit të radhës e keni vetë në dorë ta ndryshoni.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.