Mirëqenia në punë: Çelësi për të shmangur lodhjen dhe humbjen e talenteve - Business Magazine Albania

Mirëqenia në punë: Çelësi për të shmangur lodhjen dhe humbjen e talenteve

Mirëqenia në punë: Çelësi për të shmangur lodhjen dhe humbjen e talenteve

Ndërsa nivelet e lodhjes profesionale po arrijnë kulme të reja, kompanitë po humbasin miliarda për shkak të rënies së produktivitetit, mungesës në punë dhe qarkullimit të lartë të stafit. Orët e gjata, stresi i vazhdueshëm dhe mungesa e ekuilibrit mes jetës personale dhe profesionale po ushqejnë një krizë serioze të shëndetit në vendin e punës. Megjithatë, ato biznese që po ndërmarrin një qasje proaktive dhe të bazuar në shkencë për mirëqenien e stafit, po arrijnë sukses më të madh në përmbushjen e nevojave të brezit të ri të punonjësve më të ndërgjegjshëm.

Profesionistët në të gjitha nivelet e hierarkisë janë përballur në një moment apo tjetër me lodhjen — qoftë emocionale, fizike apo të dyja bashkë. Një raport i publikuar këtë vit nga Moodle dhe Censuswide tregoi se lodhja profesionale ka arritur në 66% në Amerikën e Veriut, një rekord i ri shqetësues, dhe sugjeron se kthimi në zyrë po shton edhe më shumë stresin në një ambient tashmë të ngarkuar pune. Po ashtu, raporti thekson se brezat e rinj janë më të prekur nga lodhja — 81% e të rinjve nga 18 deri në 24 vjeç dhe 83% e moshës 25-34 vjeç raportojnë se përjetojnë lodhje, krahasuar me vetëm 49% të atyre mbi 55 vjeç. Kjo tregon qartë se drejtuesit kanë një rol vendimtar për të lehtësuar këtë barrë. Për të pasur sukses, nismat për mirëqenie duhet të integrohen në vlerat thelbësore të kompanisë. Udhëheqësit duhet të lidhen me gjashtë shtyllat e jetëgjatësisë — ushqimin, aktivitetin fizik, gjumin, menaxhimin e stresit, shmangien e substancave të dëmshme dhe forcimin e lidhjeve sociale — për të ndërtuar një fuqi punëtore më të shëndetshme dhe më rezistente.

Lexo edhe:Njihuni me “superfuqinë” që i mungon shumicës së adoleshentëve, gjumi i mjaftueshëm

Si mund të ndihmojnë bizneset përmes këtyre gjashtë shtyllave, në një botë që po ndryshon vazhdimisht nga teknologjia, shkenca dhe ndryshimet shoqërore?

1. Të vendosësh ushqimin në prioritet për performancë

Qoftë duke përgatitur ushqimin nga shtëpia apo duke blerë përditë, një regjim i shëndetshëm ushqimor ndihmon në përqendrim dhe qëndrueshmëri. Bizneset mund të mbështesin këtë duke subvencionuar opsione të shëndetshme ushqimi, duke negociuar zbritje me furnitorët lokalë ose duke ofruar në zyrë ushqime të shëndetshme për të gjithë. Po ashtu, duhet të inkurajojnë largimin nga tavolina gjatë drekës, duke lejuar punonjësit të marrin kohën e tyre për të ngrënë qetësisht ose për të ndërvepruar me kolegët. Sigurimi i shisheve të ujit gjithashtu mund të ndihmojë për të mbajtur ekipin të hidratuar gjatë ditës.

2. Nxitja e lëvizjes dhe aktivitetit fizik

Promovimi i aktivitetit fizik në punë shpesh është më sfidues se ushqimi. Përveç palestrave apo zbritjeve për klasat e fitnesit, kompanitë mund të adoptojnë qasje më interaktive si takime në këmbë apo në ecje, të cilat stimulojnë krijimtarinë dhe bashkëpunimin. Po ashtu, inkurajimi që telefonatat të bëhen në lëvizje ose organizimi i takimeve të brendshme në vende të ndryshme mund të ndikojnë pozitivisht në mirëqenien dhe gjendjen mendore të punonjësve.

3. Mbështetja për një higjienë më të mirë të gjumit

Monitorimi i punës gjatë orëve të vona është thelbësor. Politikat fleksibël të punës ndihmojnë, por bizneset mund të shkojnë më tej duke ofruar abonime në aplikacione që përmirësojnë gjumin ose duke krijuar hapësira relaksi në zyrë. Po ashtu, rregullat si “pa email pune në telefon pas orarit” mund të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e gjumit.

4. Menaxhimi i stresit: Shembull nga drejtuesit

Drejtuesit janë kyç në menaxhimin e stresit. Ofrimi i ditëve për mirëqenie, paketave shëndetësore që përfshijnë terapi apo organizimi i aktiviteteve për të nxitur mirëqenien janë hapa pozitivë. Shembulli personal i drejtuesve në organizimin e ditëve sportive, programeve të mindfulness apo aktiviteteve krijuese ndihmon për të krijuar një kulturë që i jep prioritet shëndetit mendor.

5. Krijimi i lidhjeve sociale gjithëpërfshirëse

Nismat për mirëqenie duhet të marrin parasysh preferencat e ndryshme. Ndërsa disa punonjës preferojnë eventet sociale, të tjerë preferojnë aktivitete më të qeta dhe me kuptim. Programet e mentorimit, retreat-et dhe ditët vullnetare janë mënyra të shkëlqyera për të ndërtuar lidhje. Një qasje gjithëpërfshirëse shmang varësinë nga aktivitetet me alkool dhe ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit, sidomos në ambientet që mbajnë filozofinë “punë e madhe, argëtim i madh”, e cila shpesh mund të çojë në sjellje të rrezikshme. Prandaj, udhëheqësit duhet të ofrojnë mbështetje konfidenciale për këdo që ka nevojë.

entrepreneur

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0