Laboratori Thinking Machines, startup-i misterioz i AI themeluar nga ish-CTO-ja e OpenAI, Mira Murati, ka siguruar një raund investimi fillestar prej plot 2 miliardë dollarësh, duke e çuar vlerësimin e kompanisë, e cila ka vetëm 6 muaj që është themeluar në 10 miliardë, raportoi Financial Times.Edhe pse detajet mbi teknologjinë që po zhvillon kompania mbeten të paqarta, emri i Muratit dhe afrimi i disa prej studiuesve më të njohur të AI kanë tërhequr interesin e madh të investitorëve. Sipas burimeve të njohura me marrëveshjen, raundi është udhëhequr nga Andreessen Horowitz, me pjesëmarrjen e Conviction Partners të Sarah Guo.
Lexo edhe: Mira Murati në Hollywood, historia e OpenAI do të bëhet film
Murati u largua nga OpenAI në shtatorin e kaluar, pasi kishte drejtuar zhvillimin e disa prej produkteve më të rëndësishme të kompanisë si ChatGPT, DALL-E dhe modaliteti zanor. Ajo është bashkuar tashmë me disa kolegë të mëparshëm, përfshirë bashkëthemeluesin e OpenAI, John Schulman, në projektin e ri.
Murati është një nga drejtueset e pakta që u larguan nga OpenAI pas tensioneve mbi lidershipin e CEO-së Sam Altman në vitin 2023. Kur bordi i kompanisë e shkarkoi Altman-in në nëntor, Murati shërbeu përkohësisht si CEO, përpara se Altman të rikthehej me shpejtësi në detyrë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto