Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe qeveria shqiptare ranë dakord në nivel teknik për të kompletuar rishikimin e 5-të dhe të 6-të të programit trevjeçar, pas përplasjeve që palët patën në verën e këtij viti.
Shefja e re e misionit të FMN për Shqipërinë, tha se qeveria i realizoi objektivat.
“Jam e lumtur të nënvizoj se programi po ecën sipas parashikimmeve. Të gjithë objektivat sasiorë janë realizuar dhe në të njëjtën kohë zbatimi i reformave strukturore ka qenë i fortë. Disa nga këto reforma, si ajo e energjisë, po japin rezultatet e para duke krijuar kursime për qeverinë, çka siguron themele për një rritje ekonomike më të fortë në afat të mesëm. Ne presim që rimëkembja e ekonomisë të vijojë. Për këtë vit rritja ekonomike vlerësohet se do të jetë rreth kuotave 2.5 deri në 2.7 përqind, ndërsa vitin tjetër ajo do të përshpejtohet në nivelin 3 deri në 3.5 përqind”, thotë Anita Tuladhar, shefja e misionit të FMN në Shqipëri.
Për qeverinë shqiptare, arritja e marrëveshjes me FMN, është jo vetëm burim optimizmi, por edhe një sinjal se ekonomia e ka lënë pas krizën.
“Ekonomia e ka marrë pjesën e vet të lëvizjes drejt pozitivitetit me sukses të plotë dhe siç edhe do të shihni në parashtesën e buxhetit të vitit 2016, ne së bashku me FMN kemi vendosur që të kemi suficit primar”, deklaroi ministri i Financave, Shkëlqim Cani.
“Këto dy vite është punuar për të pastruar atë infektim të trashëguar në ekonominë shqiptare, qoftë me energjinë, borxhet e prapambetura apo katastrofën fiskale”, u shpreh ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Edhe Banka e Shqipërisë pret që rritja ekonomike të vijë duke u forcuar. Por guvernatori Sejko ka dashur të lëshojë një mesazh për politikën, i cili duket se bie më shumë në kampin e maxhorancës.
“Në analizat tona pasiguria rezulton si një nga arsyet që vazhdon të frenojë rritjen e konsumit dhe investimeve në vend. Zutja e saj përmes rritjes së transparencës dhe forcimit të konsensusit politik do të ndihmonte në krijimin e një ambienti me favorizues për ekonominë”, deklaroi Guvernatori, Genti Sejko.
Ministria e Financave do vazhdojë masat për uljen e borxhit, por sipas ministrit të Financave pa rritje të re taksash.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur për herë të parë publikisht qëndrimin e tij për aksionin e qeverisë kundër informalitetit.
“Ne besojmë se është shumë e rëndësishme që të përmirësohet ambienti fiskal dhe përmbushja vullnetare e detyrimeve tatimore, ndaj i mbështesim përpjeket e qeverisë në këtë drejtim. Gjithashtu, mendojmë se është e rëndësishme që masat të cilat po merren, të shihen si të drejta dhe të balancuara dhe për këtë kemi këshilluar qeverinë që të ndjekë praktikat më të mira ndërkombëtare; si përshembull përmirësimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve për të rritur përmbushjen vullnetare. Gjithsesi, mendojmë se qëllimi i fushatës është shumë i rëndësishëm jo vetëm për të arritur konsolidimin fiskal, por edhe për të krijuar hapësira që buxheti të financojë shpenzime produktive”, thotë FMN.
Vitin e ardhshëm qeveria është angazhuar që buxheti i shtetit të jetë me sufiçit primar sa 0.3 përqind e Prodhimit Kombëtar, çka do të thotë se qeveria nuk do të marrë borxh për të financuar operacionet e përditshme, por do të kursejë para nga të ardhurat për të ulur borxhin.
/Top-Channel/
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.