Ministria e Bujqësisë vlerëson disa nga gratë sipërmarrëse në zonat rurale - Business Magazine Albania

Ministria e Bujqësisë vlerëson disa nga gratë sipërmarrëse në zonat rurale

gratë sipërmarrëse në zonat rurale

Gra dhe vajza nga zonat rurale ishin në një takim me Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.

Gjatë takimit Krifca tha se, “shumë konsiderojnë që bujqësia dhe puna në fshat janë aktivitete, të cilat u përkasin burrave. Por, unë jam e bindur se shtylla mbi të cilën është ndërtuar bota rurale, shpina mbi të cilën mbështetet, është ajo e një gruaje”.

Ajo tha se, “sipas USAID, sot në botë 60-80% e prodhimit ushqimor sigurohet nga gratë. Dhe përsëri nga ne gratë kërkohet më shumë. Na japin më me vështirësi rolin tonë në vendimmarrje, mjafton t’ju them se mbi 90 % e ministrave të Bujqësisë në Europë, janë burra”.

“Janë bërë pa dyshim përpjekje titanike nga forca socialiste me ndryshime ligjore duke siguruar kuota të barazisë gjinore, duke mundësuar më shumë pjesëmarrje të gruas në politikë, përfaqësim në vendimmarrje, në qeverisje vendore e qendrore duke e shndërruar Shqipërinë në vendin e dytë në botë me përfaqësinë më të lartë të grave në qeverisje”, u shpreh Krifca.

Për të zgjeruar përfaqësimin e gruas në biznes e sipërmarrje, Krifca tha se, “kemi ndërtuar politika që të mund t’i japin përparësi grave rurale. Kështu, me programin IPARD janë mbështetur 137 gra fermere, me një buxhet prej 24 milionë euro”.

Pas produkteve të çertifikuara “Made in Albania” qëndrojnë duart e grave dhe përkujdesja e tyre.

Gjithashtu ministrja u ndal dhe tek kthimi i vajzave në tokën e të parëve, duke i shndërruar kullat e tyre  në destinacione agroturistike, të cilat kthejnë jo vetëm shpresën në komunitet, por sjellin dhe një ndikim ekonomik pozitiv.

Në aktivitet foli edhe Nerlina Kuqi nga ferma e patateve në Divjakë, e cila ka në administrim tokën e familjes në fshatin Gur. Nerlina është një sipërmarrëse që dëshiron ta zgjerojë aktivitetin e saj në biznes dhe një nga objektivat madhorë që ka është që fermën e saj të prodhimit ta kthejë në agroturizëm, për të nxitur zhvillimin e zonës ku ajo jeton dhe punon.

Po ashtu, e mori fjalën edhe Marjana Koceku, u vlerësua në fushën e agroturizmit. Marjana është rikthyer në kullën e të atit të saj në Dukagjin dhe e ka restauruar ndërtesën duke e kthyer kullën në një bujtinë, ku pret turistë nga e gjithë bota, ndër ta shumë anglezë, gjermanë dhe nordikë. Gjithashtu ajo menaxhon një blog, ku promovon zonën e Dukagjinit dhe agroturizmin e saj për të tërhequr vizitorë.

Në këtë aktivitet, u vlerësuan me çertifikatë mirënjohjeje disa gra, të përzgjedhura vetë nga komunitetet e tyre, shoqatat e prodhuesve, blegtorëve apo të agroturizmit.

Certifikatë vlerësimi në fushën e agroturizmit mori Marie Shkjau – Pukë, Sabina Sina – konservuese frutash dhe perimesh (reçel), Dëshira Balika në Paskuqan për bletarinë, Ina Murataj në blegtori.

Certifikatë vlerësimi në fushën e prodhimit bujqësor mori Liri Miho, certifikatë vlerësimi në fushën e peshkimit mori Elona Isai, certifikatë vlerësimi për profesoret e UBT: prof. dr. Lumturi Papa – përgjegjësja e departamentit të Shkencave Zooteknike, Vjollca Ibro – profesoreshë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0