Milingonat e turizmit dhe turistët e së bukurës - Business Magazine Albania

Milingonat e turizmit dhe turistët e së bukurës

turistët e së bukurës

*Flora Xhemani Baba

Qysh kur bota njohu industrializimin dhe braktisi manifakturat (punët që bëhen me dorë), tregu industrial botëror ka njohur vetëm rritje dhe sot ai pothuajse e ka përmbytur të gjithë ekonominë. Duke qenë se shumë aspekte të jetës njohën lehtësim, zhvillimi mori hov të jashtëzakonshëm dhe cilësia e jetës u rrit ndjeshëm, procesi i industrializimit u quajt dhe është pa asnjë dyshim arritje e mendjes njerëzore, që sot na mundëson të prekim nga afër vende dhe botë të ndryshme, që në shekujt e kaluar as që i ëndërronim, bëjmë një jetë komode, kemi procese të industrializuara dhe të automatizuara në përditshmërinë tonë, qysh me fillimet, tek një ekran televizori, lavatriçe, frigorifer, dush, makinë, pajisje kuzhine e sende të dobishme shtëpiake, mjete për lëvizje etj., e deri më sot kur teknologjia na ka ardhur në pëllëmbë të dorës dhe me një ekran të thjeshtë e me ca valë interneti mund të shohim gjithë botën, mund të shesim e të blejmë.

Por a i kemi bërë të gjitha siç duhet?

Ndotja e madhe mjedisore, ngopja e tregut me produkte të panevojshme, pakpërdorimëshe e të pariciklueshme, robotizimi i shumë proceseve prodhuese që nxjerr jashtë loje krahun e punës dhe shumë dukuri të tjera të lidhura me zhvillimin teknologjik e industrial, tregon se diçka rrugës nuk ka shkuar siç duhet. Etja për fitime e për të dominuar tregun, mania për zgjerim të kapaciteteve, shtimi i prodhimit pa kriter, konkurenca e produktit të të njëjtës fushë ose të gjitha këto së bashku, çuan në një rrugë të gabuar, e cila e tejkaloi qëllimin kryesor; përmirësimin e cilësisë së jetës. Hedhja në rrugë e krahut të punës si shërbim i panevojshëm që zëvendësohet nga një makineri, asgjëson thelbin e zhvillimit dhe zhvendos rëndësinë e procesit të tij nga njeriu tek makina. Shkatërrimi i mjedisit me helme kimike në shërbim të modës apo ushqimit masiv, industrisë farmaceutike apo asaj hidrokarbure, krahu i lirë i punës në vendet e pazhvilluara, që janë lënë qëllimisht të tilla, me qëllim që të blihen lirë, shfrytëzimi i tejskajshëm i burimeve natyrore deri në shterrim, zhvillimi i ekonomisë përmes monopoleve që kontrollojnë tregun, “globalizimi” i ekonomisë me korporata shumëkombëshe etj., përveç dëmeve njerëzore, mjedisore, shëndetësore dhe plot efekteve të tjera negative, ka sjellë në vite edhe një rezultat tjetër në dukje të ngadalshëm por të qenësishëm; zhdukjen ose pakësimin e ndjeshëm të sipërmarrjeve të vogla, artizanëve, individëve, me pak fjalë atij grupi të shoqërisë, që e siguron jetesën përmes punës së dorës ose ekonomisë së vogël prodhuese të pavarur.

Pas shumë dekadash zhvillimi të vrullshëm, zhvillim i cili mori me vete edhe turizmin, që gjithashtu u bë masiv, njerëzit një ditë u ngopën. U ngopën me produkte globale, me ambalazhe plastike, me ushqim të gatshëm, me shije të unifikuara, humbje të origjinalitetit. Dhe mbërritur deri në këtë pikë, filluan të kërkojnë sërish ushqimin e freskët, gjelbërmin e pakultivuar të fshatit, aromën e lules në natyrë, këpucët e artizanit, rrobat e qepura me dorë, zahiretë e amvisës, ëmbëlsirat e sapobëra tek furra e lagjes. Dhe nisi një kthim mbrapsht drejt thelbit. Një kthim i ngadaltë por i sigurtë. Edhe pse në dukje i pandjeshëm, i mbuluar vazhdimisht prej dallgës së madhe të tregjeve industriale, kjo rrëkezë e freskët, flladit të gjithë ata që sot e kanë ndarë mendjen t’i kthehen kohëve të shkuara e vlerave të natyrës, kohës kur gjërat bëheshin me dorë, jo vetëm më mirë por edhe me më shumë dashuri. Shumë turistë kudo në botë, nuk po kërkonin më resorte masive me ushqim të bollshëm por bujtina të vogla nëpër fshatra, ku aromat e kuzhinës dhe duart e arta e të “ndotura” me brume të zonjave të bujtinës, ishin ku e ku më të dashura se çdo mjedis luksoz e i bollshëm. Një suvenir lokal shumë më i vlefshëm se mizëria e prodhimeve në seri që i gjeje në çdo dyqan të botës. Por jo vetëm turistët. Edhe njerëzit që nuk udhëtojnë, në të përditshmen e tyre i janë kthyer produkteve të kopshtit, bulmetit të fshatit, perimeve në ballkon apo frutave të stinës. Një dhuratë krijuar nga dora dhe shpirti i një artizani po preferohet më shumë për t’ia dërguar një miku për ditëlindje sesa një produkt “firmato” dalë nga fabrikat e Kinës apo Turqisë. Një shall i thurur me dorë deri natën vonë nga një artizane, ndërkohë që vë në gjumë të voglin, është shumë më i ngrohtë e më njerëzor se çfarëdolloj marke, sado e famshme qoftë ajo.

E në përgjigje të këtyre kërkesave në rritje, ata, të padukshmit e të pandjeshmit, artizanët, prodhuesit e vegjël lokalë, amvisat që prodhojnë zahiretë e stinës, verëbërësit, vreshtarët, prodhuesit e vajit, artistët e veprave unike, drugdhendësit, bakërpunuesit, argjendarët, artizanet, qëndistaret, duarartat e shtizave, grepit, gjergjefit, vegjës e tezgjahut, kënaqën dëshirat dhe kërkesat e turistëve të së bukurës. Përvojat lokale, secila unike në llojin e vet, ishin më të bukurat që turistët treguan e tregojnë në rrjetin e madh të internetit, Fotot e tyre me veshjet popullore e duke shijuar ushqimet e zonave të ndryshme, krijuan një lloj të ri turizmi që u kthye në lëvizje e që u quajt “etnic/local living tours”.

Sot në këtë periudhë krize globale, kur goditjen më të madhe e ka pësuar turizmi, papritur gjithë kjo dukuri “manifakture” ndaloi. Artizanët dhe prodhuesit lokalë u gjendën pa blerësit e tyre, pa turistët, pa vizitorët nga e gjithë bota, madje edhe pa turistin vendas. Punët e bëra me dorë u futën nëpër sirtare, punimet e artit nëpër rafte dhe u hoqën duart nga shtizat, vegjat e gjergjefët. Të hutuar prej kësaj ndalese, shumë prej tyre, që gjithë mundin e përditshëm dhe kursimet e një jete i kishin hedhur mbi këtë fushë, u gjendën të papërgatitur, Të dëmtuar pa diskutim, ashtu si pothuajse të gjithë ne dhe të tjerët nëpër botë.

Tregu i artizanëve dhe individëve që e sigurojnë jetesën me duart e tyre, është kaq i madh (ata janë me mijëra), saqë nuk mund të përfshihet as në skemat mbështetëse e as nëpër strukturat e ministrive përkatëse që po përpiqen të ngrenë projekte për të ndihmuar sipërmarrjet e vogla dhe ato rurale. Asnjë grua që bën gliko apo thur me shtiza, ose një burrë që mbledh boronica në pyll, nuk mund të regjistrohet me një NIPT për të aplikuar nëpër skema ndihmëse. As një vajzë që krijon me fantazinë e saj zbukurime artistike, qëndis, apo pikturon nuk do ta bëjë këtë. Puna që ata nxjerrin nga duart është krejtësisht vetjake. Vërtet i ndihmon të jetojnë më mirë por të ardhurat e saj nuk mjaftojnë për të paguar  sigurimet apo detyrimet që rrjedhin nga një NIPT e që i duhen paguar shtetit. Ata ndoshta as nuk duan ta zgjerojnë aktivitetin e tyre aq sa për të përfituar skema. Ata duan thjesht të bëjnë aq sa mund të bëjnë duart e tyre dhe këto punë t’i shesin. Në këtë pikë, ata janë lënë të mbijetojnë vetëm. Si të munden.

Por një rrëkezë, që dalngadalë po kthehej në një lumë të vogël mes një lugine të bukur si turizmi, nuk mund të ndalojë më pasi e ka nisur rrugën e saj. Nëse dikush do t`i vërë një pritë për ta penguar, ajo do të gjejë një shtrat tjetër ku të rrjedhë. Dhe ky shtrat është përsëri teknologjia. Pikërisht ajo që e dëmtoi.

Një treg i unifikuar online, do të përpiqet të mbledhë bashkë të gjitha punët e këtyre artizanëve dhe t’i sjellë në vëmendjen tuaj. Aty ku ju blini produktet e larmishme të teknologjisë nga e gjithë bota, veshjet e modës së fundit, celularët, elektroshtëpiaket, enët e kuzhinës, këpucët, bizhutë dhe gjithçka tjetër që inetrneti ofron sot online, aty do të gjeni këtej e tutje edhe produktet lokale të artizanëve, prodhuesve të vegjël, amvisave, zahiretë e stinës apo punët e dorës nga e gjithë Shqipëria e pse jo, edhe nga Kosova e Maqedonia.

E nëse këto produkte ju duken më të shtrenjta se ato të prodhura në miliona kopje në seri nëpër kompanitë shumëkombëshe të botës, mendoni se sa dashuri është hedhur në atë produkt, në çdo syth çentroje, në çdo pikë vere, në çdo lugë glikoje apo në çdo lule qëndismash. Dijeni se sa herë që blini një produkt shqiptar, jo vetëm që rrisni cilësinë e jetës tuaj me art dhe ushqim të shëndetshëm, por rrisni edhe cilësinë e jetës së një artizani, duke e ndihmuar atë të jetojë me dinjitet dhe pa ndihmën e lëmoshës së shtetit. Dijeni se merrni me vete një copëz shpirti që nuk do të kalbet pas ca vitesh si plastikë e paricikluar e një fabrike por do të jetojë përgjithmonë e do të mund t`ua trashëgoni brezave, ashtu siç ata po trashëgojnë shumë prej traditave tona.

Nëse sipërmarrjet e tjera më të mëdha të fushës së turizmit, siç janë hotelet, resortet, tur operatorët, agjencitë e udhëtimit, hotelet familjare, fermat agroturistike apo bujtinat, që çojnë përpara ekonominë shqiptare, mund të quhen bletët punëtore, artizanët dhe prodhuesit e vegjël të produkteve “Made in Albania” janë pa asnjë dyshim milingonat e turizmit. Ato që nuk duken, por që punojnë pa pushim.

Kurse ju që i blini këto produkte, jeni turistët e së bukurës.

Blini edhe online në Made in Albania ose @made.in.albania 

/travel.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #27 - Nëntor 2021

Miq, lexues të BusinessMag,

Ky numër i ri revistës vjen në një sezon të nxehtë plot me zhvillime interesante në botën e startupeve. Jam i sigurt që secili nga ju është i ngarkuar shumë më tepër se në çdo periudhë tjetër në përpjekjet për të çuar gjërat përpara, ndaj ju falenderoj që po gjeni kohën për të lexuar këto rreshta. 

Dikush më pyeti sot, sa optimist je për të ardhmen? U përgjigja pa menduar, se kjo nuk është pyetje për një sipërmarrës. Ne optimizmin e kemi në gjak, pasi është stimuli kryesor që çon përpara iniciativat e çuditshme që ndërmarrim, shpesh pa u menduar gjatë! 

Këtë optimizëm përpiqemi ta sjellim në faqet në vazhdim nëpërmjet intervistave me personazhe të njohur dhe të panjohur, të cilët me punën e tyre të përditshme ndikojnë në jetën e mijëra njerëzve përreth. 

Me punën që bëjnë, me historitë që rrëfejnë mbi sfidat e ndryshme, mes dështimesh dhe suksesesh ata/ato frymëzojnë, motivojnë duke përshkruar maratonat vetjake drejt suksesit; pavarësisht pengesave, duke kaluar nga dështimi në dështim, por pa humbur entuziazmin (siç thotë dhe Churchill). 

Njihuni …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0