Gjiganti teknologjik Meta i ka bërë thirrje qeverisë së Australia që të rishikojë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, duke e cilësuar ligjin si joefektiv, ndërkohë që ka raportuar se ka bllokuar mbi 544 mijë llogari të miturish që nga hyrja në fuqi e tij.
Australia ka detyruar platformat e mëdha, përfshirë Meta, TikTok dhe YouTube, të ndalojnë përdoruesit nën 16 vjeç nga mbajtja e llogarive, që prej 10 dhjetorit të vitit të kaluar, kur ligji hyri zyrtarisht në fuqi. Kompanitë që nuk ndërmarrin “hapa të arsyeshëm” për zbatimin e këtij detyrimi përballen me gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë, rreth 33 milionë dollarë amerikanë.
Meta, kompania e themeluar nga miliarderi Mark Zuckerberg, bëri të ditur se vetëm në javën deri më 11 dhjetor kishte hequr 331 mijë llogari të miturish nga Instagram, 173 mijë nga Facebook dhe rreth 40 mijë nga Threads. Kompania theksoi se është e përkushtuar të respektojë ligjin australian.
Lexo edhe: SleepFM, modeli i ri me AI që parashikon rrezikun e +130 sëmundjeve gjatë gjumit
Megjithatë, Meta i bëri thirrje qeverisë australiane të bashkëpunojë më ngushtë me industrinë për të gjetur një qasje më efektive. Sipas kompanisë, në vend të ndalimeve të përgjithshme, autoritetet duhet të inkurajojnë të gjithë sektorin të rrisë standardet për përvoja online më të sigurta, të përshtatshme për moshën dhe që ruajnë privatësinë.
Meta ka përsëritur gjithashtu kërkesën që dyqanet e aplikacioneve të detyrohen të verifikojnë moshën e përdoruesve dhe të kërkojnë miratim prindëror përpara se fëmijët nën 16 vjeç të shkarkojnë aplikacione. Sipas kompanisë, kjo do të ishte mënyra e vetme për të shmangur një “lojë mace–miu”, ku adoleshentët zhvendosen nga një aplikacion në tjetrin për të anashkaluar ndalimin.
Kompania theksoi se shumë prindër dhe ekspertë shqetësohen se ndalimi mund të izolojë të rinjtë nga komunitetet online dhe t’i shtyjë ata drejt aplikacioneve më pak të rregulluara ose “cepave më të errët” të internetit. Sipas Metës, efektet e para të ligjit sugjerojnë se ai nuk po i përmbush objektivat e tij për rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së të rinjve australianë.
Duke ngritur shqetësime edhe për mungesën e një standardi të përbashkët për përcaktimin e moshës online, Meta bëri të ditur se zbatimi i ligjit australian kërkon një proces me disa shtresa kontrolli. Që nga hyrja në fuqi e ndalimit, kompania me seli në Kaliforni ka ndihmuar në themelimin e OpenAge Initiative, një organizatë jofitimprurëse që ka lançuar mjete për verifikimin e moshës, të quajtura AgeKeys, të cilat synojnë të përdoren nga platformat pjesëmarrëse.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.