Nga Ina xhakollari– Mediat sociale kanë kaluar nëpër disa faza të rëndësishme evolucioni gjatë viteve të fundit, duke reflektuar jo vetëm ndryshimet teknologjike, por edhe mënyrën se si përdoruesit konsumojnë përmbajtje. Instagrami u ndërtua si një platformë mbi fotografi statike e më pas u zhvendos drejt videove dhe reels, duke i dhënë prioritet reach-it dhe të bërit viral. Për një periudhë, Reels u perceptuan si formati kryesor për rritje, duke shtyrë shumë marka dhe krijues të fokusohen te reach-i i shpejtë, shpesh në dëm të thellësisë së përmbajtjes. Ky transformim e ridimensionoi mënyrën se si matet suksesi online. Si pasojë, shumë marka dhe krijues përmbajtjeje orientuan strategjitë e tyre drejt kapjes së vëmendjes sa më shpejt, shpesh duke sakrifikuar thellësinë, kontekstin dhe vlerën afatgjatë të përmbajtjes.
Ndërsa ky model funksionoi për shtrirje të menjëhershme, ai ngriti edhe një pyetje thelbësore: Sa e qëndrueshme është një strategji e ndërtuar vetëm mbi të qenit viral?
Kjo dilemë po nxit sot një rishikim të qasjes ndaj përmbajtjes dhe rolit që ajo luan në ndërtimin e marrëdhënieve reale me audiencën.
Tashmë vihet re një rikthim i vëmendjes te karuselet me fotografi, veçanërisht ato që ofrojnë përmbajtje të strukturuar dhe me vlerë. Arsyeja është e thjeshtë: përdoruesit nuk kërkojnë vetëm argëtim të shpejtë, por edhe informacion të dobishëm, sqarime të qarta dhe histori që mund të konsumohen me ritëm më të ngadaltë. Karuselet krijojnë një përvojë ndryshe përdorimi. Ato i nxisin njerëzit të ndalojnë, të lexojnë dhe të ndërveprojnë me përmbajtjen, duke kaluar nga një slide te tjetri.
Lexo edhe: Editorial/ Koha për të NDËRTUAR… ekonomi të qëndrueshme dhe digjitale!
Në këtë format, përmbajtja mund të ndërtohet hap pas hapi: ide kryesore, argumente mbështetëse apo dhe shembuj . Kjo e bën karuselin një mjet ideal për edukim, të të ndjekurit një vije logjike në të treguar dhe të ndërtuarit të besimit. Ky zhvillim sugjeron një qasje të re ndaj përdoruesit dhe përmbajtjes. Në vend që fokusi të jetë vetëm te shpejtësia e të konsumuarit të vëmendjes, po rikthehet rëndësia e cilësisë dhe thellësisë së mesazhit. Për bizneset dhe marketerët, kjo do të thotë të mendojnë më shumë për atë që audienca merr realisht nga përmbajtja, jo vetëm sa njerëz e shohin atë.
Reels dhe formatet video mbeten të rëndësishme për rritje dhe shtrirje, por karuselet po pozicionohen si vendi ku ndërtohet vlera afatgjatë: edukimi, autoriteti dhe lidhje më e fortë me audiencën. Një strategji e balancuar, që kombinon reach-in e videove me thellësinë e karuseleve, mund të jetë një nga qasjet më efektive në këtë fazë të re të Instagram-it.
Rikthimi i karuseleve tregon se Instagram po lëviz drejt një ekuilibri mes shpejtësisë dhe thellësisë. Për B2B dhe personal branding, kjo është një mundësi për të kaluar nga thjesht “të dukurit” te të qenit i vlefshëm. Dhe ndoshta pikërisht aty qëndron diferenca reale në një treg gjithnjë e më të mbushur me përmbajtje.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.