Një robot humanoid i zhvilluar në Kinë po tërheq vëmendjen globale pasi arrin shpejtësi deri në 10 metra në sekondë, një performancë që tejkalon aftësitë e shumicës së njerëzve në sprint. I pagëzuar me emrin “Bolt”, në nder të legjendës së atletikës Usain Bolt, roboti përfaqëson një tjetër hap të madh në garën teknologjike për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe robotikës humanoide.
“Bolt” është krijuar nga Instituti për Inovacionet Humanoide në Universitetin Zhejiang, në bashkëpunim me kompanitë Mirror Me dhe Kaierda në Hangzhou. Sipas ekipit zhvillues, projekti shënon progres të rëndësishëm në kontrollin e lëvizjes, balancën dinamike dhe sistemet e fuqisë me performancë të lartë, elementë kyç për robotët që synojnë të imitojnë lëvizjen njerëzore.
Në një video të publikuar online, drejtori ekzekutiv i Mirror Me, Vang Hongtao, shihet duke garuar në tredmil përkrah robotit të kuq. Edhe pse me hapa më të shkurtër, “Bolt” kompenson me frekuencë më të lartë dhe arrin të lëvizë me ritëm mbresëlënës.
Ky nuk është suksesi i parë për inxhinierët kinezë. Më herët, modeli katërkëmbësh “Black Panther” theu rekordin e shpejtësisë për robotë të kësaj kategorie, ndërsa në Pekin u organizua edhe kampionati i parë botëror për robotë humanoidë, ku modeli “Tien Kung” fitoi garën e 100 metrave.
Ndërsa robotët po afrohen gjithnjë e më shumë me performancën njerëzore, një pyetje po bëhet gjithnjë e më reale, a do të vijë dita kur rekordet e atletikës të sfidohen jo nga njerëzit, por nga makineritë?
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.