Mbiçmimi i Lekut. Preçi: Ja cilat ndërhyrje këshillohen

Mbiçmimi i Lekut. Preçi: Ja cilat ndërhyrje këshillohen


Nga Zef Preçi, Drejtor i Qendrës Shqiptare të Kërkimeve Ekonomike.

Tashmë është një fakt i gjithëpranuar se mbiçmimi i monedhës sonë kombëtare – Lekut është një fenomen përherë e më shqetësues, dhe jo një dukuri thjesht kalimtare, siç u përpoqën ta justifikojnë një numër ekspertësh apo zyrtarësh gjatë javëve të fundit. Pa pasur frikë se analiza e mëposhtme do të keqkuptohet apo do të trajtohet si përhapje paniku, në vijim po shpreh opinionin tim jo vetëm për shkaqet, por edhe për rrugëdaljet e mundshme nga kjo situatë në zhvillim e sipër.

Në të vërtetë, nëse për shkaqet është krijuar një perceptim disi më realist në radhët e eksperteve të ekonomisë, financave, bankave etj, (edhe pse “argumentet” si boom-i u turistëve të huaj dhe investimeve të huaja apo rritja e prurjeve të emigracionit, nuk i besojnë as ata që i përsërisin vend e pavend), për rrugëdaljet nuk shoh ende asnje debat serioz në qarqet vendim-marrëse të vendit.

Teoria e ekonomisë na mëson se një monedhë e mbivlerësuar ka si përparësi kryesore: presionin ne rënie mbi inflacionin (d.m.th. mallrat e importuara do të jenë më të lira), zgjerimin e mundësive për më shumë importe (d.m.th. vlera e lartë e monedhës i detyron prodhuesit vendas të përmirësojnë efikasitetin e tyre për të qenë më konkurrues në tregun ndërkombëtar), etj. Por, treguesit makro-ekonomikë të ekonomisë sonë kombëtare nuk lejojnë shfrytëzimin e asnjërës nga këto mundësi që krijon mbiçmimi i lekut në raport me Euron. Ndërkaq, tashmë ka një evidencë të mjaftueshme për të gjykuar mbi pasojat negative të kësaj situate, të tilla si: përkeqësimi i situatës financiare të ekspsortuesve (d.m.th. eksportet shqiptare janë bërë më pak konkurruese në tregun ndërkombëtar, pra janë dëmtuar industritë e eksportit, si prodhimet fason, bujqësia, etj); tkurrja relative e madhësisë së kursimeve monetare të popullsisë (përndryshe avullimi i tyre), rritja e pajustifikuar e çmimeve në sektorin e ndërtimit, zgjerimi i sektorit informal të ekonomisë (kryerja e transaksioneve në cash dhe jo përmes kanaleve bankare), etj. Kjo e fundit është aq e vërtetë sa nuk e teprojmë të themi se tashmë politiken monetare të vendit po e bëjnë zyrat noteriale që certifikojnë këto transaksione dhe jo autoriteti qendror monetar i vendit.

Ndërkaq, duhet pranuar edhe efekti pozitiv i kësaj situate në uljen relative të kostos së borxhit publik dhe se importet janë relativisht më të lira për të blerë për shkak të monedhës së mbivlerësuar. Po kështu, orientimi përherë e më shumë i konsumatorëve drejt importit, nuk mund të mos dëmtojnë industritë vendase, edhe kështu siç janë duke punuar nën kapacitet dhe në një shkallë të ulët të zhvillimit të tyre.

Siç na mëson teoria dhe studimet statistikore në vende të ndryshme dhe historitë e rasteve të ngjashme, konfirmojnë si gjetje themelore që mbivlerësimi i kursit të këmbimit mund të zvogëlojë efikasitetin ekonomik, të shpërndajë burimet e rritjes dhe të zhvillimit ekonomik në mënyrë të gabuar, të nxisë largimin e kapitalit nga vendi, etj. Këto mund të jenë konsekuencat më të mundshme të situatës së pazakontë që po kalon vendi në fushën monetare. D.m.th. kjo situatë mund të përkeqësojë efektivitetin ekonomik që përkthehet në më shumë falimetime biznesesh dhe papunësi më e lartë, mosrritje pagash dhe përkeqësim të statusit të të punësuarve; zhvendosje e miliona Eurove investime në veprimtari që nuk kane lidhje me rritjen ekonomike dhe punësimin, siç janë p.sh. investimet në qiellgërvishtësit në qendër të Tiranës dhe shndërrimi në borxh të shtetit i investimeve private në infrastrukturën publike, kontratat e partneritetit publik-privat), zgjerimi i mundësive për futjen në qarkullim ekonomik të parave me origjinë kriminale – të droges, etj.); largimi i qindra miliona Eurove nga vendi, ulja e atraktivitetit të vendit për investimet e huaja direkte, të cilat edhe pa këtë pragkrize mungojnë prej të paktën 4-5 vitesh, etj.

Në vlerësimin tim, është koha të pranojmë se përpjekjet për të mbrojtur një kurs këmbimi të tillë të mbivlerësuar të këmbimit të Euros në tregun e brendshëm nëpërmjet injorimit nga politika monetare e vendit rrezikon ta zhysë ekonominë tonë kombëtare në recension.

Ndoshta në ndëmarrjen e politikave fiskale, të politikave monetare apo të fushatave të ndërgjegjësimit publik mund të gjenden edhe disa nga rrugëzgjidhjet që zbusin sadopak efektet afat-mesme dhe afatgjata të kësaj situate.

Edhe pse mungojnë të dhënat zyrtare mbi sasinë e parave informale dhe atyre me origjinë kriminale që qarkullojnë në ekonominë shqiptare, mendoj se ndikimi shumëdimensional i këtyre parave, duke përfshirë edhe nivelin e demokracisë në vend, do të vijë duke u rritur krahas me ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe humbjen e besimit në këtë ekonomi që shoqëron mbiçmimin e lekut shqiptar. Në këto kushte, mendoj se një skenar i thjeshtë ndërhyrjesh mund të përfshinte këto elementë kryesorë:

a) Braktisjen nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria e fushatës për de-eurozimin e ekonomisë sonë kombëtare. Kjo do të ndihmonte që bankat të zgjerojnë kreditimin e ekonomise reale duke ulur njëkohësisht edhe kërkesën e rritur artficialisht për Lekë.

b) Banka e Shqipërisë, qeveria shqiptare dhe institucionet ligjzbatuse të bashkëpunojnë gjerësisht për forcimin e kontrollit, mbikqyrjes dhe parandalimit të pastrimit të parave për të ndëshkuar si përfshirjen e bankave në operacione të tilla, por edhe investimin e këtyre parave ne ekonominë tonë kombetare siç janë sektori i ndërtimit, lojrat e fatit (kazinote), tregtia online, etj.

c) Banka e Shqipërisë të ndërhyje në tregun e monedhës për frenimin e këtij procesi zhvleresimi të Euros, të bashkëpunojë gjerësisht me konsumatorët, depozituesit dhe bizneset me qëllim që situata të normalizohet gradualisht pa shkaktuar pasoja të tjera më të rënda në ekonominë tonë kombëtare.

d) Qeveria të rishikojë politikat fiskale të ndjekura deri më sot me qëllim anullimin e përjashtimeve dhe favoreve fiskale (përndryshe të nxitësve fiskalë) dhe rikthimin në fillim të vitit 2019 të taksës së sheshtë, ndoshta në një nivel pak më të rritur, psh 12% me qëllim që të mos preket niveli i të ardhurave buxhetore dhe të ruhet ritmi i parashikuar i rritjes se tyre duke zgjeruar bazën tatimore dhe kurrsesi rritur taksat siç ka rrezik të ndodhë në kushtet e sotme.

e) Banka e Shqipërisë dhe qeveria shqiptare të hartojnë një plan kombëtar trevjeçar për adoptimin e Euros duke zëvendësuar Lekun. Shpallja e këtij plani do të dekurajonte procesin e sotëm të zhvlerësimit të Euros duke rikthyer besimin e investitorëve dhe të konsumatorëve në të.

f) Qeveria shqiptare të rivlerësojë buxhetin e shteti për vitin në vijim me qëllim rishikimin në ulje të shpenzimeve operative në funsksion të garantimit të kryerjes së investimeve publike edhe në kushtet e mosrealizimit të të ardhurave të parashikuara.

g) Pezullimi i zbatimit të kontratave koncesionare të tipit PPP dhe përmirësimi i klimës së biznesit të shihet si mundësia kryesore për të kompensuar ngadalësimin e rritjes ekonomike të shkaktuar nga zhvlerësimi i Euros.

h) Qeveria shqiptare të ndalojë me ligj hyrjen e kompanive të tipit “off-shore” dhe të rregullojë me ligj detyrimin e kompanive të tilla që janë prezent në ekonominë shqiptare për deklarimin e aksionerëve, bordeve drejtuese, transksioneve,etj., nën shembullin e amendimeve përkatëse të BE të kryera gjatë vitit të fundit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0