Java Ndërkombëtare e Sipërmarrjes (GEW Albania) është çelur sot me synim promovimin e inovacionit dhe kreativitetin të sipërmarrësve.
Në fjalën e hapjes, e cila do të pasojë me një cikël eventesh, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, tha se, “kjo javë do t’u japë mundësinë sipërmarrësve dhe bizneseve të vogla të flasim për mënyrat se si mund të rritet një biznes, se i nëpërmjet inovacionit mund të zhvillohet dhe mund t’i shërbehet ekosistemit ekzistues ekonomik, se si start up-et mund të bashkëveprojnë më mirë me bizneset ekzistuese, si start up-et duhet të krijojnë ide për zhvillimin e atyre sektorëve strategjikë që tashmë Shqipëria ka dhe atyre sektorëve që kanë potencial më të lartë qoftë për zhvillim vendas, qoftë për ndërkombëtarizim. Gjatë kësaj Jave, start up-et do të kenë mundësi të prezantojnë idetë e tyre, publikut të gjerë dhe atyre bizneseve të cilët kanë kapitale për të investuar”.
Gjatë javës së sipërmarrjes (13-19 mëntor) do të zhvillohen mbi 60 evente në Tiranë, Shkodër, Korçë dhe Vlorë.
Sesionet që do të organizohen do të përfshijnë:
- Aftësim dhe frymëzim nga histori suksesi sipërmarrjesh kombëtare dhe ndërkombëtare
- Motivim nga folës dinamik dhe takime me mentorë
- Programe aftësimi me partnerë të ndryshëm
- Diskutime me gratë sipërmarrëse, të rinj ambiciozë dhe drejtues biznesesh
- Diskutime në panele, prezantime dhe raporte të industrive
- Vizita në biznese dhe takime të dedikuara me drejtues të korporatave të huaja dhe vendase
Përmes aktiviteteve, GEW Albania synon të frymëzojë, motivojë, fuqizojë, lidhë dhe ndajë njohuritë në fushën e sipërmarrjes me studentët, studentët sipërmarrës, mentorët dhe partnerët e biznesit.
“Kjo javë do t’u shërbejë më së miri Qeverisë dhe politikëbërësve, të cilët do të kenë afër të gjithë komunitetin e sipërmarrjes, me synim diskutimin rreth zhvillimit të qëndrueshëm, përmirësimin e klimës së biznesit dhe përmirësimin e standardeve dhe shërbimeve që qeveria ofron për ta”, tha Ibrahimaj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto