Mastershef Fundim Gjepali e ndan pasionin e tij për kuzhinën mes Shqipërisë dhe Italisë. Gjepali ka një eksperincë 20 vjeçare në këtë fushë. Ai punon prej 12 vitesh si shef kuzhine në një nga restorantet më të njohura në Romë, “Antico Arco” dhe tashmë është edhe pjesë e grupit drejtues të restorantit.
Prej 4 vitesh ka hapur restorantin “Padam” një nga më të mirët në Tiranë dhe vitin e kaluar themeloi në origjinën e tij, Shijak, “Agroturizëm Gjepali”, një fermë që siç thotë ai “e ka ndërtuar në mes të asgjësë”, por tani konsiderohet si një investim tërheqës për turistët vendas dhe të huaj duke ofruar ushqime tradicionale shqiptare.
Fundimi ka shpirt sipërmarrësi dhe pasioni për gjërat që bën e ka udhëhequr drejt suksesit. “Unë jam gjithmonë në kërkim të risive, realizoj gjëra, të cilat të tjerëve u duken të pamundura. Besimi tek gjerat që dua janë burimi im i energjisë”, thotë ai.
Mastershef Fundimi nuk është bërë rastësisht kuzhinier dhe më pas sipërmarrës. Ai na tregon për rrugëtimin e gjatë, që e bën të ndihet i realizuar. “Jam larguar nga Shqipëria që në moshën 14 vjeç, punoja si ndihmës-kuzhinier në Romë, për të ndihmuar familjen”. Me dëshirën për të mësuar dhe pasionin e madh arriti të bëhej shef kuzhine.
Gjepali ka marrë pjesë në shumë kurse dhe konferenca në Francë, Spanjë, Itali, ku ka mësuar më shumë për gatimin, jo thjesht receta të reja, por për shkrirjen e mundshme të përbërësve, metodat dhe teknikat e ndërtimit të pjatave.
Në shumë konkurse ai është vlerësuar për aftësinë e tij në gatim.
Në vitin 2014 ai u nderua me çmimin e parë në “Gran Prix të International”.
Në tetor 2016 Gjepali fitoi konkursin “La Granda” për recetën më të mirë të mishit.
Më 28 dhjetor 2016 me Padam Boutique Hotel & Restaurant, ai fitoi çmimin “Bletë e Artë” për kategorinë restorant.
Fundim Gjepali ka qenë gjithashtu anëtar i juries së MaterChef Albania, duke promovuar gjeneratën e re në fushën e gatimit.
Teksa flet me shumë entuziazëm për punën dhe të ardhmen, shef Fundimi shpreh edhe dashurinë për vendin. “Themelimi i ‘Agroturizëm Gjepali’, miqve të mi iu duk absurde, pse duhet të investoja në Shqipëri, përderisa jetoj dhe punoj në Itali. Por unë e dua vendlindjen time, prandaj dëshiroj ta shikoj të lulëzojë dhe të jetë plot gjallëri”. Ai shprehet se i pëlqen të bëjë gjëra, që e identifikojnë, sidomos në gastronomi prandaj edhe u kushton rëndësi produkteve vendase. Ka qenë ndër të parët, që ka përdorur verërat shqiptare, përtej skepticizmit të njerëzve.
Fundimi thotë me krenari se një pjesë e stafit të tij përbëhet nga të rinj të motivuar dhe plot energji, të cilët ai i ndihmon të mësojnë dhe të investojnë tek vetja.
“Të rinjtë shqiptarë kanë shumë energji, janë puntorë dhe kam plotësisht besim, se nëse i mbështesim ata do të sjellin frymën e ndryshimit në vend”, thotë Fundimi.
Për të mësuar më shumë rreth eksperiencës së tij dhe për të sjellë një diskutim plot “shije”, Fundim Gjepali do të jetë me ne në BusinessMag, në episodin e rradhës të LiveMe.
Për të na ndjekur në këtë episod, mund të klikoni këtu.
Platforma jonë është për ËNDËRRIMTARËT. Ata janë personat që mendojnë ndryshe dhe janë në gjendje të ndryshojnë botën.
A je ti një prej tyre?
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.