Qeveria shqiptare ka vendosur sot përdorimin e maskës/barrierën mbrojtëse prej tekstili si të detyrueshme në çdo ambient të mbyllur.
Pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi se ky vendim, është një tjetër hap drejt forcimit të masave për frenimin e përhapjes së Covid-19. Në rast të mosrespektimit të këtij detyrimi, policia e shtetit, policia bashkiake, strukturat e inspektoriateve shtetërore, do të penalizojnë me gjobë shkelësit. Masa e gjobës është vendosur 2 mijë lek të reja për çdo thyerje të rregullit.
“Nëpërmjet vendimit të sotëm të qeverisë dhe aktit normativ, detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të Covid-19 do të jetë detyrim për çdo individ në të gjitha ambientet e mbyllura; në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik; në zyra, shkallë pallati, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, supermakatat, tregjet dhe njësitë e shërbimit”.
Ministrja e Shëndetësisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e kësaj mase që ndërmerret me qëllim mbrojtjen e shëndetit.
‘Sakrifica’ që kërkohet prej jush nuk është mbyllja. Ajo çfarë kërkohet është vendosja e maskës, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur të afërmit”, – tha Manastirliu.
Duke deklaruar se në vendin tonë ka aktualisht një situatë epidemiologjike me përhapje komunitare në disa bashki, Manastirliu tha se hapëm përsëri spitalin e dytë Covid, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar të pacientëve, si pasojë e shtimit të numrit të infeksioneve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.