“Maldivet e Europës” në sytë e botës, Shqipëria zbardh planin 88 ... - Business Magazine Albania

“Maldivet e Europës” në sytë e botës, Shqipëria zbardh planin 88 milionë eurosh për të tërhequr turistët

Nga një cep i harruar i Ballkanit në një perlë që po ngjall zili në rrjetet sociale, Shqipëria është zyrtarisht në radarët e udhëtarëve ndërkombëtarë. Me plazhe, ujëra të kristaltë dhe çmime që disa turistë i konsiderojnë si nga një epokë tjetër, vendi ynë po përjeton një bum turistik që vetëm disa vite më parë do dukej si ëndërr.

Tashmë e quajtur gjerësisht “Maldivet e Europës”, Shqipëria po sfidon destinacionet tradicionale të Mesdheut jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për çmimet që nuk lënë vend për hezitim, një gotë birrë kushton rreth 2 euro, ndërsa një darkë për dy persona në një restorant të mirë mezi kalon 38 euro.

Lexo gjithashtu: Shqipëria, destinacion i ri për turizmin dentar dhe estetik/ Pse vijnë të huajt?

Në prill, temperaturat shkojnë deri në 19°C, një klimë që i jep plazheve shqiptare një fillim të hershëm sezoni krahasuar me fqinjët mesdhetarë. Ndërkohë, TikTok-u dhe Instagram-i janë mbushur me pamje spektakolare të Ksamilit, Dhermiut apo Thethit, duke e kthyer Shqipërinë në një fenomen të vërtetë dixhital.

Një ëndërr e përballueshme me pamje nga parajsa

Ekspertët e udhëtimeve nga blogu Travels Of A Book Packer nuk i kanë kursyer lavdërimet: “Natyra në Shqipëri është fenomenale, me vargmale, lumenj, liqene dhe disa nga plazhet më të bukura në botë (po, e thamë!). Nëse shton qytetet e veçanta, trashëgiminë e UNESCO-s dhe çmimet që të bëjnë të mos i besosh, ke përpara një destinacion që i ka të gjitha.”

Nga ecjet në Alpet Shqiptare me pamje që të marrin frymën, te zbulimi i kështjellës së Rozafës në Shkodër, apo banjat natyrore, ujëvarat dhe bunkerët misteriozë, Shqipëria është një kombinim perfekt për çdo lloj turisti.

Aeroporti i Vlorës, një portë e re drejt jugut të egër

Për të përforcuar këtë hov turistik, qeveria shqiptare ka hedhur në letër një investim prej mbi 88 milionë paundësh për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, një projekt gjigand që synon të lehtësojë qasjen drejt bregdetit shqiptar dhe të reduktojë distancën nga Tirana. Me një pistë 3 kilometra të gjatë dhe terminal modern, aeroporti pritet të hapet në pranverën e vitit 2025.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku e cilësoi këtë projekt si “inovativ”, duke theksuar se i gjithë aeroporti do të jetë i mbuluar me panele diellore që do prodhojnë 5.2 MWh energji të rinovueshme për nevojat e vetë godinës.

Lexo gjithashtu: Nga ofertat turistike tek startup-et që marrin pjesë, ja çfarë do të ndodhë në panairin e turizmit ITB Berlin 2025

Por jo gjithçka është “rozë”, ambientalistët alarmohen

Ndërsa projekti është një lajm i mirë për turizmin, ka nxitur kundërshti nga ambientalistët vendas dhe ndërkombëtarë. Aeroporti po ndërtohet pranë Lagunës së Nartës, një zonë e mbrojtur dhe shtëpi e më shumë se 3,000 flamingove dhe qindra specieve të tjera të shpendëve.

Taulant Bino nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare ka qenë ndër zërat më kritikë: “Kjo është një zonë e mbrojtur me rëndësi jetike për biodiversitetin. Nuk ka logjikë që të ndërtohet një aeroport kaq pranë një tjetri, si ai i Rinasit. Duhet të rishikohen alternativat.”

Shqipëria në udhëkryq, midis zhvillimit dhe natyrës

Me një imazh që po riformatohet çdo ditë, Shqipëria ndodhet në një moment kyç, një vend që më në fund po merr vëmendjen që meriton, por që duhet të mbajë ekuilibrin mes zhvillimit dhe ruajtjes së trashëgimisë natyrore.

Nëse investimet bëhen me kujdes dhe me respekt për mjedisin, atëherë “Maldivet e Europës” do të jenë jo vetëm një slogan, por një realitet i qëndrueshëm për brezat që vijnë.

Mirror

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0