Në një epokë të trazuar nga luftërat, inflacioni dhe transformimi teknologjik, një tjetër krizë po piqet në heshtje, ajo e zhdukjes së vendeve të punës njerëzore. Dhe kjo krizë mund të jetë më e thellë dhe më afatgjatë se çdo krizë tjetër me të cilën përballemi sot.
Lexo gjithashtu: Raketë apo avion? Këta janë 10 gjigandët e qiellit që fluturojnë më shpejt se imagjinata
Ndërkohë që inteligjenca artificiale po përhapet me ritme marramendëse, liderët e korporatave përballen me një dilemë të vështirë, a duhet të ndjekin logjikën e maksimizimit të efikasitetit, duke automatizuar çdo funksion të mundshëm, apo të mbrojnë strukturën socio-ekonomike që siguron konsum, stabilitet dhe zhvillim?
Sipas McKinsey, deri në vitin 2030, rreth 30% e orëve të punës në SHBA mund të automatizohen, ndërsa Goldman Sachs paralajmëron për 300 milionë vende pune të rrezikuara në nivel global. Edhe skenarët më optimistë, si ai i Forumit Ekonomik Botëror, që parashikon krijimin e 170 milionë roleve të reja, duken të brishtë përballë realitetit që shumica e këtyre vendeve të reja janë po aq të automatizueshme sa ato që po zhduken.
Lexo gjithashtu: Suksesi i vërtetë i AI janë njerëzit, mesazhet nga ‘Leadership Forum 6’
Por çfarë ndodh me një ekonomi ku njerëzit nuk punojnë? Kush do të blejë produktet dhe shërbimet që ofrojnë makineritë? Kjo është dilema që ngre Faisal Hoque në një analizë të fundit që po qarkullon gjerësisht në qarqet e biznesit global. Sipas tij, nëse kompanitë nuk e konsiderojnë dimensionin njerëzor si pjesë integrale të suksesit të tyre, rrezikojnë të minojnë vetë themelet mbi të cilat ngrihen.
Përtej maksimizimit të prodhimit, një ekonomi ka nevojë për konsumatorë aktivë. Nëse AI shkakton papunësi masive, fuqia blerëse bie, dhe një deflacion i zgjatur mund të trondisë sistemin ekonomik global. Makineritë nuk blejnë iPhone, nuk marrin kredi, nuk konsumojnë argëtim apo ushqim, njerëzit e bëjnë këtë.
Zgjidhja? Jo të ndalojmë teknologjinë, por ta menaxhojmë me urtësi. Kompanitë që do të udhëheqin epokën e re, sipas Hoque, janë ato që:
-Ruajnë pozicionet hyrëse, edhe kur mund të automatizohen;
-Investojnë në ritrajnim dhe rikualifikim të punonjësve, për t’i përgatitur për rolet e së nesërmes;
-Adoptojnë liderizëm të përgjegjshëm dhe regenerativ, ku vendimmarrja nuk është vetëm për tremujorin e radhës, por për dekadat që vijnë.
Në fund të fundit, suksesi në epokën e AI nuk do t’i përkasë atyre që automatizojnë më shpejt, por atyre që e bëjnë me vizion dhe ndjeshmëri sociale. Sepse mirëqenia nuk ndërtohet vetëm me algoritme, por me njerëz që kanë një vend, një rol dhe një qëllim në këtë sistem ekonomik.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.