Majlinda Bregu: Zgjerimi i BE-së, a po planifikon Europa anëtarë të rinj apo vetëm kandidatë? - Business Magazine Albania

Majlinda Bregu: Zgjerimi i BE-së, a po planifikon Europa anëtarë të rinj apo vetëm kandidatë?

Nga Majlinda Bregu – ‘Kostoja e moszgjerimit të BE-së do të ishte më e lartë sesa ajo e anëtarësimit.” Ky është përfundimi i Komitetit AFET* të Parlamentit Europian, i miratuar dje, i cili e trajton zgjerimin e BE-së si një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë gjeopolitike të Unionit.

Vonesa e zgjerimit rrezikon krijimin e zonave gjeopolitike gri, të cenueshme ndaj ndikimeve keqdashëse. Disa vende kandidate kanë vendosur tashmë objektiva ambicioze për përmbylljen e negociatave, edhe pse Bashkimi Europian ku ato synojnë të anëtarësohen do të jetë ndryshe nga ai që ne njohim sot.

Përputhja e përfundimeve të AFET me konsultimet aktuale për Kuadrin e ardhshëm Financiar Shumëvjeçar të BE-së (MFF 2028–2034) e rikthen debatin te një e vërtetë e thjeshtë: paratë kanë rëndësi!

Nga shumë realitete që ndikojnë këtë debat, njëri është veçanërisht i vështirë për t’u injoruar (shpresoj): gjatë këtij cikli të MFF-së, disa vende që aktualisht janë në proces zgjerimi pritet të bëhen Shtete Anëtare të BE-së.

Lexo edhe: Inflacioni rikthehet në skenë? Alarm i ri për BQE-në në prag të vitit 2026

Drafti i ri buxhetor i BE-së, 2028–2034, me një vlerë afërsisht 2 trilionë euro, e vendos zgjerimin brenda kapitullit “Global Europe”, i cili arrin rreth 190–200 miliardë euro.
Brenda tij, Instrumenti për Zgjerim dhe Fqinjësi parashikohet të marrë rreth 42.6 miliardë euro, pra vetëm 2.2% të buxhetit total.

Këto 42.6 miliardë euro aktualisht mbulojnë:
-të gjitha vendet ne proces zgjerimi (pra edhe Ukrainën dhe Moldavinë plus 6 vendet e Ballkanit Perěndimor),
-politikën e fqinjësisë,
dhe konkurrojnë me krizat globale, sigurinë, migracionin dhe prioritetet gjeopolitike.

Kjo arkitekturë ngre një pyetje themelore:

A po merr parasysh Plani i ri Financiar i Be-së edhe mundësinë e zgjerimit me anëtarë të rinj apo ka planifikuar gjithcka duke ruajtuar statusin aktual te vende kandidate?!
Nëse Shqipëria dhe Mali i Zi anëtarësohen brenda 2034, financimi për frymë do të duhet domosdoshmërisht të rritet.

Aktualisht, vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6) marrin mesatarisht jo më shumë se 40 euro për frymë në vit.
Nëse Shqipëria anëtarësohet gjatë ciklit të ardhshëm Financiar 2028-2034
-ajo del nga Global Europe Instrumenti për Zgjerim dhe Fqinjësi (ENI),
-hyn në Politikën e Kohezionit, Politikën e Përbashkët Bujqësore (CAP) dhe programet e brendshme të BE-së,

Shqipëria dhe Mali i Zi, dy vendet e radhës për anëtarësim, do të kenë nevojë për 500–1000 euro për frymë në vit, çka më çon sërish në këtë përfundim:
Nëse Kuadri i Ri financiar i BE-së,nuk parashikon një mekanizëm të qartë tranzicioni për anëtarësimin dhe supozon se zgjerimi mund të absorbohet pa ndryshime strukturore, atëherë 🇪🇺 po rrezikon të mbetet strukturalisht e papërgatitur pikërisht për atë rezultat politik që sot e quan prioritet strategjik!

Jo më i vogël është rreziku që një “luftë për buxhetin” mes vendeve anëtare të BE-së, ta kthejë anëtarësimin në një debat shifrash, në vend që të jetë një proces integrimi reformues, i menaxhuar dhe i planifikuar mirë.

Pikërisht për këtë arsye, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të mblidhen së bashku dhe të kërkojnë qartësi për:
-një portofol të dedikuar për zgjerimin, brenda ose paralel me “Global Europe”,
-një periudhë buxhetore tranzitore të qartë për te kaluar nga para-anëtarësimi në anëtarësim të plotë,
-një Buxhet Europian që përputh ambicien politike me planet afatmesme financiare dhe mbi te gjitha realitetin gjeopolitik.

*AFET është Komiteti për Punët e Jashtme sipas emërtimit francez Affaires étrangères, më parë i njohur si Komiteti për Çështjet Politike

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0