Një nga vendet më të lumtura në botë po promovon mënyrën e tij të jetesës si recetë për shëndet dhe qetësi shpirtërore. Në një fushatë të re satirike, bordi turistik i Suedisë ka lançuar nismën “The Swedish Prescription” (Receta Suedeze), duke e prezantuar vendin si një “kurë natyrale” për trupin dhe mendjen. Ideja synon të tregojë se aktivitetet e përditshme suedeze, të rrënjosura në kulturën e qetësisë dhe ekuilibrit, mund të përmirësojnë ndjeshëm mirëqenien.
Fushata, e krijuar në bashkëpunim me profesoreshën e shëndetit publik Yvonne Forsell, i fton turistët t’i “përshkruajnë” vetes një eksperiencë në Suedi, të personalizuar sipas nevojave, qëllimeve dhe kohëzgjatjes së qëndrimit.
Ndër “recetat” e propozuara janë: qetësimi në pyjet suedeze për uljen e stresit, gjumë cilësor falë ajrit të pastër dhe mungesës së ndotjes akustike, si dhe praktika tradicionale ‘Fika’…momenti suedez për të ndalur, për të pirë një kafe e për të shijuar shoqërinë, larg telefonit dhe presionit të përditshëm.
“Fika është më shumë se një pushim, është një mënyrë për të rindezur lidhjen me veten dhe me të tjerët,” shpjegon Visit Sweden. Studimet tregojnë se kjo praktikë lidhet me ulje të stresit dhe rritje të përqendrimit.
Lexo edhe: Jeff Bezos: AI është në një “flluskë industriale”, por do sjellë përfitime gjigante për shoqërinë
Në të njëjtën frymë, fushata promovon edhe dëgjimin e muzikës suedeze, çiklizmin, vizitat në muze dhe artin publik si mënyra për të rritur energjinë dhe frymën pozitive.
“Suedia është e mbushur me aktivitete që të bëjnë të ndihesh mirë,” – shprehet Forsell. “Në verë, dielli nuk perëndon për 100 ditë – imagjinoni çfarë mund të bëjë drita e pandërprerë për shëndetin tuaj.”
Edhe pse fushata është me tone të lehta e humoristike, ajo mbështetet nga profesionistë të shëndetit, përfshirë mjekë të njohur nga Britania, SHBA dhe Gjermania.
Sipas tyre, shumë nga aktivitetet që promovon “Receta Suedeze” kanë bazë shkencore: sauna ndihmon në gjumë të thellë dhe redukton rrezikun e Alzheimerit, ndërsa praktika sociale si “Fika” përmirësojnë ndjeshëm shëndetin mendor dhe rezistencën ndaj stresit emocional.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto