Lufta teknologjike në timon, Volvo 'ndahet' mes Perëndimit dhe Kinës - Business Magazine Albania

Lufta teknologjike në timon, Volvo ‘ndahet’ mes Perëndimit dhe Kinës

Pse Volvo është më shumë se një makinë, është një filozofi e përgjegjshme ndaj planetit

Ndërsa tensionet tregtare midis Perëndimit dhe Kinës përshkallëzohen, Volvo Cars po përshtatet me realitetin e ri duke zhvilluar teknologji të veçanta për tregjet perëndimore dhe ato kineze, tha CEO i kompanisë suedeze, Håkan Samuelsson, në një intervistë për Euronews në simpoziumin EVS38 në Gothenburg të Suedisë.“Objektivi ynë tani është të kemi dy versione të ndryshme për softuerin dhe komponentët ‘silicon’ – kompjuterin brenda makinës,” deklaroi ai. “Na duhet një version për Perëndimin dhe një tjetër për Kinën. Kjo është një situatë me të cilën duhet të mësohemi dhe të përshtatemi.”

Nga global në lokal, përplasja teknologjike që po riformaton industrinë

Volvo, e themeluar në Gothenburg që prej vitit 1927, është në pronësi shumicë të kompanisë kineze Geely që nga viti 2010. Por lidhjet me Kinën janë gjithnjë e më shumë burim tensioni për kompaninë, veçanërisht në tregun amerikan. Samuelsson paralajmëroi se pa përshtatje të veçanta për secilin treg, kërkimi dhe zhvillimi në Kinë mund të komplikojë eksportet drejt SHBA-së – në veçanti, ndërsa administrata Trump përpiqet të shkëputet nga teknologjia kineze.

Kujtojmë se në janar 2025, SHBA miratoi një rregullore që ndalon automjetet inteligjente nga Kina dhe Rusia, për shkak të shqetësimeve për rrjedhje të dhënash apo ndërhyrje në infrastrukturat kritike amerikane, si rrjeti elektrik.

“Nuk shohim asnjë rrezik… që do të përdorim teknologji kineze në SHBA. Kjo nuk do të ndodhë,” u shpreh prerazi Samuelsson.

Fokus i ri në dy superfuqi: SHBA dhe Kina

Në raportin e tremujorit të parë për vitin 2025, Volvo Cars raportoi rënie të fitimeve, të cilën e lidh me “turbulencat e gjera në ekonominë globale”. Një ndër faktorët kyç: tarifat e reja 25% të vendosura nga SHBA për makinat dhe pjesët e huaja, që po ulin kërkesën dhe po rrisin koston e importit.

Për të përballuar sfidat, Volvo ka shpallur një plan veprimi për përmirësimin e fitimeve, duke e përqendruar strategjinë në tregjet e SHBA-së dhe Kinës.

Lexo edhe: Nga i pastrehë në milioner, çfarë e bën Brian Tracy-n një legjendë

Samuelsson nënvizoi se kompania po ndryshon qasjen ndaj tregut kinez: “Duhet të dëgjojmë më shumë zërin lokal, të përshtatemi me zakonet dhe shijet e rajonit – dhe ndoshta të krijojmë edhe modele të veçanta për tregun kinez.”

Një shembull është modeli i ri XC70, një plug-in hybrid me rreze të zgjeruar, i lançuar së fundmi në Kinë për të konkurruar markat vendase si BYD.

Megjithatë, në tremujorin e parë të këtij viti, shitjet e Volvo në Kinë ranë me 12% në krahasim me një vit më parë, ndërsa në SHBA shënuan rritje me 8%, pjesërisht për shkak të “tariff frontloading” – konsumatorët që blejnë përpara hyrjes në fuqi të tarifave. Në SHBA, makinat elektrike dhe hibride zinin 28% të totalit të shitjeve, përkundër vetëm 10% në Kinë.

Europa, ende bërthama e shitjeve, por gjithnjë më shumë nën trysni

Edhe pse Volvo po orienton strategjinë drejt SHBA-së dhe Kinës, tregu europian mbetet jetik – duke përfaqësuar gati gjysmën e shitjeve për 2024 dhe për tremujorin e parë 2025. Disa modele prodhohen në Belgjikë dhe Suedi, të tjerat në Kinë dhe eksportohen në BE, duke i ekspozuar ndaj tarifave të reja që BE-ja ka vendosur ndaj automjeteve kineze për shkak të subvencioneve të padrejta.

“Tarifat nuk do ta ndihmojnë industrinë europiane të bëhet më konkurruese në planin afatgjatë,” tha Samuelsson. “Duhet të kemi një qasje të tregtisë së lirë dhe konkurrencës së drejtë… por realisht, kjo nuk do të ndodhë. Po hyjmë në një botë më rajonale.”

Bashkëpunimi BE-Kinë: Çfarë do të thotë për Volvo?

Një plan i fundit i Komisionit Europian sugjeron që prodhuesit kinezë të makinave që operojnë në BE mund të detyrohen të krijojnë ‘joint ventures’ me kompani europiane ose të licencojnë teknologjinë e tyre.

I pyetur për ndikimin që mund të ketë ky zhvillim te Volvo, duke pasur parasysh pronësinë nga Geely, Samuelsson u tregua i sigurt se firma nuk do të preket, duke theksuar se zhvillimi i softuerëve vazhdon të ndodhë kryesisht në Europë.

“Nuk shoh asnjë problem me teknologjinë kineze në makinat tona… produktet softuerike janë në pjesën më të madhe të zhvilluara dhe përshtatura nga vetë Volvo,” tha ai.

Euronews.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Mëso nga e djeshmja, jeto të sotmen, shpreso për të nesërmen. E rëndësishme është të mos ndalesh së pyeturi.”
— Albert Einstein
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0