Startup-i amerikan i shëndetit për kafshët, Loyal, ka siguruar tashmë mbi 250 milionë dollarë investime për të zhvilluar barna që synojnë t’i ndihmojnë qentë, dhe potencialisht një ditë edhe njerëzit, të jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm.
Më 11 shkurt, kompania njoftoi se ka mbyllur me sukses një raund financimi Series C prej 100 milionë dollarësh, ndërsa vijon procesin për të marrë miratimin e FDA-së për LOY-002, një ilaç me recetë në formë pilule ditore me shije viçi, i dizajnuar për të zgjatur jetëgjatësinë e shëndetshme të qenve të moshuar. Ky medikament imiton disa nga efektet e dietës me kufizim kalorik, duke ndihmuar në adresimin e problemeve metabolike që lidhen me plakjen, pa pasur nevojë që pronarët t’ua reduktojnë ushqimin qenve apo t’ua kufizojnë oreksin.
“Njerëzit nuk duan që qentë e tyre të humbasin motivimin për ushqim, sepse kështu trajnohen qentë,” shprehet themeluesja dhe CEO e Loyal, Celine Halioua. “Mënyra se si i kemi domestikuar qentë ka qenë duke ndarë ushqimin me ta; humbja e kësaj mund të ndikojë realisht në lidhjen mes qenit dhe njeriut.”
Megjithatë, njerëzit duan që kjo lidhje të zgjasë më shumë se sa lejon zakonisht jetëgjatësia e një qeni. Halioua e themeloi Loyal në fund të vitit 2019, pas përvojës së saj si shefe e stafit në The Longevity Fund, një fond investimesh i fokusuar në zgjatjen e jetës, i themeluar nga Laura Deming dhe një nga mbështetësit e hershëm të Loyal. Ajo thotë se e kuptoi se barnat për zgjatjen e jetës së qenve mund të shërbejnë një ditë si bazë edhe për trajtime të ngjashme te njerëzit, pasi dy speciet janë të ngjashme në shumë aspekte dhe testimet te qentë janë më të shpejta për shkak të jetëgjatësisë më të shkurtër.
Si dashamirëse e madhe e qenve , në një intervistë të fundit për Fast Company, Halioua u shfaq edhe me qenin e saj të sapoadoptuar, një Rottweiler me emrin Wilma, ajo pa gjithashtu potencial të madh tregu te pronarët e kafshëve shtëpiake. “Mu duk një mënyrë shumë e realizueshme për të punuar mbi një problem që të gjithë e ndiejmë: fakti që kemi shumë pak kohë me qentë që duam,” thotë ajo.
LOY-002 është një nga tre barnat për jetëgjatësi të qenve që Loyal ka në zhvillim. Halioua shprehet se kompania shpreson të dorëzojë këtë vit kërkesën e fundit për miratimin e zgjeruar të kushtëzuar nga FDA. Kjo do të niste një proces shqyrtimi rreth gjashtëmujor për atë që do të ishte ilaçi i parë i miratuar nga FDA për zgjatjen e jetëgjatësisë për ndonjë specie. Ky zhvillim vjen në një kohë kur interesi për trajtime mjekësore që synojnë zgjatjen e jetës së shëndetshme po rritet ndjeshëm edhe te njerëzit.
“Kur fillova të prezantoja The Longevity Fund në vitin 2013, ishte një ide shumë niche dhe njerëzit qeshnin me mua,” shkruan Laura Deming për Fast Company. “Sot, kjo është një kategori legjitime investimi.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto