Loja e mjegullt korporative e inteligjencës artificiale duhet të marrë fund! - Business Magazine Albania

Loja e mjegullt korporative e inteligjencës artificiale duhet të marrë fund!

Inteligjenca artificiale (AI) po zhvillohet me ritme të shpejta dhe ndikon çdo ditë e më shumë në jetën tonë. Nuk pritet që ajo të na çojë në një botë perfekte teknologjike apo të zhdukë njerëzimin, por e ardhmja do të jetë diku në mes, e ndikuar nga vendimet që marrim sot për të drejtuar dhe kufizuar zhvillimin e saj.

Shtetet e Bashkuara, si lider global në AI, kanë një rol kyç në formësimin e kësaj të ardhmeje. Por Plani i fundit i Veprimit për AI i shpallur nga Presidenti Donald Trump hoqi dorë nga rregullimi i fortë dhe zgjodhi një qasje që favorizon zhvillimin e shpejtë të teknologjisë. Kjo e bën edhe më të rëndësishme rolin që duhet të luajnë shtetet, investitorët dhe publiku për të kërkuar përgjegjshmëri përmes një mjeti më pak të diskutuar: qeverisjes korporative.

Gazetarja Karen Hao, në librin Empire of AI, tregon se kompanitë më të mëdha të teknologjisë janë të përfshira në survejim të gjerë, shfrytëzim të punëtorëve dhe ndikime serioze ndaj mjedisit. Ironikisht, shumë prej tyre janë të regjistruara si “public-benefit corporations” (PBC) – kompani që supozohet se punojnë për të mirën publike. Por në praktikë, ky status përdoret më shumë si justifikim moral sesa si përgjegjësi reale.

Shumë kompani e përdorin modelin PBC për të krijuar imazhin se kujdesen për etikën dhe shoqërinë, ndërsa vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të paqartë dhe shpesh të dëmshme. Një shembull është kompania xAI e Elon Musk, që thotë se ka për mision të “kuptojë universin”. Por në të njëjtën kohë, ndërton një superkompjuter ndotës pranë komuniteteve të pambrojtura dhe krijon një chatbot që lavdëron Hitlerin, veprime që tregojnë mungesë transparence dhe ndjeshmërie etike.

Lexo edhe:Elon Musk sfidon Trump: A ka shanse partia e re për sukses në SHBA?

Modeli PBC është premtues në teori, pasi lejon kombinimin e fitimit me interesin publik. Por në realitet – sidomos sipas ligjit të Delaware ku janë të regjistruara shumica e kompanive, ai ka mangësi të mëdha. Ligji nuk i detyron kompanitë të kenë objektiva të matshëm, nuk kërkon vlerësime të pavarura dhe raportimet mbi përfitimet publike nuk janë të detyrueshme të publikohen. Pra, publiku nuk e di nëse këto kompani e përmbushin misionin që shpallin. Në teori, aksionarët mund të padisin një kompani nëse ajo nuk përmbush detyrimet për të mirën publike. Por dëmet që sjell AI zakonisht prekin njerëz jashtë kompanisë, si komunitete të margjinalizuara apo punëtorë të nënvlerësuar, të cilët nuk kanë mjete reale për të kërkuar drejtësi.

Për të pasur ndikim real, modeli PBC duhet të bëhet më i fortë dhe më i qartë. Kompanitë duhet të kenë objektiva specifikë dhe të matshëm, të shkruar në dokumentet zyrtare dhe të lidhur me performancën e stafit. Për shembull, një kompani AI duhet të angazhohet për sigurinë e produkteve, reduktimin e paragjykimeve në algoritme, uljen e ndikimit në mjedis, kushte të ndershme pune dhe trajnime në etikë dhe të drejtat e njeriut. Bordet drejtuese duhet të përfshijnë ekspertë të pavarur në etikën e AI-së dhe çdo kompani duhet të ketë një zyrtar etikash me autoritet real për të ndalur ose ndryshuar projektet që nuk janë në përputhje me misionin publik. Gjithashtu, raportet e përvitshme duhet të jenë të detajuara, transparente dhe të audituara nga palë të treta, ekspertë të fushave përkatëse si teknologjia, mjedisi dhe të drejtat e punëtorëve. Plani i Trump e ka bërë të qartë se nuk do të ketë rregullim të fortë në nivel federal. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka zgjidhje. Ligjvënësit në shtete të ndryshme, investitorët dhe publiku mund dhe duhet të kërkojnë reforma në modelin PBC, për të siguruar që kompanitë e AI-së të mos përdorin etikën si mbulesë, por si pjesë thelbësore të veprimeve të tyre. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë dezinformimi, pabarazia dhe pushteti i pakufizuar i korporatave do të jenë ata që do të formësojnë të ardhmen tonë.

Christopher Marquis është profesor i menaxhimit në University of Cambridge dhe autor i librit “The Profiteers: How Business Privatizes Profits and Socializes Costs” (PublicAffairs, 2024).

Copyright: Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0