Publikimi i listës së pagave ka krijuar një skandal të madh në Shqipëri. Të dhënat e më shumë se 690 mijë punonjësve po qarkullojnë në telefonat privatë të qytetarëve, së bashku me numrat e kartave të identitetit, numrat e telefonit dhe pagat e tyre në kompanitë përkatëse, duke detyruar Prokurorinë e Tiranës të nisë një hetim, për shkelje privatësie që mund të cilësohet edhe si rrezik për sigurinë kombëtare.
Nga krahu tjetër ka analistë të cilët shprehen se transparenca e pagave është diçka e mirë që i shërben njerëzve dhe që do t’i ndihmojë ato dhe kompanitë, të kenë referenca më të mira në tregun e punës.
Në këtë lupë, për ekspertët e ekonomisë kjo listë pagash ishte diçka që nxirrte konkluzione dhe shqetësime reale mbi fenoneme të ekonomisë tonë. Igli Tola profesor në Fakultetin e Ekonomisë per Business Magazine shprehet se çështja e pagave nxori në pah disa fenomene shqetësuese:
“Në gjykimin tim ishin disa pika ku mund të ndalemi pagat si një nga format kryesore të ardhurave në familjet shqiptare.
Kështu ajo që vura re me shqetësim ishte niveli i lartë drejtues, të cilët kanë paga tejet të larta, ndërkohë që bien në disproporcion me punonjësit bazë të kompanisë. Dhe po të shohim me paga të larta ishin persona që po të flasim në në gjuhë ekonomike nuk krijojnë vlerë të shtuar në treg.
Lexo edhe: Ministria e Financave reagon pas bërjes publike të listës së pagave
Kanë paga të larta punonjës në nivele të larta menaxheriale që merren me tendera ose PPP, gazetarë të ndryshëm apo moderatorë. Profesionalizimi, apo angazhimi jot, eksperienca nuk është se vlerësohen. Rendi hierarkik apo mundësia për tu promovuar, jo vetëm nga ana profesionale, por edhe për tu shpërblyer monetarisht ngelte për të dëshiruar.
Shqetësimi tjetër që vë re është fakti që shumë kompani deklarojnë paga, që janë jashtë logjikës normale. Kam parë raste krahasuese me nivelet botërore dhe shumë kompani, kryesisht sistemi bankar ofron bonuse dhe shpërblime për performancën e mirë gjatë një viti , por në Shqipëri për menaxherët e nivelit të lartë ofrohej një shpërblim 30-50% në bazë të fitimit të realizuar. Një kompani me 2 milionë euro fitim, të shpërndajë për menaxherët si shpërblim për meritë diku te 600 mijë apo 1 milion dollar. Apo kompani që japin më shumë paga se çfarë realizojnë fitim. Nuk mund të shpërndash fitim më shumë se ke realizuar, sepse del jashtë logjikës ekonomike
Përballë këtij fakti, përveç hetimit që nisi nga Prokuroria për personat që nxorën të dhënat, duhej të niste dhe një hetim nga Tatimet në bashkëpunim me organet ligjvënëse për të kuptuar se çfarë fshihet pas këtyre skemave. Pagesa të tilla si 200 mijë euro, apo 700-800 mijë euro për punonjës të caktuar, nuk mund të akuzojmë, por lind minimalisht një dyshim se kemi të bëjmë me pastrim parash apo fshehje të ardhurash.
Sipas profesorit, Igli Tola, publikimi i listës së pagave do shkaktojë një konflikt të vërtetë social dhe mund të sjellë destabilitet në vend:
“Një shqetësim që është edhe më i madh, përveç se më duket më shumë një problem social, kjo ka dhe prapavijë ekonomike nga pas.
Mund të krijojë konflikt social, pasi kemi dëgjuar të flitet që do të dalin edhe të dhëna të tjera, si kreditë apo depozitat bankare, në këtë mënyrë do të jetojmë në një Big Brother të madh, ku gjithsecili di gjithçka . Kjo mund të sjellë hatërmbetje, mund të sjellë gjobvënie, shantazhe për persona të ndryshëm. Pra, e gjithë kjo krijon një klimë të paqëndrueshme sociale që do ketë dhe pasoja ekonomike. Do sjellë destabilitet social, dekurajim, sepse shumë njerëz që shohin padrejtësitë e ndryshme në lidhje me eksperiencën dhe njohuritë e tij dhe nuk paguhet për atë që meriton, do të jetë i frustuar.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.