Lidership me empati dhe forcë- Rrugëtimi i Dorina Shamos dhe përpjekja për të ndryshuar shëndetësinë private në Shqipëri! - Business Magazine Albania

Lidership me empati dhe forcë- Rrugëtimi i Dorina Shamos dhe përpjekja për të ndryshuar shëndetësinë private në Shqipëri!

Rrugëtimi i Dorina Shamos në sipërmarrje ka nisur nga pasioni për farmacisë dhe sot është shndërruar në një histori suksesi që prek disa fusha të shëndetësisë dhe estetikës. Çdo hap ka qenë i mbushur me sfida, por edhe me vendime të guximshme që e kanë formuar si lidere. Përmes farmacive, klinikave estetike dhe projektit Vaanmed, ajo ka sjellë në Shqipëri teknologji moderne dhe standarde të reja shërbimi. Tashmë po përgatitet për një tjetër hap ambicioz, Frontera Academy, një akademi estetike që synon të formojë profesionistët e së ardhmes me standarde ndërkombëtare. Me një stil lidershipi që balancon forcën me empatinë, ajo tregon se paragjykimet mund të thyhen me rezultate, ndërsa këshilla e saj për gratë e reja është e qartë: filloni sot, mos prisni momentin perfekt.

Si e përshkruani rrugëtimin tuaj të sipërmarrjes? Cilat kanë qenë sfidat dhe sukseset?

Rrugëtimi im ka nisur nga pasioni për farmacisë dhe dëshira për të sjellë ndryshim në shëndetësi. Nuk ka qenë një udhë e lehtë; çdo hap është shoqëruar me sfida, paragjykime dhe vendime të guximshme. Por unë besoj se çdo vështirësi është një mundësi për të mësuar. Sfidat më bënë më të fortë dhe suksesi nuk erdhi papritur, por si rezultat i disiplinës, vizionit dhe punës së palodhur. Sot, kur shoh rrjetin e bizneseve të ndërtuara dhe mbi 130 punonjës që punojnë me pasion e përkushtim, kuptoj se çdo sakrificë ka pasur vlerë.

Ju keni në administrim një portofol biznesesh të ndryshme nga kujdesi mjekësor, tek ai estetik dhe jo vetëm. Cila përvojë ju ka dhënë mësimet, por edhe emocionet më të mëdha?

Çdo biznes ka pasur rolin e vet në formimin tim profesional dhe njerëzor. Farmacitë më dhanë bazat dhe mësimin se shërbimi ndaj pacientit është mbi gjithçka. Klinikat estetike më treguan se bukuria lidhet ngushtë me mirëqenien dhe vetëbesimin. Vaanmed ishte eksperienca më sfiduese dhe emocionuese, sepse aty kuptova fuqinë e vizionit afatgjatë dhe rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare. Të sillja në Shqipëri teknologjitë më moderne mjekësore ishte një ëndërr që u bë realitet. Shumë shpejt po përgatitem të nis një tjetër projekt shumë të rëndësishëm për mua, Frontera Academy, një akademi moderne estetike që do të trajnojë profesionistët e së ardhmes si asnjë tjetër në Shqipëri. Është emocionuese të krijosh një hapësirë ku pasioni i të rinjve do të shndërrohet në profesion dhe ku standardet ndërkombëtare do të bëhen realitet edhe në arsimin profesional. 

Cilat cilësi apo aftësi mendoni se janë më të rëndësishme për një grua në lidership?

Besoj se lidershipi i vërtetë nuk ka gjini, por gratë shpesh e ushtrojnë atë me më shumë ndjeshmëri dhe intuitë. Cilësitë më të rëndësishme janë vendosmëria, aftësia për të marrë vendime në kohë të vështira, dhe mbi të gjitha integriteti. Për një grua lidere, është e rëndësishme të mbajë ekuilibrin mes forcës dhe empatisë, të dish të udhëheqësh me shembull, por edhe të dëgjosh e të mbështesësh të tjerët.

A keni hasur stereotipe gjinore gjatë karrierës dhe si i keni përballuar ato?

Po, dhe nuk mund ta mohoj. Shpeshherë më është dashur të përballem me dyshime vetëm sepse isha grua e re në biznes. Por unë nuk i kam parë këto paragjykime si pengesa, përkundrazi, i kam kthyer në motiv për të ecur më tej. Më mësuan që suksesi është arma më e fortë ndaj çdo stereotipi. Kur rezultatet flasin vetë, paragjykimet humbasin fuqinë.

Si menaxhoni ekuilibrin mes përgjegjësive të biznesit dhe sfidave personale, dhe çfarë këshille do t’u jepnit grave të reja që synojnë të ndërtojnë karriera të suksesshme në pozita drejtuese?
Balanca nuk është gjithmonë e thjeshtë, por është e mundur. Unë jam mbi të gjitha një nënë, dhe kjo më ka mësuar të organizoj kohën me prioritetet. E rëndësishme është të mos humbasësh kurrë kontaktin me veten dhe me ata që do. Për gratë e reja, këshilla ime është: mos prisni momentin perfekt, sepse ai nuk ekziston. Filloni sot, punoni me pasion dhe mos kini frikë nga dështimi. Çdo hap, edhe ai më i vështiri, është pjesë e rrugës drejt suksesit.

Çfarë vizioni keni për sektorin shëndetësor dhe menaxhimin e klinikave në Shqipëri?
Ç’ strategji përdorni për të sjellë inovacion dhe përmirësim të vazhdueshëm në bizneset që drejtoni?

Vizoni im është që shëndetësia private në Shqipëri të arrijë standardet më të larta ndërkombëtare, jo vetëm për teknologjinë, por edhe për cilësinë e kujdesit dhe eksperiencën e pacientit. Strategjia ime ka qenë gjithmonë e njëjtë: investim në inovacion, trajnime të vazhdueshme për stafin, dhe sjellja e partnerëve strategjikë nga jashtë. Në çdo vendim që marr, pyes veten: “A po e përmirëson kjo jetën e pacientit?” Nëse përgjigjja është po, atëherë e di që jam në drejtimin e duhur.

Ky artikull është publikuar në numrin 39 të revistës Businessmag

Abonohu për të lexuar artikujt e BM!

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0