Fiks si një monedhë me dy anët e saj të medaljes edhe vlerësimi i një monedhe ka efekte të dyanshme. Në rastin tonë, me vlerësimin e lekut (katër vite më parë duheshin 139 lekë për të blerë një euro, sot nevojiten 126.5 lekë për të blerë po një euro) janë të fituar të gjithë ata që marrin pagesat në lekë dhe kanë kredi në euro, ndërsa humbësit më të mëdhenj për momentin janë të gjithë eksportuesit në Europë.
Një monedhë e fortë, mund të shihet edhe si shenjë e një ekonomie të forcuar (dhe në fakt kështu e ka argumentuar ministri i Financave Arben Ahmetaj). Por, pyetja lind A është aq e fortë ekonomia jonë sa të përfitojë nga monedha e saj, apo në fakt, monedha e forcuar ndaj euros po dëmton eksportet e rrjedhimisht rritjen e ekonomisë?!
Një pikëpyetje që ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare është pse ka zhvlerësim të qëndrueshëm të euros ndaj lekut prej mëse dy vitesh, ndërsa nuk ka flukse të mëdha investimesh private, apo edhe një turizëm në ato nivele që të mund të luhasë kursin.
Ilir Ciko dhe Pano Soko, janë dy ekonomistë që kanë dhënë opinionet e tyre lidhur më këtë çështje për lexuesit e Businessmag.al
/Artikulli u publikua më parë në faqen 28 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.
Ciko: Leku i fortë, deri më tani brenda normave
Intervistë me Ilir Ciko, ekonomist
Përse mendoni se po ndodh zhvlerësimi i euros?
Së pari, atë që po ndodh në tregun shqiptar nuk e shoh si zhvlerësim, pasi realisht nuk mund të flasim për një zhvlerësim të euros si monedhë. Mjafton të vështroni ecurinë e këmbimit të euros me monedhat kryesore ndërkombëtare – dollarin amerikan, paundin britanik apo frangën zvicerane dhe do të kuptoni se gjatë muajve të fundit në tregjet ndërkombëtare nuk ka ndodhur ndonjë zhvlerësim i ndjeshëm i euros, në masë të tillë që të mund të ndikojë edhe në tregun vendas.
Së dyti, nuk mund të flasim as për ndonjë prirje ndikuese në rajon, pasi edhe monedhat e vendeve pranë nesh – Serbia, Maqedonia etj. kanë treguar qëndrueshmëri në raport me euron gjatë të njëjtës periudhë. Në këto kushte, është e qartë se nuk përballemi me një zhvlerësim të monedhës europiane, por me një forcim relativ të lekut ndaj saj.
Arsyeja se pse ky forcim i pazakontë ndodh, lidhet me kërkesën në lekë për këmbimin me flukse në rritje të shpejtë të euros në tregun vendas. Në mungesë të informacioneve të qarta mbi natyrën e këtij fluksi në rritje të euros brenda vendit, shpjegimet e paraqitura janë pak të besueshme dhe lënë hapësirë për spekullime, shpesh edhe të pa bazuara mirë. Kështu për shembull, përmendet si shkak rritja e lartë e investimeve të huaja në vend, por mungojnë të dhëna mbi investime të vrullshme apo se si investimet e huaja, ndryshe nga vitet e tjera, mund të kenë ndikuar në kursin e këmbimit.
Paraqitet si faktor ndikues rritja e prenotimeve nga të huajt për hotelet gjatë sezonit veror, ndërkohë që dihet që pagesat rrallëherë kryhen të plota apo pjesërisht përpara sezonit, sikurse duket pak e besueshme që ky faktor të ndikojë kaq dukshëm në kursin e këmbimit.
Për këto arsye, është e pashmangshme lidhja e padukshme mes aktiviteteve informale që duhet të kenë ende një kontribut të rëndësishëm, shpresoj afatshkurtër, me atë që po ndodh me forcimin relativ të lekut ndaj euros. Mendoj gjithashtu se fushata e de-euroizimit, nisur këtë vit nga Banka e Shqipërisë, nuk ka lidhje apo ndonjë efekt në këtë drejtim, pavarësisht se ruaj një këndvështrim disi të ndryshëm.
Ndërkohë, jam i mendimit që Shqipërisë, në procesin e integrimit europian, në të vërtetë i nevojitet një strategji e qartë dhe afatgjatë mbi euroizimin në të ardhmen. Por, sidoqoftë kjo është një çështje që duhet debatuar në një rrafsh krejt tjetër.
Në kushtet aktuale ekonomike të Shqipërisë, një monedhë e fortë vlen apo është e dëmshme për ekonominë?
Gjetja e një përgjigjeje për këtë pyetje na fut në një qorrsokak ku gjithkush ka të drejtë në të drejtën e tij. Natyrisht një lek më i fortë ndihmon në investimet, blerjen e lëndëve të para, konsumin e importit, lehtësimin e rishlyerjes së kredive të marra në euro apo stimulimin e aktivitetit vendas, sikurse nga ana tjetër ajo dëmton eksportuesit, turizmin e varur nga të huajt, apo na vendos në një pozitë më pak konkuruese për produkte të caktuara me fqinjët.
Ndaj shqetësimin lidhur me forcimin aktual të lekut, pa nënvlerësuar sa më sipër, më tepër do të doja ta lidhja me tre faktorë të tjerë.
Së pari, cënimi sado i vogël i një qëndrueshmërie relativisht të gjatë të kursit të këmbimit në vend, ndikon në sigurinë dhe besueshmërinë ndaj tregut, me pasoja më afatgjata në riskun e perceptuar ndaj tij dhe kjo mund të pasqyrohet në masa shtesë që pjesëmarrësit aktivë në treg mund të marrin për të minimizuar efektet e kursit të këmbimit në të ardhmen.
Së dyti, e përmenda dhe më sipër, që mungon informacioni i duhur për të kuptuar qartë dhe plotësisht përse ky forcim i lekut po ndodh në këtë masë pikërisht tani dhe kjo gjë rrit edhe më tej pasigurinë për shtrirjen në kohë të këtij fenomeni, ndaj është e nevojshme që institucionet të luajnë sa më mirë rolin e tyre për dhënien e informacionit transparent dhe në kohë mbi faktorët influencues në këtë fenomen.
Së treti, nëse vërtet arsyet për forcimin aktual të lekut janë dhe shpresojmë të jenë të përkohshme apo sezonale, atëherë në të ardhmen e afërme do të na duhet të përballemi me kthimin në nivelin e ekuilibrit normal të këmbimit, gjë që nënkupton një zhvlerësim të pritshëm të lekut ndaj euros. Shpesh, tendenca të tilla çojnë drejt një zhvlerësimi përtej ekuilibrit të pritshëm, pikërisht për shkak të besimit të dobësuar ndaj monedhave në rastet e zhvlerësimit të tyre dhe ky faktor mund të paraqesë kosto shtesë në treg.
Gjithsesi, duhet theksuar që ecuria e deritanishme, veçanërisht nëse tendenca e forcimit të lekut frenohet në ditët e ardhshme, mbetet brenda parametrave normalë të tregut dhe nuk ka vend për shqetësim të panevojshëm.
EURO E LIRË – UNË FITOJ. PO TI?
Nga Pano Soko, ekonomist
Në fakt e gjitha lindi dje, kur shkova të blej shampon e zakonshme në supermarket. Për çudinë time pashë që çmimi i saj (për herë të parë në gjithë këto vite që unë e përdor) kishte pësuar një ulje.
Natyrisht, në një realitet ku çmimet në trajektoren e tyre natyrale do të duhet vetëm të rriteshin kohë pas kohe, për shkak të parasë që humb vlerën e vet kohë pas kohe, ulja e çmimit të një produkti është një eveniment që nuk kalon pa u vënë re.
Në diskutim me menaxherin e supermarketit, ai më shpjegoi se kishin aplikuar një ulje të përgjithshme për një gamë të caktuar mallrash (të gjitha mallra importi), në nivelin 4-8%. Rënia e euros kishte iniciuar një “përplasje tregtare” mes operatorëve, kur fillimisht disa linja supermarketesh kishin vendosur që një pjesë të përqindjes së fitimit që vjen nga ndryshimi i kursit të këmbimit, ta reflektonin në çmim, duke e konvertuar në ulje çmimi. Kjo më pas kishte detyruar dhe pjesën tjetër të tregut të bënte të njëjtën gjë, me qëllim ruajtjen e klientelës.
Zhvlerësimi i euros është debati që ka zaptuar skenën e diskursit ekonomik dhe gjithë projektorët e specialistëve dhe të apasionuarve pas financave janë drejtuar aty. Në TV, median e shkruar, rrjetet sociale gjen çdo ditë raportime mbi ecurinë e kursit dhe opinione që përpiqen t’i japin dritë për publikun asaj që po ndodh.
Por, duke qenë se publikut, si gjithmonë në të tilla raste, nuk i interesojnë shumë shkaqet por pasojat, pyetja që lind shumë natyrshëm është “A është zhvlerësimi i euros një gjë e mirë apo e keqe për ne, për Shqipërinë, për shqiptarët, për ekonominë e vendit, për xhepat e tyre?”.
Unë jam një ekonomist rrace dhe si i tillë do të jap përgjigjen që ekonomistët iu japin zakonisht këtyre pyetjeve. – Rënia e euros është një gjë edhe e mirë, edhe jo e mirë.
Gjithësecili e gjykon vetë nga mënyra sesi ndikohet nga ky zhvillim.
Për mua personalisht është një gjë e mirë, pagova 50 lekë më pak për shampon time. Por edhe për familjen time është një gjë e mirë. Unë dhe ime shoqe i marrim të ardhurat nga pagat në lek. I vetmi moment ku ne takohemi me euron, janë mallrat e importit që konsumojmë, qofshin këto ushqimore, veshje, ilaçe etj… Në disa prej tyre, së fundmi ka pasur një ulje të çmimeve dhe kjo ka qenë në përfitimin tonë. Dhe duhet thënë që pjesa më e madhe e familjeve shqiptare kanë të njëjtën strukturë ekonomike si familja jonë.
Përfitim kanë edhe ato familje që kanë të ardhurat në lekë dhe kanë marrë një kredi në Euro për të blerë një shtëpi, një makinë apo për të hapur një biznes. Këstet e kredisë tashmë kushtojnë më pak, goxha më pak.
Përfitim kanë dhe ata që kanë planifikuar të kalonin pushimet në atraksionet turistike europiane. Tashmë pushimet e tyre do t’iu kushtojnë më pak, kështu që mund të marrin “bonus” ndonjë ditë qejf më shumë.
Përfitim ka dhe qeveria shqiptare. Stoku i borxhit në euro zë rreth 28% të totalit të stokut të borxhit dhe duke qenë se të ardhurat e qeverisë vijnë nga taksat, të cilat paguhen në lek, një euro më e lirë do të thotë këste ripagese më të lira për borxhin në euro. Por jo vetëm kaq. Një euro e zhvlerësuar përmirëson edhe grafikisht peshën specifike të borxhit ndaj GDP-së. Për shembull, borxhi aktual do të kishte një peshë 1.2% më të lartë në krahasim me GDP-në, nëse Euro do të vazhdonte në nivelet e 1 Euro = 140 Lekë.
Përfitim kanë kompanitë e importit, pasi një euro më e lirë për ta do të thotë çmim më i lirë, një çmim më i lirë do të thotë vlerë më e vogël blerjeje për një sasi të dhënë, do të thotë më pak overdraft bankar për pagesa faturash importi dhe rrjedhimisht më pak interesa, do të thotë më pak taksa në doganë, pra më shumë cash i lirë në dispozicion për të bërë tregti.
Natyrisht që realiteti është binar, si medalja që ka dy anë. Nëse dikush nuk do të humbte, atëherë askush nuk do të fitonte. Dhe historia e euros ka dhe krahun e humbësve.
Të humbur janë ato familje që të ardhurat e tyre i kanë në euro, duke filluar nga ata që marrin pagat në euro dhe deri tek familjet që marrin të ardhura remitancash nga të afërm të tyre emigrantë në Europë. Një Euro e zhvlerësuar do të thotë më pak të ardhura për ta. E këta do të jenë të humbur dyfish nëse kanë marrë dhe kredi në lek. Këstet e tyre tashmë janë më të shtrenjta, do t’iu duhen më shumë euro për të shlyer këstin, nga ç’iu duheshin më përpara.
Të humbur janë eksportuesit shqiptarë, duke filluar nga produktet bujqësore-agropërpunuese dhe deri tek industria fason. Tashmë malli shqiptar është më i shtrenjtë në tregjet europiane dhe krahu i punës kushton pak më shtrenjtë. Nëse eksportuesit funksionojnë me kontrata me çmim të fiksuar, atëherë zhvlerësimi i euros do të përkthehet automatikisht në humbje në bilancet e vetë kompanive.
Të humbur, janë dhe operatorët turistikë shqiptarë, sepse një euro e zhvlerësuar do të thotë që pushimet në Shqipëri për europianët do të kushtojnë më shtrenjtë dhe kjo mund të ndikojë në uljen e numrit të turistëve.
Në këto kushte kur ka të humbur e të fituar, nuk ka një bilanc “mirë apo keq”. Por, nëse do t’i zhvishnim ekonomisë pjesën e vet sociale dhe do ta linim një trup numrash të ftohtë, atëherë mund të themi që në përgjithësi të fituarit nga zhvlerësimi i euros janë numerikisht shumë më të shumtë në numër, sesa ata që humbasin. Pjesa më e madhe e familjeve shqiptare i kanë të ardhurat e tyre në lekë dhe kjo do të thotë që vlera e atyre të ardhurave, referuar euros, tashmë është rritur.
Njëkohësisht dhe struktura e treguesve makroekonomikë vlerëson shumë një zhvlerësim të monedhës. Kjo pasi defiçiti tregtar lehtësohet ndjeshëm kur monedha bazë e tij zhvlerësohet.
Aktualisht importet zënë rreth 31.5% të GDP, me një vlerë që tejkalon 500 miliardë lekët dhe këto janë disa herë më të larta sesa 121 miliardë Lekët e eksporteve. Kjo do të thotë që ulja e çmimeve të importeve ka një impakt më të madh tek konsumi dhe gjithë ekonomia, sesa impakti negativ që do të sjellë shtrenjtimi i eksporteve. Kjo pasi, ndërsa rreth 75-80% e importeve realizohen nga vendet e BE dhe rrjedhimisht në euro, eksportet shqiptare kanë në bazë të tyre dollarin amerikan, pasi peshën kryesore tek eksportet e mbajnë nafta dhe mineralet, të cilat për shkak të konjukturës së industrisë, tregtohen të dyja me dollarë amerikan.
Njëkohësisht niveli i depozitave të qytetarëve dhe bizneseve në lekë janë mbi dy herë më të larta se ato në euro, ç’ka do të thotë që në një bilanc me referencë reflektuese, depozituesit në lekë kanë vlerë më të lartë përfitimi nga konvertimi në euro, nga humbja që do të kishin depozituesit në euro nga konvertimi i depozitave të tyre në lekë.
Për ta përmbledhur vlerësimin tim të ftohtë matematik, besoj se, pavarësisht të gjithave, kjo rënie e monedhës europiane ka ardhur si pasojë e hyrjes së një fluksi jo normal kartëmonedhe euro. Gjithsesi, pavarësisht se kush ishte shkaku, e rëndësishme është që përfituesit të arrijnë të maksimizojnë përfitimin e tyre dhe humbësit të rikonceptojnë dhe një herë strukturën e marrëdhënive të tyre ekonomike me qëllim mos dëmtimin nga gjithë kjo që po ndodh. Sepse një gjë është e sigurtë – “1 Euro = 130 Lekë” do të jetë këtu për një kohë të gjatë.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 28 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.