Në fund të këtij sezoni veror të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se Shqipëria ka qenë një ndër destinacionet më të vizituara në këto muaj. Gjatë këtij sezoni, turizmi i natyrës ka qenë i frekuentuar dhe zgjedhja e shumë pushuesve u ndikua edhe nga pandemia e Covid19 në dy vitet e kaluara. Eva Kushova drejtuese e DMO Albania tregon sesi paraqitet turizmi gjatë këtij sezoni në vendin tonë.
‘Shqipëria ka pasur këtë vit një bum turistik dhe tashmë kjo shihet nga shifrat e këtij shtatë mujori, faktorët janë të shumtë por kryesori është vaksinimi dhe heqja e kufizimeve qe bëri që njerëzit të vërshojnë. Në fakt këtë vit sektori i udhëtimeve ka shënuar një rekord në të gjithë botën, Shqipëria nga ana tjetër ka edhe një specifikë sepse ende është destinacion i panjohur dhe shumë turistë duan të eksplorojnë vende të reja, plus që stina e verës tërheq miliona turistë drejt mesdheut dhe tashmë plazhet tona janë konkurrente në mesdhe, sepse kanë dhe çmime më të lira. Pra kemi një vit shumë të mbarë sivjet.’
Interesi për turizmin e natyrës ka vijuar rritjen e tij edhe gjatë këtij viti, një tendencë që u parapri edhe më herët nga ekspertët e turizmit që vlerësonin se pandemia do të kishte këtë efekt.
‘Në verë ndjehet turizmi i plazhit ndërthurur me atë kulturor. Duket se në Shqipëri turizmi lulëzon kryesisht gjatë sezonit veror dhe kjo është e lidhur kryesisht me detin. Turist e vendeve të ftohta që vijnë për detin gjithashtu eksplorojnë dhe vende të tjera pra turizmi kulinar, parqet arkeologjike etj. Në fakt turizmi i verës është ai i zhurmshëm dhe që shohim masivisht si në bregdet dhe në qytete. Kemi dhe turizmin e heshtur atë të natyrës, ku janë të pasionuarit e hershëm dhe kuriozët. Këtë vit në Tiranë kemi dhe turizmin e eventeve kryeqyteti i rinisë ka qenë tirana plot me vente dhe ka qenë e mbushur me shumë turistë, po ashtu kërkesat për ture kanë qenë të shumta.’
Nëse bëjmë një krahasim me vitet e kaluara, si këtë vit situata e turizmit ka ndryshuar ndjeshëm, Kushova shprehet se shifrat zyrtare flasin për një rritje me 22% krahasuar me vitin e kaluar.
‘Absolutisht situata është më e mirë, shifrat e INSTAT në muajin korrik flasin për një rritje 22% krahasuar me vitin e kaluar, hyrje daljet numërohen vetëm në kufi dhe mes tyre janë persona që kanë ardhur dhe për arsye familjare, transit apo dhe emigrantë. Pra jo të gjithë sjellin të ardhura apo shpenzojnë në hotele dhe restorante, një pjesë shkojnë tek familjarët dhe shtëpitë e tyre, ndaj ka ardhur koha që kjo llogari e Instat duhet të ndryshojë dhe secili duhet të masë net-qëndrimet në hotele dhe bujtina. E rëndësishme është që pas dy viteve pandemi turizmi në Shqipëri po lulëzon sërish.’
Të dhënat zyrtare të muajit qershor tregojnë se nga janari në qershor kemi një rritje me 23 për qind të numrit të turistëve që vizitojnë zonat e mbrojtura, por cilat zona të Shqipërisë kanë pasur më tepër zhvillim gjatë kësaj periudhe.
‘Po është e vërtetë që vizitojnë zonat e mbrojtura pasi shumë persona që vizitojnë Shqipërinë nuk vijnë enkas për parqet, por vijnë për detin dhe turizmin kulturor, më pas vizitojnë dhe parqet apo zonat e mbrojtura. Mund të themi që pas pandemisë është shtuar numri i turistëve apo dhe vendasve që vizitojnë parqet natyrore, kjo lidhet me një ndërgjegjësim për t’ia kushtuar natyrës. Më tepër rritje kanë Thethi dhe Valbona, këto zona po kthehen në një turizëm gjithë vjetor, rritje ka pasur dhe Përmeti, Gjirokastra apo Dibra etj. Bujtina po kthehen në të gjithë fshatrat e Shqipërisë çka tregon se turizmi in land e kemi me një potencial të jashtëzakonshëm.’
Po shqiptarët ku zgjodhën t’i kalojnë pushimet? Kushova thotë se në vend kemi pasur po aq dalje të vendasve sa edhe prurje të turistëve të huaj.
‘Shifrat e INSTAT tregojnë hyrje dhe dalje, pavarësisht optimizmit tonë shifrat janë të barabarta, aq të huaj sa hyjnë dhe shqiptarë dalin. Jemi diku tek 550 mijë. Ky nuk është tregues shumë i mirë, sepse shumë të ardhura ikin dhe nuk grumbullojmë shumë. Në fund do të shihet dhe sesa të ardhura ka pasur Shqipëria në këtë sezon, sepse duhet të shohim sesa kanë shpenzuar turistët në vendin tonë dhe jo sa ka qenë numri i tyre. Destincaipne si Barcelona e cila ka 1 milionë banorë pret 30 milionë turistë, ne ende nuk duhet të kënaqemi me këto statistika të hyrje- daljeve që janë thuajse të njëjta. Ndërkohë tek ne vijnë turistë të Evropës lindore dhe që nuk shpenzojnë shumë. Ky vit duket shumë më i mirë se dy vitet e pandemisë dhe vitit 2019, Shqiptarët kanë zgjedhur të ikin jashtë në destinacione si Turqia, Mali i ZI dhe Greqia. Vihet re që brenda vendit kanë zgjedhur të pushojnë në vende më pak të frekuentuara vitet e kaluar, për shkak të çmimeve të larta në jug.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.