Kur “urime për ngritjen në detyrë” tingëllon më shumë si... - Business Magazine Albania

Kur “urime për ngritjen në detyrë” tingëllon më shumë si “ngushëllime”

Një promovim duhet të jetë shpërblim për punën e mire, por për shumë profesionistë, ai kthehet në burim stresi, izolimi dhe zhgënjimi. Eksperti Benjamin Laker shpjegon pse “hapi i madh përpara” mund të ndihet si një kthim mbrapa.

Shumë profesionistë ëndërrojnë ditën kur do të marrin një promovim, simboli më i qartë i suksesit, përpjekjeve dhe vlerësimit profesional. Por sipas profesorit Benjamin Laker, autor dhe kontribues i rregullt në Forbes, ky “çmim i madh” shpesh rezulton të jetë një dënim i fshehur nën petkun e avancimit.

Në artikullin e tij “The Promotion That Feels Like A Punishment”, Laker argumenton se një numër në rritje punonjësish e përjetojnë ngritjen në detyrë si lodhje, presion dhe humbje të kuptimit në punë. Arsyeja? Promovimet rrallëherë janë të dizajnuara duke pasur parasysh individin,  por nevojat e kompanisë.

Kur promovimi të heq punën që do

Një inxhinier i talentuar papritmas bëhet menaxher, duke kaluar ditët me buxhete dhe raporte në vend që të krijojë zgjidhje. Një profesionist kreativ shndërrohet në drejtor që merret me klientë, jo me ide.
Në letër, kjo është rritje. Në praktikë, është largim nga thelbi i asaj që të frymëzon.

Ky është momenti kur shumë profesionistë fillojnë të ndihen të zbrazët, të distancuar nga puna e tyre dhe madje të penduar për avancimin që dikur e kanë pritur me padurim.

Kur autoriteti bëhet barrë

Sipas Laker, titujt sjellin përgjegjësi, dhe përgjegjësitë shpesh kthehen në presion.
Punonjësit që shkëlqenin si kontribues individualë papritmas gjenden duke drejtuar ekipe, menaxhuar konflikte dhe përfaqësuar kompaninë, shpesh pa trajnim të duhur dhe pa dëshirë për të qenë “liderë”.

Kjo sjell jo vetëm stres, por edhe izolim, miqtë e punës bëhen vartës, bisedat ndryshojnë, besimi zbehet. Promovimi që duhet të hapte dyer, shpesh ngre mure të padukshme.

Kur shpërblimi nuk justifikon çmimin

Edhe rritja e pagës nuk mjafton për të kompensuar orët e gjata, përgjegjësitë shtesë dhe humbjen e balancës mes jetës dhe punës.
Madje, shumë të sapopromovuar raportojnë se respekti nuk rritet me titullin, disa kolegë i shohin me skepticizëm, të tjerë dyshojnë në meritat e tyre.

E në fund, vjen ndjenja më e keqe, të jesh i bllokuar. Refuzimi i një promovimi mund të duket si sabotim i karrierës, por pranimi i tij dhe dështimi në të mund të duket si disfatë publike.

Çfarë duhet të bëjnë drejtuesit?

Sipas Laker, liderët duhet të:

  • Kuptojnë dëshirat individuale, përpara se të marrin vendime për ngritje në detyrë.
  • Sigurojnë trajnim dhe mbështetje për rolet e reja menaxheriale.
  • Rikthejnë kuptimin duke lejuar që punonjësit të mbeten të lidhur me punën që i frymëzon.
  • Dhe më e rëndësishmja, të rishikojnë mënyrën si e kuptojmë “rritjen në karrierë”.

Rritja nuk është gjithmonë titull më i lartë. Ndonjëherë është thellim i ekspertizës, një drejtim i ri apo një mundësi për të ndarë përvojën pa humbur pasionin.

Qëllimi i vërtetë i një promovimi nuk është të largojë njeriun nga puna që do, por ta ndihmojë të rritet pa humbur kuptimin që e bëri të vlefshëm që në fillim.

forbes

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0