Kur siguria kombëtare kthehet në pazar, çfarë fshihet pas marrëveshjes së çipave - Business Magazine Albania

Kur siguria kombëtare kthehet në pazar, çfarë fshihet pas marrëveshjes së çipave

Nga Aziz Huq* – Ndoshta aspekti më pak interesant i vendimit të raportuar të administratës së Presidentit amerikan Donald Trump për t’i lejuar kompanitë Nvidia dhe AMD të eksportojnë gjysmëpërçues të nivelit të lartë në Kinë, në këmbim të 15% të të ardhurave, është se ky veprim, me shumë gjasa, është i paligjshëm. Më e rëndësishme është dritarja që kjo hap mbi mënyrën se si presidenca po e përdor fuqinë e saj në fushën e sigurisë kombëtare jo për të avancuar interesat e vendit, por për ambicie më të ngushta.

Për të kuptuar se çfarë është në rrezik, mjafton të marrim shembullin e çipeve H20 të Nvidia-s, të cilat Trump, duke justifikuar vendimin e tij, i përshkroi si një “çip i vjetër” dhe “i tejkaluar.” Në vitin 2024, Nvidia shiti rreth një milion njësi të këtyre çipeve “të vjetra” në Kinë,  afërsisht pesë herë më shumë se shitjet e produkteve të ngjashme nga Huawei. Ky avantazh masiv tregon se çipet H20, megjithëse nuk janë më teknologjia më e fundit, mbeten shumë të vlefshme për kompanitë kineze. Platforma e programimit CUDA e Nvidia-s i bën ato më të lehta për t’u integruar me pajisje të tjera krahasuar me produktet e Huawei-t.

Dëshmia më e fortë për rëndësinë e tyre u pa në janar, kur kompania kineze DeepSeek i përdori për të zhvilluar një model gjuhësor gjigant me performancë të nivelit më të lartë, por me kosto më të ulët se modelet e OpenAI, Anthropic apo Google. Këta gjysmëpërçues luajnë ende një rol kyç në garën e vazhdueshme mes SHBA-së dhe Kinës për inteligjencën artificiale  dhe lejimi i eksportit të tyre, në vend që të forcojë pozicionin amerikan, e minon atë.

Kina tashmë ka qasje të gjerë në të gjitha elementët e tjerë për zhvillimin e inteligjencës artificiale: universitetet e saj, ndryshe nga ato amerikane që janë nën sulm politik, mund të rekrutojnë dhe formojnë talente shkencore të nivelit më të lartë; ajo zotëron të dhëna, energji, dhe pothuaj monopolin mbi mineralet e rralla të nevojshme për ndërtimin e platformave AI. Por hendeku në tregun e çipeve tregon se aksesimi i teknologjive të avancuara, përfshirë H20-t, mbetet një pikë e dobët. Më herët këtë vit, instituti RAND e identifikoi kontrollin e eksporteve të çipeve si levën më të fuqishme për të ndikuar rrugën e zhvillimit të AI-së në Kinë.

Kjo shpjegon pse në prill, tre muaj pas suksesit të DeepSeek, administrata e Trump vendosi një regjim të ri licencimi për çipet H20, me një parim mohimi. Por tani, Shtëpia e Bardhë e ka hequr dorë nga kjo levë pa marrë asnjë lëshim nga kompanitë apo autoritetet kineze.

Dhe SHBA ka nevojë për këto lëshime. Kina kontrollon rreth 70% të mineraleve të rralla në botë, të domosdoshme për shumë mjete digjitale. Boshllëqet e mëdha në zinxhirët e furnizimit të ushtrisë amerikane, që mund të ishin mbyllur përmes një marrëveshjeje, mbeten ende të hapura. Elementë si magnetët rezistentë ndaj nxehtësisë të nevojshëm për raketa, avionë luftarakë dhe bomba inteligjente do të vazhdojnë të jenë në mungesë të rrezikshme. Në një kohë kur investimet për dislokime ushtarake në Indo-Paqësor po rriten dhe kërkojnë pikërisht këto mjete, politika tregtare e SHBA-së duket se po gërryen vetë politikën e saj të sigurisë kombëtare.

Lexo edhe: Nvidia dhe AMD do t’i paguajnë qeverisë amerikane 15% të të ardhurave nga shitjet në Kinë

Marrëveshja për eksportin e produkteve Nvidia dhe AMD, shkurt, është një gabim i vetëshkaktuar. Por çfarë e motivoi vendimin?

Autoriteti i presidentit për të kontrolluar eksportin e mallrave me përdorim të dyfishtë (civil dhe ushtarak), si gjysmëpërçuesit e avancuar, buron nga Ligji i Reformës së Kontrollit të Eksporteve i vitit 2018. Ky ligj lejon qeverinë të kërkojë “licenca” për disa eksporte dhe të vendosë “kushte ose kufizime” mbi to.

Pa dyshim, qeveria do të pretendojë se taksa prej 15% është një “kusht.” Por ligji i vitit 2018 liston shembuj të kushteve, të gjitha të lidhura me mënyrën se si dhe nga kush mund të përdoret apo të shpërndahet teknologjia. Lista tregon qartë se Kongresi nuk i ka deleguar presidentit fuqinë e tij të lindur për të vendosur taksa përmes këtij ligji. Ashtu siç Ligji i Fuqive Ekonomike në Gjendje Emergjente i vitit 1977 nuk mund të interpretohet si një autorizim sekret për të vendosur taksa mbi importet si tarifat e Trump po ashtu edhe ligji i vitit 2018 nuk krijon një fuqi të fshehtë për të taksuar eksportet.

Një mënyrë për të kuptuar marrëveshjen Nvidia/AMD është duke e krahasuar me politikat e tjera të kësaj administrate, dhe duke gjetur një model veprimi. Krahasimi më i afërt është me trajtimin e platformës TikTok. Pasi u përpoq ta ndalonte atë gjatë mandatit të parë për arsye sigurie kombëtare, Trump hyri në detyrë me një mandat ligjor për ta ndaluar atë nëse pronarët kinezë nuk shisnin aksionet. Në janar 2025, Gjykata e Lartë e mbështeti ndalimin, të cilin Trump e shtyu. Ligji lejonte vetëm një shtyrje 90-ditore, dhe vetëm nëse kishte një blerës të mundshëm. Duke kaluar afatin, Trump thjesht refuzoi të zbatonte një ligj të vlefshëm, në përputhje me qëndrimin e tij të mëparshëm mbi sigurinë kombëtare.

Si në rastin e TikTok, ashtu edhe në marrëveshjen Nvidia/AMD, Trump ka shkelur një statut federal duke lejuar transaksione me subjekte kineze, transaksione që e njëjta administratë i ka quajtur më parë burim shqetësimi serioz për sigurinë. Në të dyja rastet, kjo është bërë pa marrëveshje apo negociata që të përmbushnin një objektiv publik.

Por në rastin e TikTok, motivet e tij ishin të qarta: Trump mendon se platforma e ndihmoi të fitonte votat e të rinjve në zgjedhjet e 2024-ës. Pra, shqetësimet për sigurinë kombëtare u zëvendësuan nga përfitimi elektoral. Marrëveshja Nvidia/AMD sjell përfitime të ngjashme: Zyra e Buxhetit të Kongresit vlerëson se buxheti i Trump do të rrisë deficitin kombëtar me 4.1 trilionë dollarë. Nxjerrja e të ardhurave nga kompanitë teknologjike mund të paraqitet si fitore politike dhe si një kompensim për deficitin – edhe pse të ardhurat janë vetëm një pikë uji në det.

Edhe më mirë për Trump, për shkak se nuk ka asnjë statut që parashikon të ardhura nga kontrollet e eksporteve, nuk ka asnjë kufizim ligjor mbi mënyrën se si mund të përdoren ato. Paratë mund të shkojnë për sallonin e ri të vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë, ose për ndërtimin e burgjeve “Alligator Alcatraz” për emigrantët pa dokumente.

Mesazhi për kundërshtarët e SHBA-së është i qartë: siguria kombëtare e Amerikës i është nënshtruar interesave të ngushta financiare dhe partiake të administratës së Trump. Shitja ka filluar. Ejani me para, favore politike… ose të dyja bashkë.

*Aziz Huq, profesor i së drejtës në Universitetin e Çikagos, është autor i The Collapse of Constitutional Remedies (Oxford University Press, 2021).

© Project Syndicate, 2025. www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0