Kur ekrani fiket, çfarë humbet Shqipëria me heshtjen e News24-ës! - Business Magazine Albania

Kur ekrani fiket, çfarë humbet Shqipëria me heshtjen e News24-ës!

Nga Fatima Gorezi – Prej tre ditësh një nga televizionet më të mëdha informative në vend NEWS24 ka ndërprerë transmetimin në mënyrë të detyruar pas një konflikti pronësie me shtetin për ambientet ku televizioni zhvillon aktivitetin e tij që nga viti i themelimit 2002. Në orët e para të mëngjesit të së shtunës të datës 9 gusht, forca të shumta policore rrethuan ambientet e News24 duke mos lejuar 230 gazetarë, staf teknik dhe punonjës të Focus Media News dhe Panorama Group të hynin në ambientet e godinës.

Me këtë veprim, sinjali i News24 u fik për herë të parë pas më shumë se dy dekadash transmetim të pandërprerë në çdo cep të Shqipërisë.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta, ku  pjesa më e madhe e kanë cilësuar jo thjesht një çështje mes shtetit dhe menaxhimit të medias, por një goditje të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit, gazetarit dhe të drejtës kushtetuese për informim.Reagimet në rrjet janë të forta, ndërsa shumica theksojnë se sinjali i fikur i News 24 është shumë më tepër se çështje e një historie personale, pasi media, qoftë ajo shtetërore apo private, është në një farë mënyrë pronë e publikut, është mjeti për t’u shprehur lirisht.

E pyetur nga Businessmag, Klodiana Lala, gazetare që në vitet e para të News24 dhe gazetës Shqiptare dhe një nga zerat më të fortë të saj e quan këtë akt krejtësisht të papranueshëm:“E konsideroj ndërhyrje arbitrare dhe tentativë për të heshtur gazetarët“.

Lexo edhe: Tkurrja e turizmit ul çmimet e hoteleve, sa kushtojnë dhomat nga jugu në veri

Shoqata të medias, politikanë dhe qytetarë kanë paralajmëruar se ky precedent mund të hapë rrugën për shuarjen e zërave kritikë .

“Demokracia vdes në errësirë”! , gazetarët protestë në orën 12:00
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë zhvilloi një protestë sot në 12:00 para godinës së News24, ndërsa dhjetëra gazetarë, personazhe publike, politikanë dhe aktivistë  u bënë pjesë e saj duke u solidarizuar me kolegët e Focus Media News dhe Panorama Group.

Esiona Konomi, gazetare  e çështjeve politike dhe zv kryetare e  AGSH ( Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë) u shpreh për Businessmag se protesta e organizuar nga AGSH është një shfaqje e solidaritetit të plotë me kolegët e mediave të goditura nga qeveria dhe të braktisura nga aksionerët.

Protesta e AGSH është një solidaritet i plotë me kolegët e këtyre mediave që sot janë në udhëkryq, të goditur nga qeveria dhe të braktisur nga aksionerët. Ne protestuam për sigurinë profesionale dhe financiare të gazetarëve, por edhe për publikun e këtij ekrani që është prej ditësh me transmetim të ndërprerë. Pronarët dhe qeveria bashkëndajnë përgjegjësinë për të rikthyer transmetimin, për të rikthyer në punë gazetarët dhe duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme për pagat dhe sigurimet e prapambetura të punonjësve. News 24 ka pasur aksionerë dhe administratorë të ndryshëm ndër vite, por gjithmonë ka qenë një pasuri e publikut. Si e tillë, duhet trajtuar përtej ngurtësisë së një kontratë. Fikja brutale e një televizioni, edhe në mos qoftë hakmarrja e të pushtetshmëve, ofron një mesazh negativ në lirinë e shtypit në vend.”- tha Konomi.

Reagimi i  (MEKI) dhe pretendimet e NEWS24
MEKI ka deklaruar se ambienti ku është vendosur News24 ka detyrime të pashlyera që nga muaji shkurt 2017, duke arritur në një shumë prej më shumë se 2 milionë euro. Ministria ka theksuar se trajtimi i barabartë i të gjitha subjekteve ekonomike është një parim themelor dhe se është e padrejtë që disa të përfitojnë nga kontrata publike të dhëna në mirëbesim pa shlyer detyrimet e tyre. MEKI ka sqaruar se pasuria në fjalë nuk është e lidhur juridikisht me pasuritë e kaluara në administrim të Shoqërisë Kayo sh.a. dhe se qiramarrësi ka mosshlyerje të detyrimeve që nga viti 2017. Ministria ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e kontratës për shkak të këtyre detyrimeve të papaguara dhe ka deklaruar se veprimet e policisë janë të justifikuar për të garantuar respektimin e ligjit dhe të drejtave të pronës publike.

Drejtuesit e News24, si drejtoresha e përgjithshme Anila Jole, kanë shprehur mbështetje të plotë për televizionin dhe kanë deklaruar se News24 do të rikthehet. Ata kanë theksuar se heqja e sinjalit është një akt i padrejtë dhe kanë bërë thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare për të garantuar lirinë e medias. Drejtuesit e News24 kanë pretenduar se veprimet e policisë janë të paligjshme dhe se nuk ka pasur asnjë vendim gjyqësor që të justifikojë këto veprime.
Njëra nga pikëpamjet kryesore të kontrastit është në lidhje me ligjshmërinë e veprimeve të policisë dhe ndërprerjes së sinjalit. MEKI pretendon se veprimet janë të justifikuar për të garantuar respektimin e ligjit dhe të drejtave të pronës publike, ndërsa drejtuesit e News24 argumentojnë se këto veprime janë të paligjshme dhe sulmojnë lirinë e medias.

Reagimi i Qendrës Evropiane për lirinë e shtypit

Qendra Evropiane për lirinë e medias dhe shtypit ka reaguar në rrjetet sociale duke mbështetur gazetarët e Focus Group Media. Në një postim zyrtar, Qendra ka konfirmuar se autoritetet shqiptare kanë ndërprerë sinjalin e News24, duke shkaktuar reagime të forta nga rrjetet ndërkombëtare si SCiDEV dhe SafeJournalists, të cilët kanë dënuar agresionin e policisë ndaj News24 dhe kanë bërë thirrje për heqjen e bllokadës. Kjo ndërprerje e sinjalit është e para në histori të mbi dy dekadat e ekzistencës së News24, duke shkaktuar një alarm të madh për lirinë e medias në Shqipëri

Shqipëria dhe liria e shtypit

Ironikisht, vetëm pak muaj më parë, Shqipëria ishte ngjitur me 19 vende në Indeksin Global të Lirisë së Shtypit të “Reporterëve Pa Kufij”, duke u renditur e 80-ta nga 180 shtete.

Sot, euforia është zëvendësuar nga një realitet i hidhur që nxjerr zbuluar plagët e vjetra të medias shqiptare; një terren ku pavarësia editoriale cënohet nga aleancat e padukshme mes politikës dhe biznesit, ku kuadri ligjor ka boshllëqe dhe ku gazetari që ‘prek shtetin’ bëhet shënjestër .

Dilema nuk qëndron tek rikthimi i sinjalit të News24, sepse ai, në një formë apo tjetër, do të ndodhë. Pyetja është: çfarë do të thotë për Shqipërinë kur një media e madhe mund të fshihet nga ekrani me një urdhër administrativ? Përgjigjja nuk do të përcaktojë vetëm fatin e një televizioni, por edhe kufijtë e lirisë së fjalës në këtë vend.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0