Kryeministri Edi Rama e cilësoi publikimin e pagave të qytetarëve si një ngjarje të shëmtuar. Por ai theksoi se “një e keqe që s’vjen gjithmonë për keq”. Ai u bëri thirrje kompanive private që të rregullojnë deklarimet e pagave deri më 20 janar, ose përndryshe do të dënohen për evazion fiskal.
Ai deklaroi gjatë daljes publike se,
“Me pagat ka ndodhur së fundi një ngjarje shumë e shëmtuar dhe shqetësuese, por pjesa kriminale e ngjarjes është një pjesë që i takon Prokurorisë, e cila po heton në mënyrë intensive. Kam arsye të besoj se do kemi rezultate dhe kush e ka bërë, do përgjigjet para ligjit. Në këndvështrimin më afatmesëm, kjo ngjarje mund të quhet edhe siç thuhet, jo çdo e keqe vjen vetëm për keq. Ekspozimi i të dhënave personale me pagat është i papranueshëm, por nga ana tjetër, sot ka një pasqyrë domethënëse në sytë e gjithë shqiptarëve që kanë parë atë pasqyrë. Askush mos të thonë se po sulmojmë dikë. Ne kemi kohë që i dimë pagat. Nuk është një situatë e ngjashme me ato më parë, por është e papranueshme. Askush nuk mund të thotë që po sulmojmë mediat.
Të gjitha ato kompani që japin paga fiktive të rregullojnë deklarimet. Në dijeninë time ka nisur apo do nisë një letër për tatimpaguesit me deklarime shqetësuese që rezultojnë në mospërputhje flagrante me kapacitetet e tyre, duke u kërkuar të vetëdeklarohen deri në 20 Janar. Në rast mosvetërregullimi do ketë hetim të thelluar për evazion. Evazioni dënohet me burg.
Ne nuk mund të vijojmë të presim gradualitet se kemi zgjedhur gradualitetin vit pas viti për rregullimin e sistemit e për të mos krijuar situata mbytëse për biznesin por nuk mund të presim për njerëzit që punojnë dhe nuk marrin në të bardhë atë që u takon, duke shitur vullnetin e tyre dhe të ardhmen, sepse te pagat minimale të deklaruara, që shoqërohen me para CASH, goditet e ardhmja e individit pasi sigurimet për pensionin janë shumë më të ulëta, goditen të ardhurat e skemës së pensioneve e bllokohet mundësia për të rritur pensionet.
Kjo do shoqërohet dhe me një reformë të re e të shpejtë që edhe kjo na gjeti si ngjarje në përgatitje për të ndarë në një mënyrë teknike biznesin e vogël nga hapësirat që i japin atyre që fitojnë shumë të sillen si biznes i vogël, pra të bëjnë cirk”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.