Kriza e familjes në Shqipëri/Martesat bien, divorcet rriten - Business Magazine Albania

Kriza e familjes në Shqipëri/Martesat bien, divorcet rriten

biznes

Familjet shqiptare po kalojnë një periudhë të fortë tranzitore nga fenomenet e migracionit, varfërisë, kostove të larta të jetesës që po ndikojnë në uljen e martesave dhe nga ana tjetër divorcet kanë tendencë rritëse.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se vitin e kaluar kishte 16,120 martesa me rënie -7.7% në krahasim me 2023, ndërsa divorcet ishin 4,100 ose 65 më pak se në 2023.

Edhe pse numri absolut i divorceve ka luhatje, raporti i tyre për 100 martesa është rritur dukshëm. Në vitin 2021, për çdo 100 martesa kishte vetëm 15.8 divorce, ndërsa më 2024 ky raport arrin në rreth 25 divorce për 100 martesa, niveli më i lartë i pesë viteve të fundit.

Martesat po vijnë gjithnjë e në ulje për faktorë që lidhen me emigracionin dhe rënien e të rinjve që redukton bazën e popullsisë që martohet.

Presioni ekonomik është bërë një faktor vendimtar si për mos-lidhjen në martesë ashtu edhe për divorcet. Të rinjtë përballen me paga të ulëta, qira të larta, apartamente të papërballueshme për tu blerë dhe vështirësi serioze për të krijuar kushte të qëndrueshme për një familje. Si rrjedhojë martesa shtyhet në kohë ose shmanget krejtësisht. Nga ana tjetër divorcet po vijnë në rritje nga vështirësitë financiare që nxisin tensione edhe brenda familjeve.

Lexo edhe: Business Magazine Albania prezanton “Business Leaders 2025”

Shumë çifte jetojnë të ndarë për shkak të migracionit ekonomik, çka shpesh çon në prishje të martesës ose në moskryerjen e saj. Emigracioni dhe rënia e lindjeve kanë bërë që baza e popullsisë së re brenda vendit të tkurret.

Gjithashtu mentaliteti po ndryshon. Të rinjtë përqendrohen më shumë te karriera dhe pavarësia financiare, duke e shtyrë martesën deri në një moshë më të vonë ose duke preferuar bashkëjetesën pa formalizim.

Nga ana tjetër, pjesëmarrja më e lartë në tregun e punës dhe të ardhurat e pavarura u japin grave më shumë autonomi, duke i bërë më pak të varura nga martesa si mekanizëm ekonomik. Në të njëjtën kohë, kjo rrit edhe gatishmërinë për t’u divorcuar kur marrëdhënia nuk funksionon, duke shmangur sakrificat që dikur konsideroheshin të domosdoshme për ruajtjen e familjes.

Gjithnjë e më shumë, sidomos në zonat urbane, stresi është më i lartë. Ritmi i shpejtë i jetesës dhe mungesa e mbështetjes sociale po shton presionet brenda familjes. Teksa normat shoqërore janë liberalizuar, stigma ndaj divorcit është dobësuar ndjeshëm. Sot, divorci shihet si një zgjidhje e pranueshme dhe jo si dështim, gjë që e bën më të lehtë marrjen e këtij vendimi.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0