Krahu bionik që mund të lëvizë vetë – edhe kur është i shkëputur nga trupi - Business Magazine Albania

Krahu bionik që mund të lëvizë vetë – edhe kur është i shkëputur nga trupi

Krahu bionik më i avancuar në botë mund të lëvizë vetë – edhe kur është i shkëputur nga trupi

Një startup britanik ka prezantuar krahun e parë bionik wireless në botë, i cili funksionon edhe kur nuk është i lidhur me trupin e përdoruesit.

Open Bionics, me qendër në Bristol, ka kaluar katër vite duke zhvilluar modelin më të fundit të krahut bionik Hero, që tashmë konsiderohet si gjymtyra robotike më e avancuar në botë.

“Është dy herë më i shpejtë dhe dy herë më i fuqishëm se duart bionike aktuale në treg, ndërsa mbetet edhe dora më e lehtë e disponueshme  dhe e para që është plotësisht e papërshkueshme nga uji dhe tërësisht pa tela,” – u shpreh Samantha Payne, bashkëthemeluese dhe CEO e Open Bionics, për gazetën The Independent. “Është një hap gjigant për industrinë dhe na ka gëzuar jashtëzakonisht reagimi pozitiv nga mjekët dhe vetë pacientët. Është si një teknologji që vjen nga filmat fantastiko-shkencorë.” Pajisja përdor elektroda EMG wireless të quajtura MyoPods, që vendosen mbi krahun e përdoruesit dhe lexojnë sinjalet muskulore. Këto sinjale i japin komandë gishtërinjve të dorës bionike për të lëvizur.

Tilly Lockey, një vajzë 19-vjeçare që humbi të dyja duart si fëmijë nga meningiti, ka qenë përdoruese e krahëve bionikë të zhvilluar nga Open Bionics për nëntë vitet e fundit. Përvoja dhe sugjerimet e saj kanë ndihmuar në zhvillimin e modelit më të ri, që ajo e cilëson të pakrahasueshëm përsa i përket funksionalitetit dhe teknologjisë.

Video e plotë

“Edhe pse e dija që teknologjia e re do të ishte e mirë, nuk e prisja që do të mbetesha pa fjalë nga niveli i përparimit,” – tha ajo.
“Duart janë shumë më të fuqishme. Mund ta heq vetë dorën time dhe ta bëj të ecë mbi tavolinë dhe të kthehet tek unë, vetëm duke përdorur sensorët pa tela që ndodhen në lidhësen time. Nuk mund ta imagjinoni sa epike është kjo teknologji.”

Që prej krijimit në vitin 2014, Open Bionics ka ndihmuar mbi 1,000 persona, duke përdorur skanime 3D dhe printim 3D për të krijuar krahë bionikë të personalizuar për njerëz me amputime. Modeli më i fundit lejon përdoruesit të ndërrojnë dorën me pajisje të tjera, duke iu dhënë mundësinë të përshtaten me aktivitete të ndryshme me lehtësi.

“Tani kam rrotullim 360 gradë në kyçin e dorës dhe mund ta përkul atë gjithashtu. Nuk ka asnjë dorë tjetër që bën këtë,” – shtoi Tilly. “Asnjë dorë tjetër nuk është pa tela dhe e papërshkueshme nga uji, dhe kjo është më e shpejta nga të gjitha, ndërkohë që mbetet më e lehta në peshë. Nuk e di si e kanë arritur këtë. Jam më e fortë se kurrë më parë.”

the independent

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0