Koreja e Jugut miraton ligjin e parë gjithëpërfshirës në botë për sigurinë e inteligjencës artificiale - Business Magazine Albania

Koreja e Jugut miraton ligjin e parë gjithëpërfshirës në botë për sigurinë e inteligjencës artificiale

Koreja e Jugut miraton ligjin e parë gjithëpërfshirës në botë për sigurinë e inteligjencës artificiale

Koreja e Jugut ka miratuar zyrtarisht ligjin e parë gjithëpërfshirës në botë që rregullon përdorimin e sigurt të inteligjencës artificiale (AI), raportoi Yonhap News.

Ligji, i quajtur Akti Bazë për Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale dhe Krijimin e një Baze Besueshmërie, ka hyrë tashmë në fuqi dhe synon të rrisë përgjegjësinë e kompanive dhe zhvilluesve të AI-së, veçanërisht në luftën kundër përmbajtjeve deepfake dhe dezinformimit të gjeneruar nga AI.

Sipas këtij akti, kompanitë që përdorin modele AI me rrezik të lartë, sisteme që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme ose në sigurinë e njerëzve, janë të detyruara të informojnë përdoruesit se shërbimet e tyre bazohen në inteligjencë artificiale dhe të garantojnë masa të përshtatshme sigurie. Në këtë kategori përfshihen përdorimet e AI-së në procese punësimi, vlerësime kredish dhe dhënie këshillash mjekësore.

Po ashtu, çdo përmbajtje e krijuar nga AI duhet të jetë e shoqëruar me watermark, e cila tregon qartë se materiali është gjeneruar nga inteligjenca artificiale. “Vendosja e watermark-ut në përmbajtjet e krijuara nga AI është masa minimale mbrojtëse për të parandaluar pasojat negative të abuzimit me teknologjinë, siç janë deepfake-t,” u shpreh një zyrtar i Ministrisë së Shkencës.

Lexo edhe: Apple po punon për një AI Pin që pritet të lançohet në 2027

Ligji parashikon gjithashtu që kompanitë ndërkombëtare që operojnë në Korenë e Jugut duhet të emërojnë një përfaqësues lokal nëse plotësojnë një nga këto kritere: të ardhura vjetore globale prej të paktën 1 trilion won (rreth 680 milionë dollarë), shitje vendase mbi 10 miliardë won (6.8 milionë dollarë), ose mbi 1 milion përdorues ditorë në vend. Në këtë kategori përfshihen kompani si OpenAI dhe Google.

Shkeljet e ligjit dënohen me gjoba deri në 30 milionë won (rreth 20 mijë dollarë). Megjithatë, qeveria ka parashikuar një periudhë njëvjeçare tranzicioni përpara vendosjes së sanksioneve, me qëllim t’i japë sektorit privat kohë për t’u përshtatur me rregullat e reja.

Në kuadër të këtij akti, ministri i Shkencës është i detyruar të paraqesë çdo tre vjet një plan strategjik kombëtar, që synon njëkohësisht promovimin e industrisë së AI-së dhe garantimin e përdorimit të saj të sigurt dhe të besueshëm.

AA

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0