Koncesion vs Publike: Arsyet e dështimit

Koncesion vs Publike: Arsyet e dështimit


Shqipëria ka një sektor publik të dobët, por nga ana e tyre koncesionet janë jotransparente dhe raporti mes kostove dhe përfitimeve prej tyre është i paqartë, në rastin më të mirë. Kontratat e nënshkruara u kanë falur koncesionarëve miliona në fitime dhe u kanë garantuar monopole jetëgjata, por kompanitë publike janë keqmenaxhuar dhe rrezikojnë falimentin.

Imazhi i koncesionarëve të mëdhenj në vend, si Bankers Petroleum, ato në industrinë e nxjerrjes së mineraleve, HEC-et apo kompanitë që ofrojnë shërbime doganore e të ngjashme, është ai i zhvatësve të pasurive publike. Dështimi i një liste jo të vogël të këtyre koncesioneve përfshi atë të CEZ, Armo e të ngjashme, e ka penalizuar Shqipërinë me humbje disa qindra milionëshe, ndërsa pjesa tjetër regjistrojnë marzhe fitimi gjigante, pa qenë të bezdisur prej konkurrencës, ndërsa akuzohen edhe nga raportet publike, se kanë investuar vetëm kacidhe në sektorët që shfrytëzojnë e ku shpesh flitet për katastrofa. Ditët e fundit koncesionet janë kryefjala e ditës, ndërsa qeveria po synon të lëshojë një të ri në fushën e administrimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), pasi më herët kishte lëshuar për kompani private, gjithmonë nën akuza të ashpra nga opozita dhe media për korrupsion, shërbime si: Hemodializa, Check Up shëndetësor.

Open Data (opendata.al) ka bërë publik një regjistër konçesionar, me 66 kompani, të cilat kanë marrë lëshime prej shtetit të kryejnë aktivitete, që prej nxjerrjes së mineraleve e naftës, deri te menaxhimi i parkingjeve publike, në qytete si: Fieri apo Vlora. Miratimi i këtyre koncesioneve, thuajse të gjithave ka kaluar përmes akuzave të ashpra publike për abuzim dhe korrupsion prej opozitave. Ndërkohë mjaft prej koncesionarëve apo blerësve të shërbimeve që më herët u jepeshin qytetarëve nga vetë shteti janë lidhur me emra zyrtarësh të lartë, të cilët supozohet se përfitojnë prej tyre. Nga ana tjetër përtej zhurmës, dyshimeve dhe kontratave aspak favorizuese për qytetarët, asnjë prej rasteve në fjalë nuk është hetuar dhe as gjykuar, madje as në raste të dështimeve si CEZ apo Armo e të ngjashme.

Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), sa i përket gjendjes fiskale në vend vë theksin në faktin që përfitimet prej koncesioneve janë të vogla. “Shqipëria është e pasur në burime natyrore, por përfitimet prej kësaj janë të vogla”, thuhet në raport duke vënë në dukje se edhe auditet e këtyre kompanive kanë probleme.

Anulim, ç’anulim

Sa herë janë në opozitë, partitë politike shqiptare kanë premtuar anulim të koncesioneve dhe kontrolle të ashpra, duke akuzuar qeverinë se po “shiste vendin”. Por përtej ca gërricjeve të vogla juridike, me disa prej kompanive koncesionare, asnjë qeveri nuk ka mundësi të anulimit të asaj që është miratuar, pa qenë e detyruar të paguajë gjoba prej miliona eurove dhe dëmtuar imazhin për investitorë të ngjashëm. E megjithatë pretendimet për anulime, vijojnë të jenë pjesë e premtimeve politike, ashtu si vendosja e drejtësisë, edhe pse qeveria pak ka në dorë, deri sa kontratat e nënshkruara në emër të Shqipërisë janë shpesh favorizuese deri në atë pikë për koncesionarët, sa e bëjnë të pamundur marrjen e masave ndaj tyre. Vetëm në vitet e fundit Shqipëria ka dhënë disa shërbime si monopol me fitim të sigurt për kompani të ndryshme dhe megjithë përfoljen apo problemet e raportuara dhe mungesën e investimeve të premtuara, asnjë prej këtyre nuk ka rrezikuar koncesionin. Përtej kësaj, koncesionet nuk kanë qenë një sukses i veçantë. Duke përfituar prej kontratave favorizuese të kontrollit të dobët qeveritar, të ndikuar masivisht prej korrupsionit, pjesa më e madhe e këtyre kompanive kanë shpëtuar pa probleme, edhe në rastin kur veprimet apo mosveprimet e tyre kanë shkaktuar vdekje të punëtorëve apo dëme mjedisore të rënda.

Por kjo nuk ka rrezikuar koncesionin, ky nuk është rrezikuar as në rastin e rafinerisë së Cërrikut të cilën koncesionari, sipas një investigimi të BIRN, e shkriu për skrap duke e transformuar pasurinë që duhej ta rikthente në punë. Praktikisht e vetmja mënyrë për të ndaluar koncesionarët është që të mos ketë koncesion, por kjo do kërkonte që menaxhimi i pasurive publike të kryhej nga qeverisja.

Dëmi i publikes

E thënë kjo, gjasat që përfitimet në këtë rast të ishin më të mëdha janë mjaft të dyshimta. KESH, OSHEE, një listë ujësjellësish apo kompania publike e naftës Albpetrol, janë gati gjatë gjithë kohës nën akuza për korrupsion dhe keqmenaxhim të burimeve. Një pjesë e mirë e ndërmarrjeve publike edhe pse mund të zotërojnë pasuri të konsiderueshme kanë dështuar t’i menaxhojnë ato dhe në mjaft raste kanë sjellë dëme të tjera në vlera të mëdha. Keqmenaxhimi i kaskadës së Drinit nga KESH, ishte arsyeja kryesore e përmbytjeve për disa vite rresht të Shkodrës dhe ultësirës pranë saj. Po ashtu, keqmenaxhimi e zhyti OSHEE-në në borxhe të mëdha. Në të njëjtin raport të këtij viti, FMN vë në dukje se edhe pse ka një sektor publik më të vogël se mjaft vende të Bashkimit Europian, ky sektor i sjell vendit rrezikun më të madh fiskal vlerësuar në 20 për qind të PBB. Sipas FMN-së sektori publik është i keqmenaxhuar dhe nuk arrin të mbulojë kostot e veta duke pasur nevojë për para ekstra nga buxheti i shtetit. OSHEE, kompania më e madhe me këto probleme, pjesërisht të shkaktuara edhe nga dështimi i një koncesioni, pritet të marrë para nga buxheti deri në vitin 2019. Fakti është që kompanitë publike në vend që të sjellin përfitime në arkën e shtetit, kanë rezultuar të marrin para prej saj, ndërsa po ashtu janë në akuzë të përhershme për korrupsion e skema abuzive në favor të drejtuesve të tyre.

Korrupsioni

Shqiptarët kështu, ndërsa jemi në valën e debatit mbi koncesionet, kanë pak për të zgjedhur. Mes koncesionarëve të favorizuar deri në monopole dhjetëravjeçare dhe kompanive publike që keqmenaxhojnë ato që u lihen në administrim, nuk ka shumë për të zgjedhur. Ajo që i mbetet të zgjedhë Shqipëria është përmirësimi i mënyrës se si i lëshon koncesionet dhe një kontroll më i rreptë mbi to për të mos lejuar abuzimet, por kjo ashtu si edhe mirëmenaxhimi i kompanive publike, kërkon që vendi të godasë korrupsionin dhe të krijojë procedura transparente. Ndërkohë përndryshe nga sipërmarrjet publike, kompanitë koncesionare kanë raste të suksesit. Një pjesë e tyre si për shembull ndërtimi i disa HEC-eve, apo Aeroporti i Rinasit, kanë mundur të përmirësojnë shërbimet që ofrojnë edhe pse kostoja për këto ka qenë lartë. Por nga ana tjetër ndryshe prej kompanive publike e të menaxhuara me administratorë publikë, që mbahen në këmbë me pagesa nga buxheti, këto të fundit në shumicën dërrmuese i paguajnë shtetit pjesë prej fitimit të tyre, edhe pse ka dyshime të forta për shmangie e evazion në disa raste. Beteja për të fituar para prej pasurive natyrore e burimeve të tjera, mbetet ndërkohë në duar të qeverisjes dhe së famshmes luftë ndaj korrupsionit.

 

/Nga Vladimir Karaj, Publikuar më parë te Mapo.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0