Komani: Talent Garden në Tiranë synon hapjen e një perspektive të re inovative - Business Magazine Albania

Komani: Talent Garden në Tiranë synon hapjen e një perspektive të re inovative


GERTI BOSHNJAKU

Talent Garden Tirana është një hapësirë coworking për talente të fushës dixhitale dhe kreative që veprojnë si profesionistë të lirë, sipërmarrës e punonjës në startupe të reja dhe/ose ndërmarrje ekzistuese. Kjo nismë disavjeçare me burim në Itali, tashmë është përhapur në 15 qytete europiane, e prej muajit maj 2015 ndodhet edhe në Tiranë. Për këtë iniciativë të cilën Linda Komani  e nisi në shkurt të 2015, ajo na flet në intervistën e mëposhtme ekskluzivisht për Infoalbania:

Kush ështe Linda Komani? 

Manaxhere / Konsulente / Sipërmarrëse. Studioi biznes dhe financë në Universitetin e Gracit (Austri) ku u specializua në studime master në fushat e manaxhimit financiar dhe industrial dhe manaxhimit e biznesit ndërkombëtar. Gjithashtu para pak kohësh përfundoi studimet master për EU Business Law në Universitetin e Tiranës. Jetën profesionale ia kushton manaxhimit dhe konsulencës sikurse dhe shkrimit (letrar dhe jo-letrar). Lindita ka qenë aktive në krijimin, manaxhimin e zhvillimin e mëtejshëm të disa OJF-ve që veprojnë në fusha të ndryshme, në fushën shkencore (Instituti Alb-Shkenca), sipërmarrjen dhe zhvillimin e të rinjve (know&how Junior Enterprise – në Austri, Unique Junior Enterprise – në Shqipëri, UNI Group Junior Enterprise – në Kosovë, JADE – në Austri dhe Belgjikë, Think Young – në Belgjikë), sektorit IT (Shoqata Shqiptare e Teknologjisë së Informacionit) si dhe Austrian Society Albania dhe Albanian Road Safety Council. Në 2013 Lindita krijoi zyrën e konsulencës Kompass dhe që prej muajit shkurt 2015 ajo drejton iniciativën e re të biznesit Talent Garden Tirana. Në maj 2015 Lindita ishte gjithashtu aktive si mentore në Pioneers Festival 2015.

Çfarë është Talent Garden? Si lindi dhe kujt i drejtohet si nismë?

Talent Garden Tirana është një hapësirë coworking për talente të fushës dixhitale dhe kreative që veprojnë si profesionistë të lirë, sipërmarrës e punonjës në startupe të reja dhe/ose ndërmarrje ekzistuese. Kjo nismë disavjeçare me burim në Itali, tashmë është përhapur në 15 qytete europiane, e prej muajit maj 2015 ndodhet edhe në Tiranë. Nisma ndërkombëtare është themeluar nga profesionistë e sipërmarrës të rinj në moshë, të cilët në vështirësi për t’u bërë grup për të zhvilluar idetë e tyre, me mbështetje nga sipërmarrës të cilët besuan tek ata, krijuan të parën hapësirë të këtij lloji në qytetin verior të Italisë, në Brescia. Në Shqipëri kjo nismë sillet nga ndërmarrja LocalEyes, multinacionale lider në fushën e përkthimit dhe lokalizimit, me qendër në Irlandë e aktive me zyrat e veta në 14 shtete. LocalEyes njeh përparimet më të fundit në fushën e teknologjisë përmes shërbimeve që bën për klientë ndërkombëtare si Apple, Amazon, Samsung, IBM, Siemens e shumë të tjerë dhe përmes sjelljes së Talent Garden në Tiranë synon hapjen e një perspektive të re inovative zhvillimi, qoftë për ndërmarrjen vetë ashtu edhe për ekosistemin e teknologjisë dhe inovacionit në Shqipëri. Nisma i drejtohet talenteve të fushës dixhitale dhe kreative, të cilët dëshirojnë të jenë në kontakt direkt me mundësi të reja zhvillimi për ta, të kenë qasje në treg ndërkombëtar për produktet e shërbimet e tyre, të kenë mundësi të përfshihen në projekte që do të vijnë nga jashtë përmes kësaj strukture të re të krijuar.

Çfarë ‘boshllëku’ plotëson në aktualitetin/ekosistemin e sotëm shqiptar?

Talent Garden Tirana pasuron ekosistemin e sotëm shqiptar dhe kontribuon duke mbushur një boshllëk / duke zgjidhur një problem që njihet si i tillë nga profesionistët e lirë e sipërmarrësit shqiptarë e pikërisht mungesën e aksesit në tregje ndërkombëtare. Ky boshllëk / problem deri më sot nuk ka marrë vëmendjen e duhur dhe ndërmarrjet në të shumtën e rasteve konkurrojnë me njëra-tjetrën deri edhe egërsisht në rang lokal pa patur shfrytëzuar mundësinë që bota e biznesit sot është globale dhe tregu shqiptar një pjesëz shumë e vogël në këtë botë. Mendoj që perspektiva e çdo biznesi do të ishte një tjetër nëse që nga fillimi, ose të paktën që nga çasti kur konstatohet, drejtuesit e tij vlerësojnë siç duhet mundësinë që të jep biznesi ndërkombëtar. Me punën tonë, Talent Garden Tirana dhe LocalEyes si themeluese e mbështetëse kryesore e saj, ne do të kontribuojmë që perspektiva për bizneset dhe profesionistët e lirë që do të duan të bëhen pjesë e iniciativës, të ndryshojë pozitivisht. Të mirëpritur të përfshihen janë edhe biznese e iniciativa ekzistuese në Shqipëri të cilat kanë vision të njëjtë për zhvillimin e ekosistemit dhe të sektorëve në fjalë (dixhital dhe kreativ).

Çfarë vlerash promovon Talent Garden Tirana?

Talent Garden Tirana promovon talentet shqiptare në fushën dixhitale dhe kreative që janë të gatshëm për perspektivën ndërkombëtare dhe synojnë për një të ardhme më të mirë, promovon inovacionin lokal dhe global, promovon vlerat dhe e bashkëpunimit dhe punës së përbashkët si një nevojë e si hallkë thelbësore për arritjen e zhvillimit individual dhe të biznesit, perspektivën globale për të menduar ndryshe e për t’u rritur nga ana profesionale.

Si i ndihmon Talentet e reja apo Startup-et pjesëmarrja në aktivitetet e TAG?

Me praninë në TAG Tirana, talentet, profesionistë të lirë e sipërmarrës në startupe e ndërmarrje ekzistuese bëhen anëtarë të një rrjeti ndërkombëtar talentesh që aktualisht përmban mbi 500 anëtarë në Itali, Spanjë, Lituani e në perspektivë të afërt edhe Luksemburg, Zvicër, Danimarkë, SHBA. Deri në vitin 2018 pritet që Talent Garden do të ketë 50 hapësira në vende të ndryshme të botës. Përtej kësaj anëtarët e TAG Tirana kanë akses në rrjetin e kontakteve të LocalEyes. Prania fizike dhe virtuale në këtë rrjet hap një perspektivë rrjetëzimi e promovimi që ndryshe e tjetërkund nuk do të mund të gjendej.

Ju keni lançuar një Konkurs Talentesh. Si është organizuar dhe çfarë kriteresh ka për pjesëmarrje?

Konkursi GoGlobal Prize është lançuar përmes nesh si iniciativë e themeluesit të TAG Tirana, LocalEyes. Ky konkurs ka për qëllim të zbulojë startup-et më inovative me potencial global, pra me perspektivën për t’u lançuar në nivel global përmes strukturës dhe lidhjeve që LocalEyes zotëron kudo ku vepron si biznes ndërkombëtar. Konkursi fillon me Shqipërinë dhe do të shtrihet në të gjithë shtetet ku LocalEyes ka zyrë përfaqësimi. Në secilin shtet do të zgjidhet nga një startup fitues. Juria që bën vlerësimin është ndërkombëtare dhe drejtohet nga drejtuesit e LocalEyes.

Startupet e interesuara kanë kohë për 4 muaj që të përgatiten për këtë konkurs dhe të dorëzojnë idenë e tyre për konkurrim. Në muajin korrik, me lançimin e kushteve të konkursit, ne do të zhvillojmë aktivitete promovuese e tutoriale për të ndihmuar të interesuarit të plotësojnë kushtet me qëllim që aplikimet të plotësojnë kushtet për vlerësim nga juria. Faqja e konkursit është: http://goglobalprize.com/. Në fillim të muajit korrik në këtë faqe do të paraqitet lista e plotë e kushteve dhe formulari i aplikimit.

Çmimi GoGlobal Prize përmban: 10 000 euro nga LocalEyes për startup-in fitues në shkëmbim të një numri aksionesh për pjesëmarrje në startup, një muaj inkubacion në Akademinë GoGlobal të LocalEyes të krijuar në afërsi të Milanos në Itali, mbështetje për modelin e biznesit dhe përgatitjen e startup-it nga ana ligjore dhe financiare për t’u lançuar në nivel ndërkombëtar, mbështetje në sigurimin e fondeve të mëtejshme përtej shumës së dhënë për fitoren nga LocalEyes.

Çfarë do të ndodhë në të ardhmen në TAG Tirana?

Iniciativa interesante e aktivitete të pazhvilluara më parë në Tiranë do të mundësohen përmes TAG Tirana. Ne po punojmë për konceptimin dhe përfshirjen e talenteve në to. Vlejnë të përmenden në mënyrë të veçantë: LocalEyes GoGlobal Prize si dhe Next Friday Job. Për iniciativën e parë u shpreha pak më lart. Iniciativa e dytë synon sjelljen e punëve të përmasave të ndryshme për talente shqiptare, qofshin këto nga jashtë ashtu edhe nga ndërmarrje vendase, krijimin e një lloj burse punësh për fushën dixhitale dhe kreative ku talentet konkurrojnë me ide/koncepte zgjidhjeje për t’i fituar ato. Puna lançohet të premten dhe deri të premten në vijim të interesuarit mund të paraqesin idenë/konceptin e tyre sesi puna mund të kryhet. Të premten në vijim, në një aktivitet Aperitif të llojit tipik italian, në mjediset e TAG Tirana shpallet fituesi i cili fiton një kontratë afatshkurtër për kryerjen e punës deri në përfundim. Puna e përfunduar i prezantohet në vijim publikut që ndjek zhvillimet e rrjetit tonë. Gjithashtu këtyre dy iniciativave pritet t’i shtohen edhe të tjera, trajnime të ofruara nga ndërmarrje e profesionistë të lirë, evente prezantimi ndërmarrjesh e produktesh të reja, fjalime frymëzuese, aktivitete rrjetëzimi e më gjerë.

Ndaj ia vlen të qëndrojmë në kontakt edhe më tej, për të folur dhe për perspektivën që ato do të mundësojnë.

Në fund një këshillë motivuese nga ty, drejtuar sipërmarrësve të rinj apo atyre që dëshirojnë të kenë Startup-in e tyre?

Mendoni në mënyrë pozitive dhe ushtrojeni veten drejt mendimit pozitiv e kërkimit të vizionit afatgjatë. Jini të hapur drejt bashkëpunimit, krijimit e forcimit të një grupi i cili në shumatore është më i fortë dhe me më shumë kapacitet krijimi dhe zhvillimi se individët që e përbëjnë atë. Që në nisje mendoni përtej kufijve të Shqipërisë. Bota e biznesit sot është mbikufitare dhe ofron mundësi për të gjithë që duan të punojnë e kanë vullnet të zhvillohen. Filloni pa shumë pretendime, më së pari për të provuar nëse sipërmarrja bën për ju.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0