Përhapja e koronavirusit është një tragjedi njerëzore, e cila për një periudhë të shkurtër kohore ka prekur qindra mijëra njerëz. Fatkeqësisht kësaj tragjedie nuk mund t’i shmangen bizneset dhe ekonomia globale. Si pasojë kjo situatë do të shkatërrojë biznese të shumta, startupe e jetë njerëzish.
Lexo: Ministria e Jashtme: Njoftim për qytetarët shqiptarë që ndodhen në Holandë
Ndaj ftohen drejtuesit e bizneseve të qëndrojnë të qetë dhe të bashkëpunojnë për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën dhe ndikimet në kompanitë e tyre, në këto kohë të vështira.
Ndërsa efekti i koronavirusit duket surreal dhe mundësitë janë të kufizuara, mbani mend se ndonjëherë vështirësia sjell më të mirën tek ne. Ditët e sotme mund të na detyrojnë të jemi sa më kreativ e inovatorë, ndoshta jo për të pasur sukses, por për të mbijetuar.
Duke inkurajuar bizneset të ruajnë qetësinë, platforma dua.biz më poshtë sugjeron të aplikohen këto praktika, pavarësisht nga lloji i biznesit.
Mos e mohoni situatën, pranoni problemin
Kur ndodh një fatkeqësi, gjithmonë ekziston një përqindje e atyre që fillimisht nuk dëshirojnë ta pranojnë realitetin. Në ditët e fundit themeluesit e kompanive me të cilët kemi biseduar, pothuajse të gjithë kanë qenë të vetëdijshëm që kjo situatë e krijuar nga koronavirusi dhe paniku do të ketë rezultate negative në bizneset e tyre. Ndonëse është e vërtetë që disa biznese do të pësojnë ndikime të drejtpërdrejta, më të rënda dhe të menjëhershme se të tjerët, duhet ta kemi parasysh se asnjë prej nesh nuk do të dalë i paprekur nga kjo pandemi
Ruani qetësinë
Mundohuni të jeni të qetë para se të merrni vendime. Mos i ndërpreni kontratat, por bisedoni me partnerët, klientët apo punonjësit tuaj. Kuptojeni situatën e tyre dhe mundohuni të gjeni një zgjidhje të mirë për të dy palët. Për të vazhduar më tutje, mos pushoni njerëz nga puna, nëse keni qenë në proces të punësimit të një punëtori të ri mos e ndalni procesin dhe nëse mundeni të vazhdoni t’i ofroni shërbimet ose produktet online bëjeni atë ose gjeni një zgjidhje tjetër.
Bëhu lideri që punonjësit e tu kanë nevojë tani
Në momente të krizës udhëheqësit duhet të tregojnë veten. Komunikoni me stafin tuaj, tregoni se shëndeti është në rend të parë dhe asgjë nuk është më e rëndësishme se njerëzit.
Nëse keni mundësi të punoni nga shtëpia është shumë mirë, mirëpo nëse puna e dikujt nuk mund të realizohet nga shtëpia, nuk është faji i tyre dhe nëse keni mundësi financiare, vazhdoni t’i paguani ata. Kompanitë gjithmonë duhet të kenë më shumë para rezervë për shpenzime të papritura në raste të paimagjinueshme.
Tani po ndodh pikërisht kjo, e paimagjinueshmja. Vendimet që merrni tani do të kenë ndikim dhe do të mbahen në mend për një kohë të gjatë, kështu që merrni vendimin e duhur. Me fjalë të tjera, planifikoni për më të keqen dhe shpresoni për më të mirën.
Kushtoni kujdes marketingut
Fillimisht mos e trajtoni këtë situatë si një mundësi marketingu sepse reputacioni juaj pozitiv i ndërtuar me vite e dekada mund të shkatërrohet vetëm për pak orë në internet. Njerëzit do të mbajnë gjithmonë në mend si diçka pozitive një markë që ka kontribuar në çfarëdo forme në përmirësimin e situatës, por ata do të urrejnë përgjithmonë një markë që ka provuar t’ju shesë atyre diçka.
Lexo: “Baboon” shpërndan ushqim për stafin e spitalit Infektiv
Gjithashtu, kujdes me fushatat e marketingut sepse një gjë e cila ka qenë shumë interesante para disa jave ka mundësi të mos jetë më e tillë për shkak të rrethanave që janë shkaktuar nga koronavirusi në tërë botën.
Buxhetin e marketingut mund ta fokusoni sa më shumë në televizione dhe reklama digjitale, për shkak të ligjeve në shtete të shumta ku shumica e njerëzve janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi.
Të përkrahim njëri-tjetrin
Nëse nuk mund ta ndalojmë këtë tragjedi atëherë mund të bëjmë diçka tjetër, të mbështetim njëri-tjetrin si biznese. Përkrahni bizneset, përkrahni startup-et, përkrahni bizneset lokale dhe ndihmoni për të shpëtuar ekzistencën e tyre.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm që jemi në kohë krize, por ndihmoni klientët tuaj në nevojë apo në raste urgjente. Ofrojuni atyre më shumë kohë për të paguar faturat ose ofrojuni një zbritje nëse është e mundur. Të vetëm mund të arrijmë pak ndërsa së bashku mund të arrijmë shumë.
Koronavirusi nuk është diçka që do ta kishim dëshiruar për askënd, por tani që jemi këtu, le ta përdorim këtë si një mundësi për të mbështetur njëri-tjetrin, për të qenë afër ayre që kanë nevojë dhe për t’u përgatitur për sfidat e reja që na presin.
Lexo: Ministrja e Shëndetësisë vendos një numër tjetër për urgjencat shëndetësore
Rreth dua.biz
dua.biz është pjesë e platformës dua.com, e cila ka për qëllimin të krijojë lidhje në mes të shqiptarëve në të gjithë botën. Mundësi të reja për biznesin dhe karrierën tuaj krijohen atëherë kur zgjeroni rrjetin tuaj. Me lançimin e aplikacionit dua.biz, secili shqiptar mund të njoftohet me bashkëthemeluesin, investitorin ose partnerin e tij, pa marrë parasysh në cilin shtet apo kontinent jetojnë. Ndaj dua.biz edhe sot fton kompanitë të mbështesin njëra-tjetrën dhe të bëjnë maksimumin për të qëndruar të qetë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.