Koha për një shoqëri gjithëpërfshirëse për personat me aftësi të kufizuara - Business Magazine Albania

Koha për një shoqëri gjithëpërfshirëse për personat me aftësi të kufizuara

Lubjana Malaj- Gjenerata jonë po përjeton një prej momenteve më të vështira për shkak të gjendjes së pandemisë të shkaktuar nga virusi COVID-19. Fatkeqësisht, ata që i ndjejnë pasojat më shpejt dhe më thellë janë grupet e cënueshme. Personat me aftësi të kufizuara janë vlerësuar si një komunitet prej deri në 1 miliard persona të popullsisë botërore prej Organizatës Botërore të Shëndetit, dhe me shifra të larta rezulton prezenca e këtij komuniteti edhe në Shqipëri, ku sipas vlerësimit të censusit të 2011-ës, 6.2% e popullsisë janë të prekur prej një forme të caktuar të aftësisë së kufizuar.

Të gjendur të papërgatitur për tu përballur me situatën e kësaj krize shumë planësh, e cila u shoqërua me masa të forta shtrënguese për të minimizuar përhapjen e virusit, si karantina, distancim social e kufizime të tjera në lëvizje, personat me aftësi të kufizuara sipas raporteve, ndodhen në vështirësi të theksuara shëndetsore, sociale e ekonomike.

Personat me aftësi të kufizuara përballen me barriera shoqërore e fizike në jetën e tyre dhe duke shtuar kushtet e pandemisë, ky komunitet mbetet i lënë mënjanë nga mosmarrja në konsideratë e nevojave dhe kërkesave të vetë komunitetit në përpilimin e masave ligjore, ndaj pasoja e menjëhershme është izolimi. Sipas hulumtimeve të Cacioppo, përmendur në The Guardian, ndjesia e izolimit social shoqërohet me rritjen e nivelit të stresit, ç’rregullime hormonale, ç ‘rregullime të gjumit dhe udhëheq gjendjen shëndetësore e fizike në sëmundshmëri më të thella e të parikuperueshme. Në këtë kontekst, zëri i personave me aftësi të kufizuara mbetet i padëgjuar, dhe nevoja për kontakt me natyrën e ajrosje, mbeten të paplotësuara për shumë kategori.

Në Shqipëri, personat me aftësi të kufizuara nuk kanë ende asistentët e tyre personalё, persona të kualifikuar për të dhënë shërbim të specializuar dhe për të lehtësuar jetesën e tyre. Këto role kryhen kryesisht prej familjarëve, të cilët vazhdojnë të ndjekin modelin e bamirësisë për të afërmit e tyre. Sipas Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, mungesa e shërbimit profesional dhe mungesa e pajisjeve të dedikuara mbrojtëse kundër Covid-19, i ka vendosur më tepër në risk ndaj infektimit personat me aftësi të kufizuara dhe nuk është dhënë shërbimi i përshtshëm për çdo kategori, duke mbajtur në konsideratë nevojat e personit.

Aksesi në informacion, si burimi kryesor i mbrojtjes dhe parandalimit në situata si kjo e pandemisë që po kalojmë, është raportuar i pakët ose i munguar nga organizatat që punojnë me dhe për personat me aftësi të kufizuara. Protokollet e punës për specialistët e qendrave komunitare dhe rezidenciale janë publikuar me vonesë dhe informacionet e përditësuara, nuk kanë qenë në gjuhën e shenjave për personat që nuk dëgjojnë, për personat me probleme në shikim ka pasur mungesë pajisjesh lehtësuese dhe për personat me probleme të shëndetit mendor apo aftësi e kufizuar intelektuale nuk është dhënë informacion i thjeshtuar sipas nevojës.

Institucionalizimi dhe qendrat rezidenciale mbeten një shqetësim kryesor për të drejtat e njeriut në lidhje me personat me aftësi të kufizuara. Raporti ndërkombëtar i monitorimit në vëzhgimin e masave kundër covid-19, ka vënë re shkelje të të drejtave themelore për personat me aftësi të kufizuar në institucione, të cilat janë shndërruar në epiqendrën e infektimeve me virusin e koronës dhe vdekjeve si pasojë e tij. Duke mos pasur një vlerësim konkret dhe mungesa në kapacitete materiale e profesionale edhe në Shqipëri replikohen të njëjtat shqetësime për personat me aftësi të kufizuara në institucionet rezidenciale.

Organizatat e Shoqërisë Civile në Shqipëri dhe personat me aftësi të kufizuara, nuk u bënë pjesë e masave lehtësuese të ndërmarra nga shteti. Shumë prej organizatave të përfshirë në dhënie shërbimesh, vazhdojnë të përballen me vështirësi financiare dhe si pasojë e ri-orientimit të fondeve prej donatorëve nga varen përgjithësisht. Ato po përballen me mbijetesën dhe personat me aftësi të kufizuara me pamundësi për të marrë shërbime.

Arsimi në kushtet e shkollës online dhe tashmë me rifillimin e shkollës në shtator, mbetet shqetësim madhor për prindërit e fëmijëve dhe adoleshentëve me aftësi të kufizuara. Protokollet e masave mbrojtëse, nuk lejojnë kontakt të afërt me mësuesin ndihmës, aksesueshmëria e shkollave vazhdon të jetë problematike duke u vlerësuar e dobët prej ekspertëve të fushës, teknologjia dhe mjetet ndihmëse janë të munguara dhe shumë të pakëta për tu siguruar. Të gjitha këto e kanë bërë të vështirë ndjekjen e ritmit normal të edukimit nga fëmijët me aftësi të kufizuara, kështu ata mbeten të diskriminuar dhe të përjashtuar në raport me mundësitë e barabarta.

Aleanca Ndërkombëtare e Aftësisë së Kufizuar në lidhje me Covid-19 ka rekomanduar ndër të tjera dhënien e informacionit të aksesueshëm, masa mbrojtëse shtesë e të dedikuara, ndërgjegjësim, plane gjithëpërfshirëse për përgjigjen ndaj situatës, jo institucionalizim, sigurim tё shërbimeve mbështetëse, trajtim tё barabartë, mosdiskriminim në shërbim shëndetësor, mbështetje për organizatat e personave me aftësi të kufizuara dhe rritjen e rolit advokues prej organizatave.

Në planin e saj të Axhendës 2030, OKB ka parashtruar 17 objektiva të cilat duhen arritur, më relevanti në lidhje me momentin në të cilin po kalojmë mbetet Objektivi i 10-të, i cili synon ‘të zvogelojё pabarazitë’ dhe një prej nën objektivave të tij është ‘garantimi i mundësive të barabarta dhe mosdiskriminimi’

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, duke pasur parasysh situatën e vështirë të shkaktuar nga pandemia për personat me aftësi të kufizuara, që në fillesat e saj, bëri thirrje për të dhënë një përgjigje gjithëpërfshirëse prej shteteve ndaj Covid-19, ku askush të mos lihet mënjanë. Guterres, e ka cilësuar këtë si “mundësia unike që ne kemi për të dizajnuar dhe implementuar shoqëri më përfshirëse dhe të aksesueshme”

Kriza e Covid-19 na evidentoj qartë problemet, segregimin dhe diskriminimin për personat me aftësitë kufizuara, ndaj kemi nevojë të ndërtojmë një ambient gjithëpërfshirës që të ndikojë menjëherë dhe në menyrë afatgjatë në përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe reduktimin e kostove financiare e njerëzore në të ardhmen. Është momenti mëse i përshtatshëm për të rritur aksesin në informacion, aksesin fizik dhe aksesin në mundësi, është koha për shërbime të specializuara mbi parimin e barazisë dhe të drejtave që garantohen prej Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, mbi lirinë e zgjedhjes dhe jetesës së pavarur, është momenti të mendohet për të integruar teknologjinë dhe mjetet ndihmëse në veprimtarinë institucionale e komunitare, është momenti për të mbështetur organizatat për të përcjellë interesin e këtij target grupi.

Koha është tani, për një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku personat me aftësi të kufizuara të mos mbeten pas.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0