Klejda Bega, shkencëtarja shqiptare që ka në dorë të gjithë gjithësinë tonë - Business Magazine Albania

Klejda Bega, shkencëtarja shqiptare që ka në dorë të gjithë gjithësinë tonë


Bëhet fjalë për Klejda Begën një nga shkencëtaret më në zë sot në fushën e fizikës. Ashtu si qindra studiues të tjerë, udha e saj drejt hulumtimit duket krejt e rastësishme. Por megjithatë, gjeneratat e sotme femra në fizikë e kanë një idhull frymëzimi. Ajo është Mari Kyri. Klejda ishte vetëm 9 vjeçe kur i ra në dorë një biografi e shkencëtares së famshme shkruar me shumë dashuri nga e bija Iv Kyri.

Fizika dhe matematika ishin dy lëndët ekzakte që përcaktuan të ardhmen e saj. Arsimin tetë vjeçar e kreu në shkollën “Naim Frashëri” dhe arsimin e mesëm në shkollën “Dhaskal Todri”.

Më pas zhvendoset në Tiranë në gjimnazin “Sami Frashëri”. Por, falë dhuntive që zotëron, fiton të drejtën për të përfunduar Riverside Scool në Zvicër. Në klasën e tetë dhe në vitin e dytë në gjimnaz, Klejda mori pjesë në olimpiadat kombëtare dhe ballkanike të matematikës ku u nderua me çmimin e parë në Shqipëri në vitin 1990- 92 si dhe çmimin e tretë në Ballkan po në këtë vit edhe pse ishte shumë më e vogël se konkurentët e tjerë.

Ekselenca e saj tërheq vëmendjen e mësuesve ndërsa aplikon për të studiuar në universitete të famshme në botë. Fiton bursë që mundëson përfundimin e studimeve të larta në California University Technology në Pasadena, një universitet nga më të njohurit në glob, sidomos për fizikë. 33 pedagogët e këtij universiteti kanë marrë çmimin Nobël në këtë fushë.

Ajo u diplomua nga Caltech për fizikë me mesataren më të lartë të mundshme. Në vitin 1999 fillon doktoraturën për fizikë të thërrmijave. Eksperimentin për tezën e doktoraturës e kreu në laboratorin e fizikës në Standford University rezultatet e të cilit u botuan në revista shkencore mes të cilave në Physical Review Letter. Në vazhdimësi të karrierës fitoi një bursë nga Shoqata Amerikane e Fizikës që të kryente punë kërkimore në Columbia University në New York në fushën e fizikës atomike dhe specifikisht në optikë kuantike. Krahas kësaj ajo u ftua lektore në Columbia University ku jep një kurs të detyruar me titullin “Kufijtë e Shkencës”.

Atomet janë grimca ultra të vogla dhe më të padisiplinuara të materies. Ato përbëhen nga elektronet (thërrmija me ngarkesa negative) dhe protonet (thërrmija me ngarkesa pozitive) të cilat së bashku me neutronet përbëjnë bërthamën e tyre. Është shumë e vështirë të “ngrish” e të masësh një atom. Por aty zënë fill të gjithë ligjet e fizikës. E megjithatë Klejda ka mundur t’i ndalë, ti vërë në “gjumë” në “bigurinën e vezëve” dhe t’i manipulojë si të dojë. E mahnitshme të arrish të kuvendosh me grimcën më të vogël, njësinë bazë të gjithësisë.

Në fakt dy shkencëtare shqiptare duket se janë vënë në garë për të zbuluar origjinën e universit që mund t’i japin shpjegime të tjera ligjeve në fizikë. Disa qindra kilometra më larg, në Karolinë e Veriut, në Chapel Hill, Dr. Laura Mersini-Houghton, bazuar në një matematikë të përkryer, po trondit komunitetin e shkencëtarëve duke vënë në dyshim Teorinë e Big Bang-ut dhe e ‘vrimës së zezë’.

E pyetur se si nisi rrugëtimin drejt thërrmijave Klejda përgjigjet se ishte pikërisht biografia e Mari Kyrisë që i dha ngacmimin fillestar. “Unë as që e njihja se çfarë ishte fizika por meqë kjo shkencë i kishte shkaktuar asaj (Marie Kyrisë) aq pasion, me siguri duhej të ishte diçka e mrekullueshme. Dhe thashë: Unë do të bëhem fizikane.”

“Dola shumë mirë me mësime dhe zieja nga dëshira për të vazhduar shkollën e lartë. Aplikova për bursa në universitete të ndryshme. Unë vija nga Shqipëria e cila në atë kohë e cila ishte shumë e varfër. Nuk kisha mundësi të paguaja universitete kaq të shtrenjta. Por unë isha me fat. Unë kisha mësues që më inkurajuan shumë dhe kur aplikova në universitetet amerikane fitova bursë”.

Përfundimisht arrin të futet në Caltech në Amerikë një universitet i vogël por që mbledh elitën më të mirë në fizikë dhe matematikë. “ Ne ishim të gjithë të parët. Matematika, fizika, biologjia na janë dukur zbavitëse dhe shumë të lehta. Bashkëpunonim dhe shpiknim gjëra të që na argëtonin. Aty ka shumë krijimtari. P.sh njëherë mbaj mend që shkrimin Hollywood ne e shndërruam në Caltech. Kam shumë kujtime të bukura atje”.

Për studenten e pasionuar nuk ka prehje. Pas përfundimit të shkollës së lartë ndërmerr një nga vendimet më të guximshme të jetë. Të kryejë eksperimente dhe zbulime e të mbrojë doktoraturën. “Punën kërkimore e kreva në SLAC National Accelerator Laboratory. Ky laborator ka një përshpejtues mbi 3 km të gjatë. Aty lëshohet rryma e elektroneve dhe ato përshpejtohen në një shpejtësi shumë të madhe. Ishte një eksperiment me 50 fizikantë në fushën që njihet si fizika e thërrmijave. Ideja ishte që të masje disa veti të thërrmijave si p.sh elektronet të cilat nuk mund ti masësh dot. Nevojitet një preçizion i lartë le të themi një në një miliardë”, shpjegon Klejda.

Pas përfundimit të doktoraturës i ofrohet një vend si lektore në Columbia University. “Jap një lëndë e cila është ekskluzivitet i Columbia University. Më pas atë e kanë kopjuar edhe universitete të tjera. Universiteti ka disa lëndë të tilla që e dallon atë nga të tjerët. Mënyra se si ja prezantoj shkencën studentëve ka të bëjë mjaft me anën metodologjike se si ata mund të mendojnë si shkencëtarë mund të mendojnë në mënyrë kritike. Nuk ka asgjë të vështirë dhe për t’u trembur. Lëndë të tilla janë po aq magjike sa arti dhe letërsia.”

Për veten i ka objektivat e qarta. T’u japë maksimumin studentëve dhe të përparojë në eksperimentet e saj. “Dua që ai frigoriferi i eksperimentit të punojë shumë mirë që të mund të marr ca masa shumë ekzakte e të përparoj në zbulime të mëtejshme. Profesionalisht, unë shpresoj se grupi ynë i kërkimeve në Columbia do të prodhojë disa rezultate të mrekullueshme në të ardhmen e afërt.”

Çmimi Nobel është shpërblimi më i madh për çdo zbulues. Por Klejda është mjaft modeste edhe nëse do të ndodhë që mund të vijë ajo ditë. “Edhe pse çmimi Nobel është arritja më e madhe e fushës tënde në realitet ai ka të bëjë me faktin të jesh në vendin e duhur, në kohën e duhur, me eksperimentin e duhur e të jesh edhe gjallë. Dhe ju e dini; ka mjaft fizikantë që e kanë marrë këtë çmim pasi ata kanë vdekur”.

Në fillim Shqipëria, pastaj Zvicra e aktualisht Amerika. Klejda i përket njerëzve të epokës së globalizmit, të shoqërisë së dijes. “Bashkëshorti im është rus, kështu që fëmijët tanë do të flasin tri gjuhë – anglisht, shqip dhe rusisht. Jemi një familje qytetare e idealeve botërore. Të qenit kështu zgjeron perspektivën tuaj, thellon të kuptuarit dhe respektin për kulturat e tjera dhe përmirëson aftësinë tuaj për t’u përshtatur. Duke pasur parasysh drejtimin drejt së cilës bota është duke lëvizur, pra drejt integrimit dhe globalizimit – ajo ju përgatit ju për të ardhmen”.

Burimi: voal.ch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0